EKSKLUZIVE/ Presidentja e PE, Metsola për Report Tv: Asnjë kriter shtesë për Shqipërinë, sa më shpejt negociatat! Stabiliteti i rajonit, jetik për stabilitetin e BE-së

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të fillojnë negociatat, Parlamenti Europian i ka bërë thirrje vendeve anëtare të angazhohen plotësisht ndaj zgjerimit të BE-së. Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola në një komunikim me gazetarin Ermal Qori për Report Tv është shprehur se procesi i zgjerimit mund të jetë një mjet i fuqishëm për të kundërshtuar përpjekjet e aktorëve të huaj keqdashës, për të destabilizuar rajonin.

Për presidenten e PE, ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e procesit të integrimit do të ishte kundër parimit për aq kohë sa  të dyja vendet i plotësojnë kriteret, ndërsa thekson se bisedimet e pranimit për të dyja vendet duhet të fillojnë pa vonesë.

E pyetur nëse mendon se Shqipëria duhet të shkëputet nga Maqedonia e Veriut dhe të vazhdojë e vetme në këtë proces, Metsola u shpreh: “Parlamenti Europian i ka kërkuar vazhdimisht Këshillit të ruajë ritmin dhe besueshmërinë e integrimit europian duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, siç rekomandohet vazhdimisht nga Komisioni, duke qenë se të dy vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian. Ne u kemi bërë gjithashtu thirrje vendeve anëtare të demonstrojnë angazhim të plotë politik ndaj zgjerimit dhe t'i japin një shtysë të besueshme përpjekjeve reformuese të vendeve të tjera të zgjerimit duke hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Parlamenti Evropian pohon se procesi i zgjerimit është një proces i bazuar në merita. Kjo do të thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të fillojnë negociatat. Fillimi i negociatave vetëm me njërin prej tyre, ndërkohë që të dyja plotësojnë kriteret, do të shkonte kundër këtij parimi”.

Pyetjes se nëse pengesa që po i bëhet të dy shteteve në integrimin e vendit krijon hapësirën për prezencë të një tjetër force në Ballkan, Metsola përgjigjet se stabiliteti fqinjëve mbetet jetik për BE-në.

“Stabiliteti në fqinjësinë tonë të afërt është jetik për stabilitetin e BE-së. Procesi i zgjerimit mund të jetë një mjet i fuqishëm për të kundërshtuar përpjekjet e aktorëve të huaj keqdashës, duke përfshirë dezinformimin dhe fushatat propagandistike, për të destabilizuar rajonin. Perspektiva e besueshme e BE-së ka shumë të ngjarë të zvogëlojë hapësirën për aktorët e tjerë për të vepruar efektivisht në rajon”, tha ajo.

Por si e lexon Metsola qëndrimin e mbajtur pak ditë më parë nga Ministrja e Punëve të Jashtme Bullgare Teodora Gençovska,  për kushtin që Maqedonia e Veriut duhet të përmbush përpara se të nisi negociatat duke mbajtur sërisht “peng” edhe Shqipërinë?

“Parlamenti Evropian mban qëndrimin e tij se bisedimet e pranimit si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë pasi të dyja vendet plotësuan kriteret për konferencën e parë ndërqeveritare. Nuk ka asnjë bazë për vendosjen e kritereve shtesë. Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e nevojshme dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme në fusha themelore”, përfundoi ajo.

Vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut qershorin e kaluar bëri që ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën dot një datë se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhtte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

 

 

/Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Skandal trukimi në futbollin belg, Westerlo dhe Genk barazojnë 1-1! Lojtarët 'shëtisin' në fushë (VIDEO)

Skandal trukimi në futbollin belg, Westerlo dhe Genk barazojnë 1-1! Lojtarët 'shëtisin' në fushë (VIDEO)