TIRANË- Një mjeke përballë Doktorit? Mereme Sela ishte një emër i panjohur në arenën e politikës derisa të gjithë “projektorët” u drejtuan drejt saj menjëherë pasi në selinë blu dorëzoi dokumentet për të kandiduar përballë Sali Berishës në garën e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike. E vetmja kandidate që iu pranua dosja, kush është mjekja Sela që synon të sfidojë Berishën dhe a po përdoret nga kupola e selisë blu si një kandidate për të legjitimuar garën? Të gjitha këtyre pikëpyetjeve Sala iu përgjigjet për herë të parë në një intervistë ekskluzive në emisionin “Frontline” në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço.
Ndonëse ka zgjedhur të qëndrojë larg zhurmës mediatike, Sela thotë se është një figurë me kontribut 12-vjeçar në Partinë Demokratike në rrethin e Fushë-Krujës. 58 vjeçe me profesion epidemiologe, Sela udhëton çdo mëngjes nga Fushë-Kruja drejt QSUT-së në Tiranë, atje ku ushtron profesionin.
“Unë banoj në qytetin e Fushë-Krujës. Kam që nga ‘96 që bëj çdo ditë rrugën vajtje ardhje Fushë Krujë-Tiranë. Ngrihem në orën 04:30, lej punën kur mbaroj në 16:30 dhe iki po në Fushë-Krujë”, thotë Sela.
Tre janë shtyllat kryesore në të cilat do ta mbështesë programin e saj, nëse do të zyrtarizohet kandidatura: Shëndeti, Arsimi dhe Ekonomia.
“Duke parë për një shoqëri tre shtyllat kryesore shëndeti arsimi ekonomia, këto janë bazat kryesore të programit që unë kam përgatitur të cilin do ta paraqes pasi të më zyrtarizohet kandidatura. Pra këto janë arsyet bazë që mua më kanë shty që unë të jem kandidate për kryetare të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Unë kam që nga 2014 si anëtare e Partisë Demokratike”, thotë Sela në emisionin “Frontline” në Report Tv.
Por, cilat janë arsyet që e shtynë Selën të kandidonte për të marrë drejtimin e partisë? Ajo rendit disa arsye, ku më kryesorja është që Partisë Demokratike i duhet në krye një figurë e re.
“Kriterin e kontributit politik në politikë dhe në jetën shoqërore dhe komunitare e plotësoj më së miri. Unë nuk kam mbajtur poste të larta në drejtimin politik të Partisë Demokratike pasi i gjithë komuniteti i qarkut të Durrësit, i gjithë komuniteti i Krujës i Fushë Krujës me gjithë fshatrat përreth e dinë kontributin që kam unë për gjithë komunitetin në mjekësi. Postet drejtuese nuk më janë dhënë. Në primare 2025 isha një ndër kandidatet.
Duke qenë një frymë e re në drejtim, një frymë e re që ka një impakt pozitiv për të gjithë komunitetin e qarkut për qendrën spitalore, për Fushë-Krujën por absolutisht dhe sidomos mbas pandemisë COVID-19 që shërbimi shëndetësor i mjekëve ishte përtej kufirit dhe këto janë arsyet që më kanë shtyrë
Mendoj që duke qenë një femër, me vite karriere, por dhe duke ditur gjithçka çfarë çalon në këto tre shtylla kryesore që i duhen një shoqërie unë mendoj që jam personi më i duhur dhe meqenëse dhe përflitet duhet një figurë e re duhet një figurë e re pa probleme me askënd dhe me impakt pozitiv, këto janë arsye që më ka shty që të kandidoj unë”, thekson Sela.
Me Sali Berishën është njohur që në vitet e para të karrierës, por në betejën politike qëndrimin e ka të qartë. Sipas saj, Partisë Demokratike i duhet një imazh i ri dhe një figurë përbashkuese, ndërsa Berisha duhet të largohet.
Mereme Sela: Unë për doktorin kam respekt e kam koleg e kam pas profesor kam filluar punën në kardiologji me të, ndaj respektin më të madh për të. Unë nuk jam përballë dhe për interesat askujt. Unë jam vetëm për imazhin tim, si e mendoj unë si duhet të jetë Partia Demokratike dhe opozita për të krijuar mirëqenie për popullin. Unë jam konsumuar vetëm në shëndetin publik për popullin por nuk jam e konsumuar në jetën politike
Marsela Karapanço: Po çfarë do të thotë të jesh përballë Sali Berishës?
Mereme Sela: Për mua është kënaqësi kandidon një student me profesorin aq më tepër kur je afirmuar në të gjithë karrierën tënde profesionale. Për hir të moshës di dhe gjithë nevojat e komunitetit.
Mereme Sela: Mendoj thjesht duhet një figurë e re të ketë një imazh të ri.
Marsela Karapanço: Pra të iki zoti Berisha dhe të jetë një figurë e re përbashkuese.
Mereme Sela: Patjetër.
Sela kujdeset të hedhë poshtë akuzat që artikulohen se ajo po përdoret për një garë të paracaktuar.
“Mos të ketë askush iluzion që mua më përdor dikush apo më ka futur dikush. Këto t'i fshijnë nga memoria. Unë jam vetë me mendimet, idetë e mia, me vlerat e mia me vlerat që kërkon Partia Demokratike”, thekson Sela.
Intervistën e mbyll me një mesazh për të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.
“Hapni sytë kë keni në ekranin e televizorit. Nëse u intereson shëndeti, arsimi, ekonomia, familja, ja ka më kanë, nëse u intereson bota, ja ku më kanë, nëse u intereson BE ja ku jam."
Një jetë e kaluar mes tallazesh rrëfehet nga Mereme Sela për herë të parë në “Frontline” në Report Tv. Sakrifica të njëpasnjëshme të një familjeje jo shumë konvencionale, por ku kanë mbizotëruar sakrificat. Përpara se ajo të vinte në jetë, i ati ishte i martuar me gruan e parë me të cilën kishte 4 fëmijë, tri vajza e një djalë. Pasi djali humb jetën në një aksident tragjik, gruaja vendos ta martojë të shoqin me një tjetër, nënën e Mereme Salës.
Nga kjo martesë, me një diferencë 31-vjeccare në moshë, vijnë në jetë 8 fëmijë. Të dyja familjet u shkrinë në një dhe 11 fëmijët u rritën bashkë. Veç humbjes së prindërve, Meremja vuan edhe dhimbjen për një vëlla që është ndarë nga jeta duke lënë 5 fëmijë në kujdesin e saj.
"Unë banoj në qytetin e Fushë Krujës. Po kam që nga ‘96 që bëj çdo ditë rrugën vajtje ardhje Fushë Krujë-Tiranë. Ngrihem në orën 4:30, lë punën, kur mbaron në 4:30 iki në Fushë Krujë. Në familje jetoj se babai im ka qenë i martuar me dy gra njëkohësisht, pasi gruaja e parë kishte tre vajza dhe një djalë. Djali i vdes në aksident dhe nëna, se ne i kemi thënë nënë se ka qenë një grua burrneshë, e marton vetë burrin me mamanë time. Babai im 45 vjeç, mamaja 14 për të lindur djalë dhe mamaja ime bën dy djem dhe gjashtë vajza. Pra jemi 11 fëmijë. Kemi jetuar të gjithë si familje bashkë. Babai ka vdekur më herët, mamaja më ka vdekur në 2003. Një vëlla më ka vdekur dhe kam dhe 5 fëmijët e vëllait që i kemi rritur bashkë me vëllain. Fëmijët tani janë rritur, janë dy vajza të martuara, një vajzë beqare, një djalë beqar, djali i martuar me nuse, me djalë në shtëpi", rrëfen Sela.

Nëse do të zgjidhej në krye të PD-së, si do ta luftonte Mereme Sela kryeministrin Edi Rama. Ajo thotë se hapi i saj i parë do ishte bashkimi i opozitës dhe t’i jepte fund luftës për karrige.
Marsela Karapranço: Cili është mendimi juaj për Ramën dhe si do ta luftoni atë politikisht?
Mereme Sela: Fillimisht të bashkojmë opozitën, të kemi një opozitë dinjitoze që të jenë për interesin e popullit dhe të mos jenë në luftë me karrige. Unë nuk jam për këto luftërat. Të kemi opozitën të bashkuar, të kemi idetë e qarta, programin e qartë.
Nëse kandidatura e saj do të zyrtarizohet në garën për kreun e PD, Mereme Sela thotë se votën e saj nuk do t’ia japë Sali Berishës, edhe pse e ka koleg si mjek. Në Report Tv ajo shprehet se do të votojë veten e saj.
Romeo Kara: Si e vlerësoni Sali Berishën?
Mereme Sala: Unë e kam koleg si mjek, profesor, pa dyshim ka vlera dhe merita për demokracinë, por nuk jam unë personi për të gjykuar më tej.
Romeo Kara: Ju për kë do votoni Për Sali Berishën apo për veten tuaj.
Mereme Sala: Unë do votoj për veten time. Po arsyeja është pse? Sepse meritoj
Romeo Kara: Çfarë bëni ju më mirë?
Mereme Sala: Kam një program pasi të jem kandidatja zyrtare.
Romeo Kara: Edhe ai ka program. Ai s'ka qenë pa program?
Mereme Sala: Gjithçka do e bëj më mirë
Shëndeti, arsimi dhe ekonomia janë tre pikat bazë të programit të Mereme Salës. E ftuar në emisionin “Frontline” në Report Tv, ajo thotë se do ta prezantojë programin vetëm në rast se zyrtarizohet kandidatura e saj për garën për kreun e PD. Një ndër pikat e programit, Sala thotë se ka edhe respektin që duhet dhe për të vdekurit.
“Unë nuk jam këtu për të korrigjuar dhe për të ndrequr gabimet e të tjerëve. Nuk jam për të luftuar me asnjeri. Unë jam për të shpalosur programin tim. Jam doktoreshë, di gjithçka çfarë ka lidhje me shëndetësinë me arsimin, pronat. Vetëm këtë pikë, po të them që një ndër pikat e programit kam edhe respektin që duhet dhe për të vdekurit, dhe si duhen trajtuar dhe ato në botën tjetër. Një ndër pikat e programit që nuk kam diskutuar dhe nuk kam dëgjuar asnjëherë asnjë deputet të prezantojë platformë dhe atë pikë”, thekson Sela.
Sela shprehet se nuk bëhet pjesë e pakteve që kanë impakt negativ për qytetarin, për fshatarin, për pronën, për shëndetësinë apo për arsimin.
“Mua nuk do më urdhërojë asnjeri, as nuk do bëhem pjesë e pakteve me asnjë person që ka impakt negativ për qytetarin, për fshatarin, për pronën, për shëndetësinë apo për arsimin”, vijon ajo.
Mereme Sela, kandidatja e vetmja që ju pranua aplikimi për garën për kreun e PD, e ftuar në studion e Report Tv thorë se nuk do të luftojë me askënd. E pyetur nga gazetarja Marsela Karapanço nëse kjo garë është e paracaktuar, Sala thotë se është njeri i paqtë dhe se luftërat i ka bërë Skëndërbeu. Ajo i bën thirrje anëtarësisë së PD, që nëse duan një figurë të re, ta votojnë.
Marsela Karapranço: A mendon që ky duhet të jetë një garë e paracaktuar me një fitues të të fortë siç është Berisha.
Mereme Sela: Jam një njeri i buzëqeshur dhe i paqtë. Unë nuk jam për të luftuar me asnjeri. Luftën e ka bërë Skënderbeu, kemi mbaruar punë. Nëse anëtarësia e populli duan një person një imazh të ri që edhe janë lodhur duke thënë s'kemi një figurë s'kemi një figurë. Ja ku jam. Nëse ato votojnë Sali Berishën unë do t'i jap dorën profesorit dhe do ndahem në mënyrën më qytetare.
Mereme Sela, së cilës iu pranua aplikimi për kandidate për kryetare të PD-së në zgjedhjet e 23 majit (pavarësisht se kandidatura nuk është zyrtarizuar ende), ka deklaruar se nëse një ditë do të arrinte të bëhej kryeministre, Sali Berishën nuk do ta emëronte ministër
Komentet Sela i bëri në emisionin ‘Flontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, teksa u pyet nga juristi Kreshnik Spahiu, mbi vendimet që do të ndërmerrte nëse do të zgjidhej në krye të PD-së dhe më pas kryeministre.
Kreshnik Spahiu: A do e bënit Sali Berishën ministër apo zv.ministër nëse bëheni kryeministre?
Mereme Sela: Nëse do bëhem kryetare e PD-së, patjetër i takon të jem edhe kryeministrja. Mendoj se do të jetë risi edhe për Shqipërinë. Por ministra e deputetë, po flasim për frymë të re.
Kreshnik Spahiu: Kështu që më mirë djem dhe vajza të reja në vend të Berishës?
Mereme Sela: Patjetër që figura të reja, me gjithë respektin për doktorin, për profesorin.
Kreshnik Spahiu: Kështu që më mirë nivel zv.ministri apo drejtori, që mos të mbëtet pa gjë.
Mereme Sela, e cila aplikoi sot për kandidate për kryetare të PD-së në zgjedhjet e 23 majit, është shprehur se është shtyrë që të futet në këtë garë, si rrjedhojë e kontributit të madh që ajo pretendon se ka dhënë për komunitetin, kryesisht në fushën e mjekësisë (pasi me profesion është mjeke).
Komentet Sela i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se i plotësonte të gjitha kriteret për të qenë pjesë e garës për kreun e PD-së.
Sela shtoi po ashtu se kishte qenë pjesë e Primareve të 2025 në PD, teksa kritikoi këtë proces, duke u shprehur se në atë kohë partia ishte thuajse inekzistente.
Më tej Sela tha se kishte ngritur shumë shqetësime në PD për mbarëvajtjen e punës në këtë parti, por edhe për shqetësimet e qytetarëve, por sipas saj, nuk ishte kontaktuar nga askush nga kupola drejtuese, për zgjidhjen e problemeve.
“Unë jam 58-vjeçe dhe kam një karrierë 37-vjeçare në mjekësi. Duke parë për një komb, 3 shtyllat kryesore, shëndeti, arsimi, ekonomia, për të pasur familje dhe fëmijë, këto janë bazat kryesore të programit që unë kam përgatitur, që do ta paraqes pasi të zyrtarizohet kandidatura. Këto janë arsyet bazë që mua më kanë shtyrë që të jem kandidate për kryetare të PDSH. Kam që nga 2014 anëtare e PD-së. Të gjitha kriteret e shfaqura, i plotësoj. Kriterin e kontributit politik në politikë dhe jetën shoqërore e komunitare, e plotësoj më së miri. Unë s’kam mbajtur poste të larta në drejtimin politik të PD-së, pasi i gjithë komuniteti i Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës, e dinë kontributin që kam unë për gjithë komunitetin në mjekësi.
Poste drejtuese nuk më janë dhënë. Në primaret e 2025 isha një ndër kandidatet dhe nuk mbeta shumë e kënaqur. Ishte një gjë që anëtarësia nuk e dinte dhe listat e anëtarësisë nuk ishin prezentë. Të paktën flas për rrethin e Krujës, ishte një PD inekzistente. I kam shprehur të gjitha shqetësimet, por nuk kam pasur asnjë kontakt qoftë edhe për të bashkëpunuar për të mirën e partisë, të qytetarëve dhe komunitetit. Duke qenë një frymë e re në drejtim, një frymë e re që ka një impakt pozitiv për të gjithë komunitetin e qarkut, për qendrën spitalore, për Fushë-Krujën dhe Krujën, por absolutisht, sidomos pas pandemisë Covid 19, shërbimi shëndetësor i mjekëve ishte përtej kufirit. Këto janë arsyet që më kanë shtyrë. Mendoj se duke qenë femër, me vite karriere, si dhe duke ditur gjithçka çalon në këto 3 shtylla kryesore, unë mendoj se jam personi më i duhur”, tha mes të tjerash Sela.
Komente











