Pas muajsh përplasje politike, mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësi për një rezolutë të përbashkët mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dokument që pritet të miratohet në seancën plenare të së enjtes.
Dokumenti e cilëson integrimin evropian objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit.
Një nga pikat kyçe të rezolutës është angazhimi reciprok mes mazhorancës dhe opozitës për pjesëmarrje të plotë në jetën parlamentare dhe forcim të dialogut politik, një sinjal që synon të përcillet edhe te partnerët evropianë.
“Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.”
Rezoluta kërkon gjithashtu përshpejtimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, mbështetje për institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe garantimin e lirisë së medias.
Qeverisë i kërkohet raportim periodik për negociatat, përshpejtim i reformave në grupkapitullin e parë “Themelorët”, transparencë në prokurimet publike dhe përfshirje më e gjerë e opozitës dhe shoqërisë civile në vendimmarrje.
Miratimi i kësaj rezolute vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, teksa Shqipëria pret edhe vlerësimin për raportin IBAR, i konsideruar si një nga hapat përcaktues në ecurinë e negociatave me Brukselin.
Rezoluta përkon edhe me amendamentet e bëra nga opozita një ditë më parë gjatë dëgjesës në Komisionin për Integrimin, ku kërkohej forcimi i kontrollit parlamentar dhe pjesëmarrja e plotë e opozitës, pas akuzave të kësaj të fundit se po përjashtohet.
1. Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.
2. Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.
3. Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
4. Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.
5. Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.
6. Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.
7. Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.
Rezoluta përkon edhe me amendamentet e bëra nga opozita një ditë më parë gjatë dëgjesës në Komisionin për Integrimin, ku kërkohej forcimi i kontrollit parlamentar dhe pjesëmarrja e plotë e opozitës, pas akuzave të kësaj të fundit se po përjashtohet.
Në seancën e kaluar në Kuvend, opozita kërkoi që të diskutohej raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për ecurinë e Shqipërisë drejt Integrimit, por u refuzua nga mazhoranca. Kjo e fundit tha se diskutimi mund të zhvillohej në seancën pasardhëse.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











