PRIZREN- Anëtari i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Haziz Hodaj ka propozuar ngritjen e një memoriali përkujtimor që nderon solidaritetin e Kukësit, gjatë Eksodit të vitit 1999.

Nisma i është drejtuar kryetarit të komunës, Shaqir Totaj, dhe Kuvendit Komunal, duke theksuar detyrimin moral ndaj Kukësit si streha e qindra mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Sipas Hodajt, Prizreni duhet të institucionalizojë këtë kujtesë historike.

Ai rikujtoi edhe deklaratën e ish-kryeministrit Pandeli Majko: “Po të mos ishte Kukësi, nuk e di se çka do të bënim.”

Nisma parashikon ngritjen e një monumenti përkujtimor në Prizren, me tematikë solidaritetin e Kukësit gjatë eksodit të vitit 1999, ndërsa forma konkrete e memorialit, obelisk apo instalacion tjetër, ende nuk është përcaktuar. Po ashtu, propozohet organizimi i një manifestimi vjetor kulturo-historik dhe krijimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Prizrenit dhe Kukësit.

Gjatë luftës 1998–1999, rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa Kukësi u kthye në një nga qendrat kryesore të pritjes, duke u bere shembull I solidaritetit ndermjet shqiptareve.