Në këtë kullë dykatëshe prej guri, qëndronin të ngujuar prej dy muajsh Erzen allias Hamza Uka dhe Julian Cumraku. Ka dyshime të forta se ata po përgatisnin një sulm terrorist, nisur nga prirjet radikaliste. Report Tv ka arritur të deportojë në strehën e tyre, ku kishin hapur dhe një tunel të nëndheshëm. Ndërsa brenda banesës gjenden orendi të pakta dhe disa ushqime, si kroasantë e makarona.

Mësohet se Uka dhe Cumraku qëndronin të fshehur prej dy muajsh në Orosh të Fushë-Arrëzit, zonë me popullsi katolike. Banorët jashtë kamerës thanë se kishin vënë re tymin e oxhakut por nuk kishin dijeni për personat e strehuar këtu. Lëvizjet e tyre ishin të rralla vetëm drejt xhamisë në fshatin fqinj.

Policia po verifikon edhe një pistë tjetër të rëndësishme: praninë e një gruaje që është parë disa herë duke hyrë dhe dalë nga banesa ku fshiheshin Erzen Uka dhe Julian Cumraku.

Dy të dyshuarit Uka dhe Cumraku mund ta kenë përdorur atë dhe një tjetër grua në marrëdhënie jashtëmartesore, duke lëvizur fshehurazi në zonë. Njëra prej tyre mësohet të jetë identifikuar, pasi është parë së fundmi me pantallona kamuflazhi ushtarake, ndërsa policia po heton rolin dhe lidhjet e mundshme të saj me dy të arrestuarit.

Në katin e dytë të banesës së braktisur, forcat e policisë kanë gjetur dyshekë të vendosur në formë krevati dopio, gjurmë që sugjerojnë se dy të strehuarit mund të kishin qëndrim të rregullt dhe se aty mund të kenë fjetur më shumë se dy persona.

Pas dorëzimit, kontrolli në brendësi të banesës zbuloi një arsenal të plotë luftarak:4 armë automatike 1 pistoletë 17 granata dore difensive 2 mijë fishekë, Kapsolla detonatore elektrike, Fitil zjarrpërcjellës Dy gëzhoja. Në mur, mes armëve, ishte vendosur një flamur i organizatës terroriste ISIS.

Prokuroria e Shkodrës po heton Erzen (Hamza) Uka dhe Julian Cumraku për veprat penale: Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave terroriste, Prodhimi i armëve luftarake, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.