Ekskluzive/ Pse po fshihet vdekja në kantier e punëtorit invalid?! Kolegu: Punuam bashkë në pallat! Kompania ‘Eral’ e mohoi, burime: Punonjës i një nënkontraktori nga Elbasani

Report Tv sjell fakte dhe dëshmi ekskluzive nga vdekja e 34-vjecarit Maksim Debrova në pallatin që po rikonstruktohej në Milot. Dëshmia kyçe e kolegut të Debrovës, të cilën autoritetet ende nuk e kanë administruar si provë, hedh poshtë pretendimet e kompanisë Eral Conctruction se 34-vjeçari nuk vdiq duke punuar, pasi në dëshminë para familjarëve, ai tregon se më 25 maj, ditën e ngjarjes së rëndë, kanë qenë bashkë duke punuar në pallatin prej nga Debrova ra nga kati i pestë.

E motra e Debrovës tregon për Report Tv se një banore e pallatit i dha rrobat e pastra që vëllai kishte ndërruar dhe i kishte lënë në pallat. Rrobat e punëtorit Maksimi i kishte në trup, dhe janë pikërisht një bluzë dhe pantallona të grisura, rrobat që morgu i dorëzoi familjes pasi tërhoqën trupin.

Burime nga Inspektorati i Punës thonë për Report Tv Maksim Debrova për ta ishte punëtor që vdiq gjatë një aksidenti në punë, pasi nga dëshmitë që inspektorati ka mbledhur pasi u njoftua për ngjarjen 2 ditë me vonesë, 34-vjeçari ishte punëtor i një nënkontraktori të Eral Conctruction, një subjekt person fizik nga Elbasani.

Pavarësisht këtyre fakteve, prokurori Arben Nika kërkoi lirimin e inxhinierit të kompanisë Eral Concuctrion që u arrestua menjëherë pas ngjarjes

***

Maksim (Mark) Debrova e dashuronte punën. Nuk e konsideronte të rëndomtë si shumë të rinj shqiptarë që “llaçin e betonin” e përbuzin. Ndihej krenar për çka bënte, dhe në mungesë të fjalëve, motrës në Greqi, me të cilën kishte një raport të ngushtë, ja dëshmonte duke i nisur video të tijat teksa punonte në tarracat e pallateve, teksa ngrinte në krah materialet e ndërtimit, apo edhe teksa çante betonin. 

Maksimi 34-vjeçar as fliste dhe as dëgjonte. Me punën kishte gjetur mundësinë për t’i thënë familjes se ai mund t’ia dalë t’i ndihmojë edhe pse me aftësi të kufizuara. Jetën e kishte ndërtuar me Ergertën dhe 3 fëmijët e tyre, njërin prej të cilëve të sëmurë. Në banesë jetojnë dhe nëna e babai, gjithashtu i sëmurë. Të gjithëve po u çahet shpirti nga dhimbja.

Më 24 maj Maksimi doli si çdo mëngjes nga shtëpia për të punuar. Bashkëshortes dhe nënës u trokiti në derë lajmi se Maksimi kishte rënë nga kati i pestë i një pallati në Milot.

“Erdhën dy cuna, më thanë është vrarë Maksi! E pyeta nëse i thashë ka vdekur? Dua të di si u vra, si ra?”, tregon nëna.

Dhimbja u shtohet kur humbja e djalit të shtëpisë tenton të fshihet si një aksident i zakonshëm nga ata që kishin detyrimin t’ia garantonin ambientin e sigurt të punës Maksimit.

Kompania “Eral Conctuction” që ka fituar tenderin për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Milot, mohoi që Maksim Debrova të ishte punëtor në kantierin e tyre. Për këtë, inxhineri i kompanisë që u arrestua pas ngjarjes, dorëzoi në gjykatë listën e punëtorëve të regjistruar të “Eral”, ku nuk figuronte emri i 34-vjeçarit. Inxhinieri 55-vjeçar Mondi Turhani u la i lirë në masë sigurimi personal “detyrim paraqitje” më 27 maj, por shpirti i familjarëve të Maksimit, vijon të shtrëngojë.

“Pse nuk tregojnë të drejtën, sa herë kishin nevojë e merrnin në punë, për 20 mijë lekë të qelbëta, dua ta di pse u vra, kush ma vrau, na thonë "jo s'punoi aty, jo këtu". Unë dua të drejtën, iu bë koka copash fëmijës. Nuk ka qenë i siguruar, punonte në të zezë. Nëna do drejtësi, më iku i sakatuar djali, u fshehën të gjithë”, thotë nëna.

“Ikte në orën 06:00 të mëngjesit, vinte në 6 të darkës, e merrnin me makinë dhe e sillnin me makinë. Fëmijën e kam gjysmë njeriu, është 10-vjeç me pampers. Dua diçka që të ushqejë këto fëmijë, kompania të përgjigjet, unë kam 3 fëmijë, burri ishte invalid, nuk ikte vetë, nuk vinte vetë, ai nuk fliste dhe nuk dëgjonte, për shembull nuk i kuptonte, "ik këtu, ik atje", shkonte ku ta merrnin. E merrte ai person në telefon i thoshte "nesër ke punë, këtë javë nuk kemi”. Dua drejtësi, të dalë e vërteta, të mos e mohojnë që nuk ka qenë më punë”, tregon gruaja.

Provat që kanë në dorë autoritetet janë kundër tyre. Nuk dihet pse, por një person i quajtur Elton Kuqja, ka dhënë një dëshmi kyçe për gjykatën që liroi inxhinierin e kompanisë, dhe shkatërruese për familjen Debrova.

Elton Kuqja, dëshmia në polici:

Kam shkruar për të parë një punë në Milot më datë 24 maj. Qëllimi ka qenë për të parë një pallat, nëse do të merrja një punë për të bërë pjesën e xhoklaturës së pallatit. Jam nisur së bashku me shokun tim, Maksim Debrova, kam shkuar në Milot. Pasi kam arritur, kam parë pallatin nga afër që ishte i rrethuar me skela. Kur pashë pallatin te skelat, ndërkohë kur po shikoja pjesën e xhoklaturës, shoku im është ngjitur lart në pallat dhe në një moment të caktuar pas pak minutash vetëm kur e kam parë duke rënë nga skelat në tokë. Ditën e ngjarjes as unë as Maksimi nuk kemi qenë në punë, thjesht kemi shkuar për të parë nëse do ta merrnim punën.

Njëjtë si ai në dosje janë edhe dëshmitë e 3-4 punonjësve të tjerë të firmës “Eral” që njëzëri thonë se nuk e njohin Maksimin dhe se nuk kanë punuar kurrë me të.

Bindjen se 34-vjeçari nuk ishte punëtor në kantier dhe vdiq si një “vizitor” e ka edhe prokurori i çështjes, Arben Nika, i cili kërkoi lirimin nga qelia të inxhinierit të kompanisë “Eral” dhe hetimin e tij në gjendje të lirë me detyrimin për tu paraqitur në gjykatë.

Prokuroria Arben Nika për Report Tv: Listat e punonjësve janë në gjykatë. Nuk ka qenë punëtor i atij subjekti. Një shoku i tij thotë në dëshmi se atë ditë kishte shkuar për të marrë një punë dhe nëse do të dakordësonin do të lidhej kontrata. Çdo e dhënë tjetër është pjesë e hetimit që do të verifikohet. Janë 3 ditë hetime, janë shqyrtuar vetëm aktet e para të policisë. Janë pyetur 3-4 dëshmitarë, po pyeten edhe të tjerë, dhe hetimet vijojnë.

Policia që raporton në kohë reale çdo djegie makine si pasojë e ndonjë defekti teknik, vdekjen e Maksim Debrovës, e harroi!

Një denoncim në rrjetet sociale më 25 maj nga deputetja e PD-së, Elda Hoti, nxiti gazetarët e Report Tv të kërkojnë me ngulm se ç’kishte ndodhur në Milot.

Elda Hoti:  Nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën punëtori, M.D 34 vjec nga Elbasani, që po punonte për restaurimin e pallateve në Milot. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të mos heshtin, por të marrin masa urgjente ndaj firmës dhe autorëve përgjegjës.

Vetëm pasditen e 25 majit në orën 19:20, një ditë pas vdekjes së 34-vjeçarit, policia njoftoi gazetarët për ngjarjen.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, arrestuan në flagrancë shtetasin M.T. 56 vjeç, banues në Tiranë, me profesion inxhinier ndërtimi tek një firme ndërtimi. Arrestimi i tij u bë pasi, në objektin të cilin e kishte marrë përsipër firma për punimet e fasadës së jashtme, në qendër të Milotit, duke punuar, ka rënë nga taraca e objektit dhe ka humbur jetën, i punësuari, shtetasi M.D. 34 vjeç, banues në Elbasan. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme për vepren penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".

Pra, në njoftimin e formuluar një ditë pas ngjarjes, me gjithë kohën e mjaftueshme të mbledhjes së ndonjë dëshmie të nevojshme për të zbardhur të vërtetën, policia raportoi për vdekjen e një punëtori si pasojë e shkeljes së rregullave në punë!

Edhe në këtë rast, prokurori na kërkon të jemi të kujdesshëm: Një njoftim paraprak (një ditë me vonesë) i policisë, nuk është provë se Maksimi vdiq duke punuar në pallat.

Prokurori Arben Nika për Report Tv: Mos ju referoni fare njoftimit të policisë, se ajo është një komunikatë që e bën policia.

Por pikërisht ky kujdes i prokurorisë për të mos nxituar duke e konsideruar ngjarjen aksident në punë, e ka bërë familjen të vrapojë për drejtësi!

Mirjan Prengu është ulur në shtëpinë e tyre. Nuk është mysafir i zakonshëm. Në dorë ka shpresën e familjes Debrova për drejtësi.

Mirjan Prengu: Atë ditë në punë isha me Maksin, ishim 4 veta, unë, Mond Elezi, Maksimi dhe Nipi i Landit. Deri në 13.30 ka qenë në punë me mua, ka qenë o burr në punë si... Hëngrëm bukë në drekë dhe u ndamë. Unë ika me Mondin, Maksi me nipin e Landit.

Mirjani nuk figuron në dëshmitë e punëtorëve të tjerë që policia dhe hetuesit kanë administruar deri më tani. Të vërtetën ia ka thënë se në sy gruas dhe nënës së Maksimit, se ditën kur ai ndërroi jetë, ishte në punë me ta në të njëjtin pallat që kompania thotë se më 24 maj i “kishte vënë drynin” dhe nuk po punonte askush.

Motra, e cila me mallin e emigrantes larg familjes nuk humbiste asnjë ditë pa folur me Maksimin, ka në duar të tjera prova, të cilat në i vë në dispozicion me të vetmin qëllim: Të qetësojë shpirtin e nënës së brengosur që nuk kupton përse humbja e djalit po i kthehet në një tragjedi të dytë. 

Olta Veshanaku, Motra për Report Tv: Kur kemi shkuar në vendin ku vdiq vëllai 2 ditë më vonë, një grua, banore e pallatit, me dha në një qese, rrobat e vëllait tim që kishin mbetur në pallat. Janë rroba të pastra xhinse dhe një bluzë e bardhë me të cilat vëllai doli nga shtëpia më 24 maj. Rrobat banorja i kishte gjetur të palosura në pallatin që po rikonstruktohet. 

Kur morëm trupin e vëllait në morg, morgu kishte futur në qese rrobat që vëllai mbante veshur në momentin që ka rënë nga pallati. Janë rroba pune, të grisura, të cilat vëllai i vishte kur niste punën në ndërtim. 

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe disa materiale pune, katrama, kasketë, e doreza të cilave do u bëhet ekspertiza krahasimore me ADN e gjakut të Maksimit nëse janë të tijat apo jo.

Banorët e zonës kërkojnë që institucionet të ushtrojnë kontrolle ndaj firmave të ndërtimit për kushtet e punës dhe të pasiguruarit.

Banor

"Ndodhin për arsye se sipërmarrësit kanë afat për të përfunduar punimet. Punëtorët të ndryshëm i marrin rrugëve shurdh memec për të kry detyrën kështu ndodhin rreziqet. Qeveria duhet të kryejë kontrolle se punëtori ka dhënë shpirt në krye të detyrës".

Burime nga Inspektorati i Punës thotë se janë njoftuar për ngjarjen 2 ditë me vonesë. Inspektorati ka nisur verifikimet dhe nga sa mësojmë, nga dëshmitë e mbledhura deri më tani, Maksimi sipas tyre ishte punëtor dhe ka qenë duke bërë një proces pune në palllat. Sipas të njëjtave burimeve, në punë e kishte marrë një nënkontraktor i “Eral Conctuctrion”, subjekt fizik nga Elbasani.

Për të hyrë në një kantier, edhe si vizitor ka procedurë dhe standarde ku specifikohet qëllimi i vizitës pse je në atë kantier dhe gjithmonë në cdo rast, shoqërimi bëhet nga përfaqësues të kompanisë.

Me gjithë misterin e kësaj ngjarje, "Eral Construction" po vijon punën për rikonstruksionin e pallatit  të dëmtuar nga tërmeti në Milot. Bashkia e Kurbinit ka lidhur kontratë me bashkimin e kompanive “Eral Construction Company” shpk - “2 T” shpk - “BE-IS sh.p.k”, të cilat kanë fituar tenderin me vlerë me vlerë 2.9 milionë euro./Shqiptarja.com

 

SI.E./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 02/06/2022 11:20

    Futini ne burg legenat, nga pronari i kompanise i pari, dhe ti jepet nje demshperblim i majme familjes te te ndjerit. Edhe jeta e qenve vlen me shume ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Iris: 02/06/2022 03:07

    Te gjithe ata qe jane pyetur dhe e kane mohuar qe viktima punonte aty,kuptohet pse jane pergjigjur ashtu.Sa per prokurorin,me duket pak si e cuditshme qe eshte mjaftuar vetem me listen zyrtare te punonjesve qe ka paraqitur kompania.Ne disa prej deklaratave faktohet qe viktima ka punuar aty,kurse ne deklarata te tjera thuhet se punonte ne te zeze.

    Përgjigju
    • Spak veting shhhhhh: 02/06/2022 09:32

      Shhhhh se do zgjini spakun ose vetingun, mos shkruani per prokurore e gjykates. Nese i ndjeri punonte aty per pasion nuk eshte faji i punedhenesit ose i inxhinierit por i viktimes qe punonte per qef edhe pa deklaruar edhe pa rroge edhe pa kerkesa. As bangladeshasit nuk vijne ketu!

  • Realisti: 01/06/2022 22:56

    Eshte shume e thjeshte.kjo ndodh shpesh ne Shqiperi sepse me shume perfiton shteti duke i ven nje gjobe te majme kompanise sesa familja e te ndjerit. Per sa kohe gjoba qe i paguan shtetit eshte me e larte se demshperblimi i familjareve do egzistoj rryshfeti dhe mbyllja e hetimeve duke ha ven fajin te ndjerit.

    Përgjigju
    • Kola: 02/06/2022 03:03

      Mese e drejte. Nese do kishte ndodhur ne Gjermani ose Kanada, opinioni publik do ishte neper sheshe dhe qeveria ishte mbajtur ne llogaridhenie. Fatkeqesisht jetojme ne dumbaben e Ramushit.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër