Në një kohë kur kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se për mazhorancën nuk ka arsye të procedohet me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Komisioni Evropiane në një përgjigje ekskluzive për Report Tv i kërkon kuvendit të adresojë pa vonesë heqjen e imunitetit të zv.Kryeministres, çështje që qëndron në sirtarët e parlamentit që prej datës 16 dhjetor.
“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të KE për Report Tv.
Pyetjes së Report Tv nëse përplasjet institucionale kanë ajo jo kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, KE kujton raportin e fundit të Brukselit.
“Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në përgjigje.
Për Brukselin reforma në drejtësi mbetet pika kyçe për ecurinë e Shqipërisë në Integrimin Europian.
Në fund, Komisioni Evropian kujdeset të sqarojë se është në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare dhe se në fillim të muajit mars do të mblidhet Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë ku do të adresohen ndër të tjera shqetësimet për reformën në drejtësi.
Përgjigja e plotë e zëdhënësit të KE për Report Tv
Si e vlerëson Komisioni Evropian këtë përplasje institucionale që buron nga rasti i Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përfshihen SPAK, Kryeministria dhe Kuvendi?
•Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
A mendoni se përballja e qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë e minon reformën në drejtësi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Shqipërinë?
•BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi. Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
A ka kjo përplasje institucionale kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
•Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze. Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
A ka pasur diskutime zyrtare në Bruksel lidhur me këtë çështje? Dhe a keni komunikuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare ose institucioneve të drejtësisë për këtë situatë?
•Institucionet e BE-së janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare. Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.

Grupi i PD ka reaguar pas qëndrimit të Komisionit Europian për rastin e Belinda Ballukut, ku bëri thirrje që Kuvendi të adresojë pa vonesa kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres. PD thotë se Kryetari i Kuvendit për 8 javë me radhë ka qenë në krye të frontit kundër drejtësisë, sipas urdhrit të Ramës.
”Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përshëndet qëndrimin e Komisionit Europian dhe shpreh mirënjohjen për nxitjen e autoriteteve shqiptare që të mos pengojnë drejtësinë.
Qëndrimi i Komisionit Europian që: “Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë PA VONESË kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, është një apel i drejtëpërdrejtë për Kryetarin e Kuvendit.
Për fat të keq, Kryetari i Kuvendit për 8 javë me radhë ka qenë në krye të frontit kundër drejtësisë, sipas urdhrit politik të Edi Ramës për ta shndërruar Kuvendin në bunker të korrupsionit qeveritar. Ripërsërisim qëndrimin tonë që sot është momenti që Kryetari i Kuvendit të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, shkruhet në deklaratën e grupit të PD.
Komente













Po te jepet OK DIREKT ta vendosi drejtesia Belinda te mori avukat t mire
PërgjigjuBE thote urgjent, Rama thote Pret puna, dy qendrime kontradiktore qe cojne menjehere ne bllokimin e procesit te integrimit.
PërgjigjuSi të zbatohet reforma në drejtësi dhe të mos zbatohet Shqipëria nuk hyn në BE me këtë zhvillim ekonomik që ka
PërgjigjuKuvendi te adresoje dhe pavarsine e gjyqesorit ndaj spakut, standartet e gjykimit
PërgjigjuE kape Sufllaqen ..... Belaaaa Ciao Bela