Ekskluzive/ Si kryebashkiaku Frrokaj ktheu shkëmbin në tokë pemtore

Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, dyshohet se me firmën e tij ka miratuar rreth 13 praktika dërguar hipotekës së Lezhës, duke i ndryshuar zërin kadastral disa pasurive në bregdet, pasuri këto që më pas janë rregjistruar në hipotekë, në emër të personave të ndryshëm.

Një nga rastet ku kryebashkiaku Frrokaj dyshohet se ka abuzuar me detyrën është rasti i rregjistrimit të disa pasurive në emër të shtetasit Zef Gjini,i cili është paraqitur në hipotekë në datën 10 prill 2017. Në vijim të kësaj praktike regjistrimi, nga ana e hipotekës Lezhë, me shkresën nr.2104/1 prot, datë 19 prill 2017, i është kërkuar Bashkisë Lezhë konfirmim i dokumentacionit të paraqitur nga Komuna Shengjin, pasi gjatë procesit të shqyrtimit të dokumentacionit për regjistrim është evidentuar se AMTP me nr.5594, datë 26 shtator 2003, në emër të Zef Gjini, nuk është administruar më parë nga kjo zyrë.

Po ashtu nga shqyrtimi i dokumentacionit ka rezultuar pasuritë që kërkonte të hipotekonte ky person, ishin pyll, rranishtë dhe shkëmb, dhe ishin në pronësi të shtetit. Mirëpo në përgjigje të kërkesës për konfirmim të hipotekës Lezhë,nga Bashkia Lezhë, me shkresën nr.3092/1 prot, datë 6 qershor 2017, e nënshkruar dhe vulosur nga Kryetari Fran Frrokaj, është konfirmuar se lloji i pesë pasurive që kërkohej të hipotekohej është tokë pemtore.

Pronarët: Na morën tokën e gjyshit
Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Lezhe mbi bazen e kallezimit penal te paraqitur nga shtetasi Gjek Celaj, ne date 15.09.2017 ka regjistruar edhe procedimin penal nr.671, viti 2017, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyrë”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 te K.Penal. Sipas këtij kallëzimi penal shtetasi Gjek Celaj ka kallëzuar ndër të tjera se familja e tij ka banuar prej kohësh në vendin e quajtur “Mali i Rencit”, Njësia Administrative Shengjin, Lezhë.

Gjyshi i tij i ndjeri Gjon Preka ka pasur në pronësi të tij para vitit 1945, në Malin e Rencit, një sipërfaqe toke prej 12 dylym tokë buke si dhe një sipërfaqe prej 150 dynym livadhe dhe kullota, fakte këto të pasqyruara në dokumentin nr.2293/1, date 4 qershor 2014 të lëshuar nga Arkivi Qëndror Shtetëror. Sipas kallëzuesit në vitin 1991, në bazë të ligjit 7501 duke qënë banorë të fshatit “Mali i Rencit” ka përfituar vetëm tokën bujqësore ndërsa sipërfaqja tjetër e tokës nuk ju është dhënë pasi nuk mund tju jepeshin sipërfaqet e tokave që ishin në zërin kadastral pyje dhe kullota.

Sipas vendimit Nr.281, date 15.06.2006 Gjykata Lezhë ka vendosur vërtetimin e faktit juridik se i ndjeri Gjon Celaj para vitit 1946 ka pasur në pronësi një sipërfaqe toke prej 165.5 dylym në fshatin “Mali i Rencit”, Lezhë. Pas njohjes së pronës trashëgimtarët e të ndjerit Gjon Celaj kanë ndjekur rrugën ligjore për kthimin fizik të kësaj prone, proces i cili nuk ka përfunduar akoma.

Pavarësisht fakteve të mësipërme, kallëzuesi para disa ditësh ka mësuar se prona e cila është e familjes së tij dhe për të cilën është në proces gjyqësor për kthimin fizik të saj, me anë të dokumenteve të falsifikuar ishte regjistruar në pronësi të disa personave, të cilët pretendojnë se e kanë përfituar në bazë të ligjit Nr.7501 “Për tokën”. Në cilësinë e provës shkresore kallëzuesi ka paraqitur dokumentat që provojnë pronësinë e vjetër të familjes së tij si dhe vendimet gjyqësore për njohjen e pronës.

Si u kthye mali në tokë pemtore
Nga hetimet paraprake të zhvilluara prej organit të akuzës ka rezultuar se parcelat e pronave objekt hetimi në zonën kadastrale Nr.2568 (Mali i Rencit) dhe në zonën kadastrale Nr.2569 (Mali i Shengjinit), janë terrene pyll me pisha si dhe rërë. Duke ju referuar fakteve të lartcituara në lidhje me pronat objekt hetimi sipas organit të prokurorisë ka dyshime të arsyeshme se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave të tjetërsimit të këtyre pronave nga institucionet dhe përfaqësuesit e tyre zyrtare.

Gjithashtu sipas organit të akuzës parcelat e lartpërmendura rezultojnë me status formal në ZVRPP Lezhë “tokë pemtore”, të ndara në dhjetëra pasuri të trajtuara individëve të ndryshëm të pajisur me AMTP në kundershtim me ligjin, për persona që nuk janë banorë të kësaj zone dhe të pashoqëruara me dokumentacion ligjor deri në regjistrimin pranë ZVRPP Lezhë. Në pjesën më të madhe të tyre këto parcela rezultojnë të tjetërsuara nga të tretë nëpërmjet shit-blerjeve të ndryshme.

Sipas organit të akuzës tashmë është i provuar një mekanizëm në shkelje të procedurave ligjore të tjetërsimit të këtyre pronave nëpërmjet parashtrimit të rrethanave të rreme në dokumenta të falsifikuara, administrimit të dokumenteve me rrethana te rreme në praktikat e pajisjes me AMTP deri në regjistrimin e tyre në ZVRPP Lezhë.

Topografi në pension që falsifikoi dokumentat
Topografi Luigj Paloka ka pohuar në prokurori se ka punuar rreth 40 vjet me detyrën topograf në qytetin Lezhë si dhe në Komunat përreth qytetit, në pension ka dalë në vitin 2007, por vashdon dhe punon dhe sot me detyrën e topografit, kur gjen ndonjë punë për matje toke. Zyrë nuk ka për të punuar por kur ka punë veprimet i kryejë në zyrë të ndonjë shoku. Unë kam bërë matje topografike në tokat që ndodhen në fshatrat Mali Rencit dhe Mali Shengjin Lezhë, sipas kërkesës së personave që i kërkonin duke përcaktuar sipërfaqen dhe duke bërë një plan rivelimi të thjeshtë të cilin ja dorëzonte personit të interesuar, më pas personi që i dorëzonte planin e rivelimin e dërgonte tek kryetari i fshatit përkatës me sa di ai.

Hartat e menazhimit i ka marrë pranë ish-komuns Shëngjin prej shumë vitesh, por si vit nuk e mban mend si dhe nuk mban mend as personit që ja ka dhënë. Ka bërë matjet duke ju referuar hartës së menazhimit që kishte Komuna Shëngjin. Nuk ka qënë në terren për të matur sipërfaqe toke, matjet i ka bërë duke ju referuar hartës së Komunës Shëngjin. Në kohën që çdo person që vinte tek ai për të bërë matjet e sipërfaqes së tokës i thoshte se i duhet për të matur tokë ku përcaktonte dhe sa metra duhej për të matur tokën.

Shikonte hartën e marrë nga Komuna Shëngjin dhe përcaktonte kufijtë. Nuk e mban mend se cilët persona kanë ardhur për të bërë matjet e tokës pasi ka kaluar një kohë e gjatë. Topografi Ndue Marfani nuk ka përgatitur asnjë plan rivelimi, të gjitha planet e rivelimet janë plotësuar nga ana e tij por në këtë kohë ka patur liçensën e shtetasit Ndue Marfani. Ka bërë matje për këto pasuri gjatë viteve 2003 deri në vitin 2005 më pas nuk ka bërë matje.

Dua të theksoj se skica që ka pëpiluar tek plan rivelimi kalonte nga kryetari i fshatit tek Komuna Shengjin dhe me shkresë përcjellëse më pas tek Zyra e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës në Qarkun Lezhë. Çdo person i ka dhënë njëzet mijë lekë në dorë për punën e kryer. Për çdo plan rivelimi është bazuar në një harrtë që ka marrë në Komunën Shëngjin prej shumë vitesh. Me sa ka dijeni në fshatin Mali Rencit ka një sipërfaqe të vogël toke arë, ndërsa pjesa më e madhe është tokë pyll, por sot nuk e din se cilat parcela janë tokë pyll dhe tokë arë.

Shtetasin Gjin Frroku,  Martin Frroku, Ndue Frroku, Nikoll Tina, Vasil Gjoni nuk i njeh. Të gjitha plan rivelimet dhe konfirmimet janë plotësuar nga ana e tij me shkrim dore dhe plotësimet në to i ka bërë në zyrën e ndonjë shoku ku gjente, por për këta shtetas nuk e kujton se në cilën zyrë i ka plotësuar dhe nuk e kujton vitin se kur i ka plotësuar. Në kohën që ka plotësuar plan rivelimet dhe konfirmimet nuk kanë qënë prezent kryetari i komunës dhe as kryetari i fshatit, por në kohën që i ka shkruar me shkrim dore i ka marrë qytetari me vete dhe nuk ka dijeni se ku i ka dërguar.

“Nuk e di ku kam tokën, janë marrë djemtë”
Frrok Frroku, njëri nga përfituesit e tokës tek “Rana e hedhun” ka shpjeguar në prokurori se ka lindur dhe është rritur deri në moshën 50 vjeç në fshatin Sukaxhi në lagjen Gjaz dhe ne vitin 1992 është larguar nga fshati Sukaxhi dhe ka ikur në Mamurras ku dhe jeton aktualisht. Ka katër djem Ndue Frroku i cili është në Amerikë, Gjin Frroku ndodhet në Greqi, Martin Frroku ndodhet ne Greqi dhe Lek Frroku ndodhet në Shqipëri, Liza Frroku ndodhet në Shqipëri dhe bashkëshortja ime Gjele Frroku jeton me të në Mamurras.

Në fshatin Sukaxhi ka dy dynym tokë arë të cilat nuk i punon. Është i paisur me tokë në Malin e Rencit por nuk e di sa dynym pasi jane marrë fëmijët e tij Leka, Martini, Gjini dhe Ndue. Nuk ka dijeni se në cilin vit ka marrë tokë në fshatin Mali Rencit, pasi me letrat e tokës janë marrë fëmijet e tij. Nuk ka dijeni se në cilin vit ka nënshkruar dokumentat e tokës për tek Mali Rencit pasi ka kaluar një kohë e gjatë.

Tokën e ka shitur që ka marre tek Mali Rencit një shtetasi me emrin Arben, mbiemrin nuk ja di, por në këtë rast ka hedhur firmë dhe marrë me dokumentat është djali i tij Ndue Frroku. Nuk ka dijeni se në cilin vend ndodhet toka tek Mali Rencit pasi me këtë tokë janë marrë fëmijët e tij. Ndue dhe Martini  kanë qënë në muajin korrik në Shqipëri, kur martoi Leka vajzën, ndersa Gjini nuk ka qënë në Shqipëri këtë vit

Hafizi:Formosa në emër të kryetarit
Enver Hafizi ka treguar se punon me detyrën nën/kryetar i Bashkisë Lezhë që nga muaji gusht i vitit 2015 dhe vashdoj dhe sot të kryejë këtë detyrë. Shkresen nr. 4831/1 prot, date 01.08.2016 ku e ka nenshkruar tek rubrika kryetari i Bashkise Fran Frrokaj.

Shkresen me nr.4831/1 prot, date 01.08.2016 dhe dokumentacionin që i është dërguar hipotekës nga Bashkia Lezhë, e përgadiurt Drejtoria e Bujqësisë pranë Bashkisë Lezhë ku drejtor është shtetasi Gjovalin Gjeloshi dhe përgjegjëse kadastre është shtetasja Gjelina Bacaj, shtetasja Gjelina Bacaj përgatit plan rivelimet dhe skicat perkatese si dhe gjithe dokumentacionin përkatës pranë kësaj zyre ku ka ka jurist, topograf, inxhinier.

Gjelina: S’kam dijeni kush ka lëshuar AMTP-të
Gjelina Bacaj ka pohuar në prokurori se ka vazhduar punë pranë Komunës Shënkoll – Lezhë me detyrë përgjegjëse i zyrës së menaxhimit të mbrojtes së tokës  me datë 2 maj 2007 deri ne vitin 2016 dhe më datë 5 maj 2016 është emëruar me detyrën përgjegjëse e Zyrës Pranimit dhe Përpunimit të dokumentacionit të Tokës (kadastra) pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Lezhë. Në zyrën e kadastrës punojnë inxhinier gjeodet Ndre Mhilli, juriste Dorina Ndoka dhe Juxhina Mema e cila ka qënë specialiste deri në fundin e muajit gusht të vitit 2017 kohë në të cilën është larguar nga detyra pranë Bashkisë Lezhë, topograf Jak Frani, specialiste Olta Krevja dhe në dispozicion është shtetasi Adenis Haxhia.

Në muajin janar të vitit 2017 është plotësuar organika e zyres së kadastrës dhe më datë 20 prill 2017 aktet e marrjes së tokës së shtetasve kanë ardhur dhe nga zyra me një ndalesë nga Bashkia dhe protokolli i Bashkisë si dhe nga Njësit Administrative, një pjesë e konsiderushme e kërkesave janë bërë dhe në zyrë në zbatim te v.k.m nr 994 te vitit 2015 dhe manualit udhëzues.

Nuk ka dijeni se si është administruar akti i marrjes së tokës në pronesi me nr. 9274, date 16.05.2002 lëshuar në emrin te shtetasit Martin Frroku, akti i marrjes se tokës në pronësi me nr. 9267, date 16.05.2002 lëshuar në emrin te shtetasit Gjin Frroku, akti i marrjes së tokës në pronësi me nr. 9272, datë 16.05.2002 lëshuar në emrin të shtetasit Frrok Frroku, akti e marrjes së tokës në pronësi me nr.9265, date 22.04.2002, lëshuar në emër të shtetasit Nikoll Tinaj, akti i marrjes së tokës në pronesi me nr. 1954, date 26.03.2003, lëshuar në emër të shtetasit Vasil Gjoni, akti i marrjes së tokës në pronësi me nr. 1962, date 26.04.2003, lëshuar në emër të shtetasit Pjetër Gjoni.

Vendimi nr.2/1, daëe 27.05.2002 është administruar nga ana e saj në origjinal në Komunën Shënkoll në vitin 2007 kur ka qënë me punë në kadastrës së kësaj Komune dhe në këtë kohë nuk ka marrë më procesverbal asnjë dokument në këtë komunë, pasi specialisti Tom Prenga qe ka zevendesuar i ka thënë se as unë nuk e kam marrë zyrën me inventar.

Tokën që grabiti e shiti 30 mijë euro
Nikoll Tinaj i pyetur si person qe tregon rrethana hetimi ka shpjeguar se: ka në pronësi 4000 m2 tokë arë në vendin e quajtur “Hoteli Gjuetisë”, ish-sektori gjedhit dhe 2 dynym në lagjen e Shaljaneve në Komunën Shëngjin–Lezhë, asnjërën prej tokave nuk e ka rregjistruar në Hipotëkë. Këtë tokë e ka fituar në bazë të ligjit nr. 7501 (ligj për tokën). Pasi shikoi aktin e marrjes së tokës në pronëstë vitit 2002,ka shpjeguar se nuk ka dijeni se kush ja ka sjellë në shtëpi dhe cilit pjesëtar të familjes ja ka dhënë këtë akt të marrjes së tokës në pronësi në emrin tij. Nuk mban mend as vitin që kur ja kanë sjellë në shtëpi.

Në verën e vitit 2017 si muaj nuk e mban mend e ka dorëzuar në hipotekën e Lezhës aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr.9265, datë 22.04.2002 tek sporteli, nuk e mban mend se cilit person ja ka dorëzuar. Pranë hipotekës Lezhë ka dorëzuar vetëm aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr. 9265, datë 22.04.2002 në origjinal dhe nuk ka dorëzuar asnjë dokument tjetër. Në formularin e aplikimit datë 17.08.2017 ka shpjeguar se nuk është nënshkrimi i tij  dhe nuk kam dijeni se kush e ka nënshkruar. Si vend se ku ndodhet pasuria që ka fituar me aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr. 9265, date 22.04.2002 nuk ka dijeni. Nuk ka dijeni se me cilët persona kufizohet toka që ka marrë tek “Rëna e Hedhur”.

Nuk ka qënë asnjëherë tek toka që ka tek rëna e hedhur. Toka që ka tek Mali Rencit ja ka shitur shtetasit Besnik Paloka në shumën tridhjet mijë euro. Shtetasin Besnik Paloka e ka takuar rastësisht në Shëngjin, por nuk e kujton se kur e ka takuar dhe ku e ka takuar, ai i ka thënë se a ke tokë për të shitur dhe i ka thënë se kam tokë për të shitur dhe ja ka shitur tokën që kishe tek Mali Rencit pasi kanë bërë kontratën e shitjes tek një notër në Lezhë dhe nuk ka dijeni se tek cili noter.

Kaçaj: Nuk kam dhënë asnjë autorizim për firmë
Salvador Kaçaj, ka treguar në prokurori se ka punuar prane ish-komunës Shëngjin Lezhë, me detyrën kryetar i komunës Shëngjin nga data 13 qershor 2011deri më datë 15 gusht 2015. Pranë zyrës së arshivës dhe protokollit të komunës Shëngjin gjatë kohës kanë punuar shtetasit Agostin Gjini dhe Eduart Leka. Shtetasi Agostin Gjini ka punuar me detyren shef arshive dhe protokolli nga data 01.07.2011 deri me date 17.05.2012, ndërsa më pasë shtetasi Eduart Leka.

Vula e sekretarisë dhe e shkresave përcjellësë është mbajtur nga shefi arshivës shtetasi Agostin Gjini dhe më pasë nga shtetasi Eduart Leka. Nuk ka mbajtuar dhe as nuk i ka përdorur asnjërën prej dy vulave të komunës Shëngjin, pasi kjo ishte detyrë e shefit të arshivës. Detyra e shefit të arshivës të komunës Shengjin – Lezhë ka qënë mbajtja e protokollit te komunes, e vulave si dhe administrimit të dokumentave në arshivë. Nuk i ka dhënë autorizim shtetasve Agustin Gjini dhe as shtetasit Eduart Leka për të nënshkruar në asnjë shkresë përcjelëse.

Shkresën me nr. 295 prot, date 10.08.2015 me shkrimin lënda. Dokoment tokës drejtuar Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme Lezhë për shtetasin Zef Gjini dhe të protokolluar nga ish-komuna Shëngjin Lezhë si dhe të nënshkruar nga kryetari Salvador Kaçaj si dhe të vulosur me vulën komuna Shëngjin, nuk është nënshkruar nga ana e tij dhe nuk ka dijeni se nga cili person është nënshkruar

Firmosa në emër të Kaçaj, kryetari s’ishte në punë
Ndërkohë Eduart Leka, i pyetur në prokurori deklaroi se ka vazhduar punë pranë komunës Shëngjin në vitin 2011 me detyrën Inspektor i Inspektoriatit të ndërtimit ku ka punuar deri në muajin korrik të vitit 2012, më pas ka punuar me detyrën e arshivistit dhe protokollistit po në këtë komunë deri në fundin e muajit tetor të vitit 2015.Pranë zyrës së arshivës dhe protokollit të komunës Shëngjin kanë punuar shtetasit Agostin Gjini si dhe vetë ai. Vula e sekretarisë dhe e shkresave përcjellëse janë mbajtur nga shefi arshivës pra nga ana e tij. 

Shkresën me nr. 295 prot, datë 10.08.2015 me shkrimin lënda. Dokoment tokës drejtuar Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Palujtshme Lezhë për shtetasin Zef Gjini dhe të protokolluar nga ish-komuna Shëngjin Lezhë si dhe të nënshkruar nga kryetari Salvador Kaçaj si dhe të vulosur me vulën komuna Shëngjin, është nënshkruar nga ana  e tij poshtë kryetari komunës Salvador Kaçaj dhe me këtë shkresë vetëm ka dërguar dokumenta në hipotekë për rregjistrim. Këtë shkresë përcjellëse,e ka nënshkruar në emër të titullarit të komunës Shëngjin shtetasi Salvador Kaçaj, pasi atë ditë kryetari nuk ishte në punë.

Dokumentacionin e tokës ja ka sjellë shtetasi përtifues Zef Gjini me sa kujton, por sot ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk e mban mend as si fytyrë këtë shtetas. Pasi ka përpiluar shkresën përcjellëse dhe i ka bashkëlidhur dokumentacionin e sjellë nga kërkuesi e ka nënshkruar atë dhe ja ka dorëzuar në dorë shtetasit Zef Gjini për ta dërguar në hipotekë këtë veprim e ka kryer duke e rregjistruar dhe në librin e protokollit shkresën përkatëse, se çfarë ka bërë me pasë qytetari nuk kam dijeni. Librat e protokollit një pjesë i ka lënë në Komunë, ndërsa librin e protokollit të vitit 2015 e ka dorëzuar në Bashkinë Lezhë.

d.c./shqiptarja.com

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja