Zoti Filipi, kush është, sipas jush, arsya e kësaj mase nga qeveria: synimi për të ulur deficitin buxhetor, mungesa e të ardhurave sipas parashikimit apo fakti që nuk jemi në një "vit elektoral"?
Lajmi për rishikim buxhetor është bërë tashmë i zakonshëm që prej vitit 2010. Nga pikëpamja e qëndrueshmërisë fiskale, edhe viti 2009 do ta kishte të nevojshëm një rishikim të tillë, paçka se ju drejtuam borxheve për të amortizuar (fshehur!) rënien e ritmeve të parashikuara të rritjes dhe deficitin më të lartë buxhetor të regjistruar në dekadën e fundit. Në fakt, është pikërisht ky moment kur rikthehet niveli i borxhit publik mbi kufirin e 60% të PBB-së, kësaj here në momentin më të pafavorshëm historik për botën mbarë.
Në pikëpamjen e arsyetimit të qëndrueshmërisë fiskale, janë njësoj të vlefshëm, si argumenti për të synuar uljen e deficitit buxhetor, ashtu dhe ai i mungesës së të ardhurave sipas parashikimit. Të dyja këto nënkuptojnë të njëjtin shkak: planifikim i pasaktë fiskal. Lidhur me argumentin mbi "vitin elektoral", mendoj se ishte pikërisht presioni politik, i cili detyroi autoritetet financiare të parashikojnë një rritje të pamundur ekonomike prej 4.3% për vitin 2012. Ndonëse të tërë institucionet ndërkombëtare ishin shprehur qartë - dhe në kohën e duhur për t'u reflektuar në hartimin e buxhetit - që Shqipëria do të shënonte rritjen vjetore ekonomike më modeste që prej ardhjes së krizës globale. Gjithashtu, një sërë aktorësh mediatikë dhe ekspertësh lokalë kishin tërhequr vëmendjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve negative, tërësisht të pritshme.
Sipas burimeve tona, qeveria do të shkurtojë më shumë shpenzimet kapitale, duke kufizuar apo vonuar realizimin e projekteve në infrastrukturë. Më pak shkurtime parashikohet të bëhen në arsim apo shëndetësi. Çfare pasojash mund të kishte një korrigjim i tillë?
Në kushtet e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe në këndvështrimin e garës rajonale për zhvillim, Shqipëria vazhdon të renditet "e fundit e klasës" për nga të ardhurat për frymë. Rrjedhimisht, kudo që të shkurtohen shpenzimet buxhetore, ato mund të sjellin vetëm ndikime negative. Gjithsesi, nisur nga shkurtimet e viteve të shkuara, ku sektorë që pësuan rënie të investimeve si bujqësia dhe arsimi janë sektorë me ndikim më afatmesëm ndaj burimeve apo motorrëve të rritjes ekonomike të vendit, informacioni i prekjes së shpenzimeve kapitale vjen si një risi në tashmë traditën e shkurtimeve buxhetore. Në këtë kontekst, vlen të theksohen dy aspekte. Së pari, ndonëse në mënyrë të fshehur, shpenzimet kapitale janë prekur nga "gërshërët", duke mos respektuar detyrimet kontraktore të qeverisë ndaj të tenderuarve për të kryer investimet publike. Sipas FMN-së, bëhet fjalë për shifra të rendit rreth 1% të PBB-së. Së dyti, ndodhemi përpara një viti elektoral kyç, çka nënkupton se, megjithë favorizimin në dukje të sektorëve afatmesëm të sipërpërmendur duke mos "i futur gërshërët" në 6-mujorin e dytë të këtij viti, është e qartë që investimet në këta sektorë në vitin e ardhshëm nuk priten të jenë aspak optimiste. Padyshim që shpenzimet kapitale në 2013-ën pritet të zenë peshë më të madhe në totalin e shpenzimeve, kështu që, më shumë se sa favorizim strategjik i bujqësisë apo arsimit, si sektorë më të qëndrueshëm në synimin të nxitjes së rritjes ekonomike dhe të konkurueshmërisë rajonale të vendit, informacioni i siguruar nga burimi juaj tingëllon si një manovër taktike shumë afatshkurtër.
Nuk duket se kohët e fundit shpenzimet operative kanë ardhur në rritje, mbi objektivat, ndërkohë që investimet janë mbajtur, si të thuash, "me shiringa"?
Sa i përket nivelit të shpenzimeve kapitale, këto kanë qenë në nivele të kënaqshme deri në vitin e "gropës fiskale", pra 2009-tën dhe kanë ardhur në rënie në vitet e fundit. Ritmet e larta të shpenzimeve kapitale janë shoqëruar me debate të ashpra lidhur me efektivitetin e investimeve të kryera me to, por dhe me tërheqje vërejtjeje nga institucionet financiare ndërkombëtare mbi peshën e borxhit që u imponua mbi vitet në vijim të ekonomisë vendase. Për këtë madje, FMN-ja u shpreh hapur, duke kërkuar përcaktimin e më pas zbatimin e një rregulli fiskal strikt që të ngurtësonte nivelin e borxhit ose të shpenzimeve në mënyrë që të evitoheshin luhatjet e stimuluara ciklike.
(sg/shqiptarja.com)