Mbërrin grupi i dytë me 60 infermierë në ndihmë të Italisë! Manastirliu: Më e pakta që mund të bënim! Di Maio: Një dhuratë tjetër nga miqtë tanë (VIDEO)

RINAS-Shqipëria dërgon grupin e dytë të bluzave të bardha në ndihmë të Italisë për të përballuar situatën kundër koronavirusit që do të vendosen në Marche. Report Tv e raportoi i pari ekskluzivisht lajmin për nismën e dytë humanitare të Shqipërisë pas ndihmës së parë në fund të marsit me 30 mjekë dhe infermierë që kthehen në fund të prillit. Në orën 15:00 në momentin e nisjes së grupit të dytë të 60 infermierëve ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ambasadori italian në vendin tonë Fabrizio Bucci. Ministri i Jashtëm, Luigi di Maio e cilëson një tjetër dhuratë ndihmën duke falenderuar Shqipërinë për solidaritetin në këto momente të vështira.

Manjola Rama është një nga infermieret që u nis mision në Itali. Lajmin që do të nisen drejt shtetit fqinj e kanë mësuar para dy javësh. Për mikrofonin e Report Tv, Manjola rrëfeu se me vendimin e saj i ka mërzitur familjarët, veçanërisht tre fëmijët e vegjël që ka në shtëpi, por e ka parë si një mundësi shumë të mirë për të dhënë kontributin e saj në këtë betejë me të cilën po përballet e gjithë bota. 60 infermierët që janë nisur drejt Italisë, jo të gjithë kanë qenë të punësuar aktiv. Disa prej tyre, rasti konkret i Manjolës, para dy muajsh ka qenë zëvendës infermiere në QSUT, e ndërsa kanë zgjedhur që të mos qëndrojnë thjesht duke pritur thirrjen e Ministrinë e Shëndetësisë, por të ndihmojnë edhe në këtë periudhë. Ato priten që të trajtohen për disa ditë në Itali, ku dhe më pas do të nisin punën në spitalet COVID-19. 

"Ne sot jemi mbledhur për një si ndihmë për shtetit italian. Jemi rreth 60 infermier, jo të gjithë të punësuar. Unë kam qenë zëvendësuese në QSUT, deri sa të presim radhën vendosëm që të ndihmojmë Italinë. Na njoftuar dy javë më parë. E dimë që do kemi viruse dhe në do të japim maksimumin si staf që jemi, dhe besoj që do dalim faqebardhë. Unë jam nënë me tre fëmijë,  janë mërzitur. Nuk kemi bërë trajnim, por unë që kam punuar, e di si është puna, trajnimi, na kanë thënë që do trajnohemi atje dhe pastaj do fillojmë punë. Janë nga gjithë Shqipëria. Ne do të shkojmë në Romë, por spitalin e vendosin ato.  Mesazhi është për të gjithë që të mbajnë distancë, rregullat e higjienës dhe do të dalim faqebardhë", tha infermierja në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri.  

Kjo ndihmë vjen në një kohë kur Shqipëria ka një kurbë të qëndrueshme të të infektuarve, teksa lajmi i mirë, ndryshe nga sa paraqitet panorama në shumë shtete të tjera të Europës, spitalet nuk janë të tejmbushura. Në komunikimin ditor që ka pasur ministria e Shëndetësisë ditën e sotme, u bë e ditur se dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë. Dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali është vlerësuar maksimalisht nga jo vetëm nga Italia, si një gjest madhor i një vendi të vogël, por me zemër të madhe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:57
Dërgimi i 60 infermierëve në Itali/ Kim: Një falenderim special Shqipëri

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka faldenderuar Shqipërinë për dërgimin e infermierëve në Itali, grupi i dytë në ndihmë të bluzave të bardha në shtetit fqinj.

"Si shtet anëtar i NATO-s në betejën e përbashkët nga COVID-19, një falenderim special Shqipërisë për dërgimin e infermierëve në Itali! Ne jemi NATO", shkruan Kim.

Postimi i plotë i Ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim në anglisht
Ora 17:48
Dërgoi edhe 60 infermierë në Itali, vjen reagimi i parë i Edi Ramës

'Krenar për Shqipërinë'. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama për vendimin e dërgimit edhe të 30 mjekëve në Itali. Postimin kreu i qeverisë e ka shoqëruar me videon e momentit kur ministrja e Shëndetësisë përcjell infermierët në Itali.

Ora 17:37
"Nuk e mendova dy herë, e ndjeva si detyrim", çfarë thanë 60 infermierët para se të niseshin në Itali

60 infermierët që u dërguan në Itali, për të ndihmuar në kushtet kur po përballet me sulmin e egër të COVID-19, por dhe për ta pasur një trajnim më shumë, u shprehen para kamerës se ato kanë pranuar menjëherë të shkojnë në shtetin fqinj sapo u është telefonuar për këtë gjë.

Infermierët u shprehën se vetë profesioni i tyre është humanitar, por dhe lidhja që ata kanë me Italinë bënë që të mos mendoheshin dy herë për të pranuar.

"Zgjodha të shkoj infermierë vullnetare pasi Italia ndodhet në gjendje të vështirë dhe doja të jap ndihmën time", tha një infermier

"Shumë të afërt e mi jetojnë në Itali dhe ato mund të kenë nevojë për ndihmë", u shpreh një infermier

"Sapo më telefonuan pranova direkt, isha i gatshëm", tha një infermier tjetër

"Formimin profesional që unë e kam marrë në Itali, dua ta kthejë." tha një infermier

"E ndjej si obligim për shkollën që kam bërë dhe profesioni që kam zgjedhur", u shpreh një infermier

"Kam dëshirë të jem humanitare sepse infermierët janë pjesë e humanizmin", u shpreh një  tjetër infermier që u nis drejt Italisë

"Mendojmë që t'i kthejmë nderin që Italia ka bërë për ne vite më parë", tha një infermier

"Arsyeja për të cilën ne zbatojmë këtë punë se duam t'i vijmë njerëzve në ndihmë, të tjerat janë në plan të dytë", tha një infermier tjetër

60 infermierët janë grupi i dytë që dërgohet nga qeveria shqiptare për të ndihmuar me situatën e COVID-19 në Itali, ku më herët u dërguan 30 mjekë dhe infermierë.

Ora 17:06
60 infermierë shqiptarë drejt Italisë, Soreca: Gjest i shkëlqyer solidariteti

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka vlerësuar ndihmën e dytë që Shqipëria i dërgoi Italisë me 60 infermierë të tjerë pas grupit të parë me 10 mjekë dhe 20 infermierë. Soreca duke e cilësuar një gjest të shkëlqyer solidariteti, thekson se pikërisht këto vlera janë në zemër të vetë unionit të Bashkimit Europian.

"Një tjetër gjest i shkëlqyer solidariteti nga Shqipëria. Sot 60 infermierë shqiptarë  fluturuan në Itali për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër COVID-19. Solidariteti është në zemër të vlerave të BE. Faleminderit shumë Shqipëri", shkruan Soreca.

Ora 16:52
Arrijnë në Itali 60 infermierët shqiptarë! Di Maio përulet dhe i falenderon me dorën në zemër

Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio priti në Romë 60 infermierët shqiptarë që u nisën sot nga Rinasi. Di Maio pasi i përshëndeti të gjithë me përulje në distancë dhe me dorën në zemër u shpreh se infermierët shqiptarë do të vendosen të gjithë në rajonin e Marche-s, teksa grupi i parë u vendos në spitalin e Breshias.

Di Maio falenderoi qeverinë dhe popullin shqiptar duke e cilësuar certifikim të dytë të shkëlqyer të miqësisë, pasi tha se nëse do të llogaritet me numër popullsie, ndihma që ka dhënë Shqipëria është më e larta nga të huajt.

"Falenderoj kryeministrin e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën konkrete për Italinë në luftën kundër koronavirusit, që është certifikimi i dytë i shkëlqyer i miqësisë. Është fryt i një solidariteti, por mbi të gjitha është një zemër e shkëlqyer e shumë shteteve në botë, përfshirë Shqipërinë, e cila nuk e ka kursyer veten dhe ka treguar jo vetëm një miqësi të shkëlqyeshme, por edhe një ndjenjë të shkëlqyer solidariteti.

Janë 60 infermierë që do të shkojnë direkt në rajonin e Marche.  Po i thosha ambasadores shqiptare që nëse do të krahasojmë numrin e infermierëve dhe mjekëve që kanë mbërritur nga Shqipëria me numrin e banorëve të Shqipërisë, kemi një proporcion që është sigurisht më i larti në mesin e ndihmave të marra të huaja" tha Di Maio.

Ora 15:30
Di Maio do presë në aeroport grupin e dytë të infermierëve shqiptarë: Një tjetër dhuratë nga miqtë tanë

Ashtu sikurse ndodhi edhe herën e kaluar, infermierët shqiptarë do të priten në Itali nga ministri i Jashtëm, Luigi di Maio.

"Sot mbërrijnë në Itali një grup me 60 infermierë nga Shqipëria për të dhënë mbështetje spitaleve tona. Një ndihmë konkrete, një dhuratë tjetër, që vjen nga miqtë tanë shqiptarë. Faleminderit Edi Rama për solidaritetin dhe ndihmën ndaj Italisë. Shihemi në 16:30. Nuk jemi vetëm", shkruan Di Maio

Ora 15:14
60 infermierë në ndihmë të Italisë, ambasadori: Gjest i jashtëzakonshëm, faleminderit nga zemra

Ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci ka falenderuar Shqipërinë për ndihmën me 60 infermierët në luftën kundër koronavirusit. Ai ishte i pranishëm së  bashku me ministren Ogerta Manastirliu në momentin e nisjes së infermierëve drejt Romës. “Ju falënderoj për këtë gjest të jashtëzakonshëm. Faleminderit nga zemra” tha ai. 

Ora 15:13
Niset grupi i dytë me 60 infermierë për të ndihmuar Italinë, Manastirliu: Solidaritet me popullin mik

Pas 30 mjekëve dhe infermierëve në fund të marsit, sot drejt Italisë për ta ndihmuar vendin fqinj në luftën kundër koronavirusit, Shqipëria ka nisur një tjetër grup me 60 bluza të bardha. Pas pak ditësh do të rikthehet grupi i parë i 30 mjekëve dhe infermierëve, ndërsa do të vijojnë betejën me kolegët italianë 60 infermierët.

Ju falënderoj për atë që po bëni për misionin tonë të dytë humanitar në kuadër të solidaritetit që tashmë është pjesë, prioritet kyç kundër COVID-it, që na mban dhe bashkon. Ju falënderoj dhe jam e bindur se sikur na bëri krenarë grupi parë që nisëm në Itali në misionin e parë për të ndihmuar Italinë, ashtu edhe ju do të na bëni krenarë. Ju falënderoj në emër të kryeministrit.

Dua ta perifrazoj me fjalët e Nënë Terezës. Nëse mendoni se ajo që bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean, por pa këtë pikë uji oqeani do të ishte më i vogël. Faleminderit. 60 infermierë do të luftoni me kolegët italianë në frontin e luftës kundër COVID. 30 mjekët dhe infermierët e tjerë për pak ditë do të rikthehen, ju do të vijoni misionin. Është momenti për të treguar shpresë dhe solidaritet për popullin mik italian që na ka mbështetur gjatë këtyre viteve dhe është më e pakta që mund të bëjmë.

E treguan edhe më së fundmi me tërmeti. Jemi ende në mes të luftës dhe të gjithë bashkë do ia dalim. Sikur u premtuam edhe kolegëve që u nisën në Itali, sa kohë që ata nuk do të ishin këtu do të kujdesemi ne për familjet tuaja. Ju shkoni të qetë dhe kujdesuni për veten dhe të riktheheni shëndoshë e mirë, ky nuk është vetëm dëshirë, është detyrim për ju.

Ruani për veten dhe për kolegët, do të punoni si të barabartë me profesionalizmin që keni ju. Profesionistët tanë kanë të njëjtat aftësi si në vendet europiane. Do të doja t’u përqafoja të gjithëve, por duhet të ruajmë distancimin fizik. Deri në Romë do u shoqërojë ministri i Jashtëm. Kur të ndaheni në strukturat spitalore në Ankona apo ku të vendoset” tha ministrja.

1587388369_mjke22.jpg

Ora 13:15
Përcolli motrën infermiere për në Itali, Albano: Nuk mundëm ta pengonin, ajo e do shumë punën (VIDEO)

Albano Çullhaj, vëllai i Kristiana Çullhaj e cila sot u nis në Itali krah bluzave të bardha, tregon momentin kur e ka marrë vesh për vendimin e saj. Ai tregon se nuk ka mundur që ta ndalojë dot, pasi ka parë tek motra e tij dëshirën shumë të madhe për të punuar. 

"Është pak e frikshme se nga ato që dëgjojmë, por ajo e do shumë punën e saj dhe nuk e pengojmë dot", tha Albano

Ora 13:07
U nis në Itali, infermierja për Report TV: Mezi po e prisja, detyra më thërret...familja fillimisht ishte kundër (VIDEO)

Kristiana Çullhaj, është një vajzë e re në moshë, e cila ka marrë një mision shumë të rëndësishëm! Do të shkojë në spitale COVID në Itali për të dhënë kontributin e saj, mes heronjve të bluzave të bardha. Në kundërshtim me dëshirën e prindërve të saj, ajo ka marrë vendimin për të shkruar në Itali.

"Unë kam 1 muaj që jam shkëputur nga puna, dhe kam aplikuar te portali për infermier dhe pas 2 javësh më kanë kontaktuar. Në orën 12:00 niset avioni. Do zbresim në Romë dhe atje do na ndajnë detyrat. Të them të drejtën nuk e pata të vështirë, mezi po prita se e doja shumë dhe detyra më thërret. Kundërshtuan familjet, por duke para dëshirën time për të punuar ranë dakord me mua", tha Kristiana për Report Tv.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Genti: 20/04/2020 19:39

    Nje gjest fantastik, I uroj pune te mbare 60 herojve, respekte..

    Përgjigju
  • DAJ CENI: 20/04/2020 17:56

    Krenare per keta vajza e djem qe sakrifikojne kaq shume ju faleminderit Me kete gjest fisnik shqiptaret tregojne edhe njehere zemren e tyre te madhe nje sakrifice te cilen populli Italian e meriton. Eshte ky popull qe gjithmone i ka mirepritur shqiptaret me te mirat dhe te keqiat e tyre .jane italianet nje popull me zemer te madhe qe shqiptaret i ka bere te ndjehen dinjitoze ne punen dhe kontributin e tyre ne Itali per vete dhe Italine. BRAVO VAJZA DHE DJEM TRIMA ZOTI QOFTE ME JU NE KETE SAKRIFICE TUAJEN. MIRENIOHJE

    Përgjigju
  • Populli: 20/04/2020 17:38

    Faleminderit pafund te gjithe mjekve dhe infermierve qe po rrezikojne jeten e tyre per mbrojtjen e jeteve tona. Faleminderir bluzave te bardha qe na bejne krenar qe jemi Shqiptar. Faleminderit Kryeminister per kete xhest fisnik qe ke bere. Tregove edhe nje here ate fjalen e urte popullore: miku i mire njihet ne dite te veshtira. FALEMINDERIT

    Përgjigju
  • RESPEKT PA FUND: 20/04/2020 16:19

    Respekt pa fund pēr infermjerët Shqiptar. Nddri shpërblehet me nder bravo juve infermjerve HERONJ që po vini jetën në rezik ja keni ngritur lart SHQIPRIS HALLE MADHE. ZOTI JU BEKOFT JUVE QË PO BËNI KAQ SHUM PËR KOMBIN TUAJ. ZOTI E BEKOFT SHQIPRIN E SHQIPTARËT KUDO QOFSHIN NË BOT.

    Përgjigju
  • MURAT: 20/04/2020 16:11

    JU LUMTE. JU JENI NDERI I SHQIPERISE. PUNE TE MBARE.

    Përgjigju
  • Arbëri: 20/04/2020 14:14

    Qofshi faqebardhë o Shqipëtarë !

    Përgjigju
  • Boris: 20/04/2020 13:52

    Bravo SHQIPËRI

    Përgjigju
  • Herohine Ju lumnte ...: 20/04/2020 13:47

    Njerez te vecante ,,me moral dhe ndergjegje te vecante .. Zoti Ju mbrojte nga cdo te keqe ,, dhe Ju dhurofte Lumturi ne Jete..

    Përgjigju
  • Populli: 20/04/2020 12:38

    Miku njihet qe eshte mik ne te keq e ne rrezik. Bravo Shqioeria turp BE-se qe e la ne balte anetaren e saj Italine kur ajo me shume se kurre kishte nevoje per ndihmen e saj.

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 20/04/2020 12:07

    RESPEKT PER SHQIPERIN

    Përgjigju
  • Hinglateri: 20/04/2020 11:43

    Viva Italia viva Shqiperia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë