Parlamenti shqiptar ka miratuar disa ndryshime të rëndësishme në ligjin anti-mafia, duke i paraprirë ngritjes dhe veprimit të organeve të reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Ndryshimet hynë në fuqi në qershor të këtij viti.

Një nga parashikimet më të rëndësishme është përfshirja në objektin e ligjit të të gjitha veprave penale të korrupsionit, të konsumuara si nga qytetarët e zakonshëm ashtu nga zyrtarët të të gjitha niveleve. Ligji parashikon që të dyshuarit si të përfshirë në praktika korruptive dhe aktivitete kriminale kanë barrën për të provuar se pasuritë e tyre, të zotëruara pjesërisht ose plotësisht prej tyre janë fituar nga burime të ligjshme.

Edhe të afërmit e tyre kanë barrën për të provuar që pasuritë, për të cilat kërkohet konfiskimi, zotërohen me titull pronësie vetëm prej tyre, janë përfituar nga burime të ligjshme dhe nuk janë në pronësi të tërthortë të personave të tjerë. Po ashtu, sipas ligjit të ndryshuar, të gjitha veprimet noteriale dhe transaksionet bankare për fshehjen e pasurive, nga zyrtarët e dyshuar si të përfshirë në praktika korruptive, do të shpallen të pavlefshme.

Në pikën 3 të nenit 3, ligji parashikon prezumimin e regjistrimit të rremë të pasurive dhe veprimtarive ekonomike të personave në emër të personave të afërm, kur ka të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë.

Masat e tjera
Ligji i ndryshuar anti-mafia nuk u lë asnjë shteg të dyshuarve për pasuri të paligjshme për t’i shpëtuar ndëshkimit. Kur ata shpërdorojnë ose fshehin paratë kur marrin vesh se do t’u konfiskohet, atyre do t’u konfiskohet çdo pasuri tjetër që posedojnë, e ligjshme apo e paligjshme. “Sekuestrimi ose konfiskimi vendoset mbi mjete monetare ose mbi çdo pasuri tjetër në zotërim të personave të përmendur në nenin 3, të këtij ligji, kur, pas marrjes në dijeni për hetimet në ngarkim të tij, personi, kundër të cilit kërkohet të vendoset masa tjetërson, shpërndan, transferon, shpërdoron, fsheh ose zhvlerëson pasurinë, me qëllimin për të shmangur ekzekutimin e masës së sekuestrimit ose konfiskimit të saj.

Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kur personi i tretë është në keqbesim, pasuria sekuestrohet ose konfiskohet. Rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen, deri në masën e vlerës së pasurisë, për të cilën është vendosur sekuestrimi ose konfiskimi, edhe kur del që ajo është bashkuar me pasuri të tjera.

Rregullat e pikave të mësipërme të këtij neni zbatohen edhe kur pasuria e paligjshme është trupëzuar me pasuri të ligjshme dhe nuk mund të ndahet prej saj pa i shkaktuar një dëm thelbësor”, parashikon ligji.

Konfiskim që nga viti ’91
Ligji i ndryshuar anti-mafia, në bazë të të cilit Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme do të kërkojnë konfiskimin e pasurive të paluajtshme dhe paratë e pista të korrupsionit, do të ketë efekte prapavepruese.

Përpos përfshirjes në objektin e veprimit të ligjit të veprave penale të korrupsionit dhe rregullave të reja për të identifikuar dhe konfiskuar pasuritë e pajustifikuara me dokumentacion ligjor, ligji i anti-mafia do të veprojë pa kufizime kohore. Ligjit do të veprojë që nga viti 1991 për të gjitha paratë e pista dhe pasuritë e paluajtshme, të krijuara me anë të praktikave korruptive apo aktiviteteve kriminale.

Ky parashikim është përfshirë në ndryshimet që kanë hyrë në fuqi në qershor të këtij viti, me qëllim për të goditur nga themelet kështjellën e korrupsionit në Shqipëri që nga shembja e regjimit komunist. Efekti prapaveprues i ligjit parashikohet fillimisht në pikën 6 të nenit 3 të ligjit të ndryshuar, duke theksuar se, ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në kohën e vënies së pasurisë.

Efekti prapaveprues theksohet sërish tek pika 3 e nenit 35 i ligjit, ku flitet për dispozitat kalimtare. “Për pasuritë e vëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë lidhje me veprat penale të reja që shtohen në nenin 3, pika 1, të tij, zbatohen parashikimet e pikës 6, të nenit 3, të këtij ligji”, thuhet në ligj. Ndërkaq, pika 1 e nenit 3 të ligjit përfshin të gjitha veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Konkretisht përfshihen 23 vepra penale të korrupsionit të të gjitha format dhe në të gjitha nivelet.

Veprimet për fshehjen e pasurive të pavlefshme
Vendimi për konfiskim

Me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata Speciale do të vendosë sekuestrimin e pasurive të krimit dhe korrupsionit kur ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale dhe praktika korruptive, kur rezulton se pasuria është kaluar në emër të të afërme si dhe kur pasuritë e kaluar në emër të të afërme janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.

Në çdo rast, personi nën akuzë nuk mund të përligjë pasurinë, duke deklaruar si burim të saj të ardhura ose riinvestime, që rrjedhin nga mospagimi i taksave dhe tatimeve.
 
Risia
Një nga parashikimet më të rëndësishme është përfshirja në objektin e ligjit të të gjitha veprave penale të korrupsionit, të konsumuara si nga qytetarët e zakonshëm ashtu nga zyrtarët të të gjitha niveleve.
 
Konfiskimi
Ligji i ndryshuar anti-mafia nuk u lë asnjë shteg të dyshuarve për pasuri të paligjshme për t’i shpëtuar ndëshkimit. Kur ata shpërdorojnë ose fshehin paratë kur marrin vesh se do t’u konfiskohet, atyre do t’u konfiskohet çdo pasuri tjetër që posedojnë, e ligjshme apo e paligjshme.
 
Sekuestrimi i pasurive
 -Sekuestrimi ekzekutohet për pasuritë e luajtshme dhe shumat monetare, sipas rregullave të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Civile, në rastet e rizotërimit të aseteve nga debitori ose nga pala e tretë;
 
-Për pasuritë e luajtshme ose të paluajtshme në zyrat kompetente për regjistrimin e tyre;
 
-Për pasuritë e shoqërive tregtare, përveç mënyrës të parashikuar nga ky ligj për çdo pasuri tjetër të sekuestruar, edhe me anën e regjistrimit të vendimit në regjistrin e shoqërive tregtare;
 
-Për kuotat dhe aksionet, me anën e publikimit në regjistrin e shoqërive tregtare dhe shënimin në regjistrat kontabël të shoqërisë.
 

Pranimi i kërkesës për konfiskim
1. Gjykata vendos konfiskimin e pasurisë kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
 
a) ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale, të parashikuara në nenin 3, pika 1, të këtij ligji;
 
b) rezulton se pasuria është, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të plotë ose të pjesshëm të personave të përmendur në nenin 3, pika 1, të këtij ligji;
 
c) nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personat e përmendur në nenin 3, të këtij ligji, nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.
 
2. Në çdo rast, personi nuk mund të përligjë pasurinë, duke deklaruar si burim të saj të ardhura ose riinvestime, që rrjedhin nga mospagimi i taksave dhe tatimeve. 

pastrimi parave te pista

Redakisa Online
D.T/Shqiptarja.com