Eksperti: Si regjistrohet prona kur ka mungesë dokumentacioni

Eksperti: Si regjistrohet prona kur ka mungesë dokumentacioni

Eksperti Gjergji Begaj në Report Tv

Si çdo javë eksperti i çështjeve të pronave Gjergj Begaj ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e ndryshme, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli.

Në këtë emision eksperti Begaj ka sqaruar fillimisht procedurat që duhet të kenë parasysh qytetarët kur lidhin një kontratë noteriale për çështjet pronësie. Më pas ai u është përgjigjur telefonatave të qytetarëve në Report TV, ku disa prej tyre kishin të bënin me problemet që kanë qytetarët për të regjistruar pronën e tyre pasi kanë mungesë dokumentacioni. Eksperti Begaj ka sqaruar rast pas rasti se si zgjidhet këto problematika.

Do të flasim për aktet noteriale, për sa i përket çështjeve të pronësisë, për sa i përket lidhjeve të kontratave, por jo vetëm.

Me të drejtë ju e ngrini këtë problem sepse ky vjen nga shqetësimi i qytetarëve. Në studion tonë ne japim shpjegime për shumë probleme dhe kemi hasur në shqetësimin e klientëve dhe të shumë qytetarëve për sa i përket lidhjes së kontratave pranë zyrave noteriale për çështjet pronësive. Qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në marrjen e dokumenteve dhe në zgjedhjen e studiove ligjore ku i hartojnë dokumentet sepse në shumë raste jemi ndeshur me falsifikimeve të akteve të trashëgimisë ose të testamenteve. Kemi parë e dëgjuar edhe në media që në një pjesë të madhe janë përpiluar akte të falsifikuara noteriale, të cilat hapin probleme të mëdha jo vetëm në familje, por edhe më gjerë, përfundojnë deri në dyert e gjykatave. Kështu që, për të mos ndodhur këto probleme, qytetarët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm.

Edhe ligji është përmirësuar dhe u vjen në ndihmë noterëve. Në rastet kur kemi të bëjmë me toka bujqësore, qytetarët dhe noterët duhet të bashkëpunojnë me studiot topografike që të bëhen matjet faktike në terren të pronave, pavarësisht se mund të kenë një kartelë pronësie apo hartë treguese, por duhet vërtetuar edhe një herë në terren përpara se të firmoset kontrata në noteri. Kemi pasur raste kur është blerë prona në një vend dhe është gjetur në një vend tjetër, d.m.th. është spostuar. Ky është gabim hartografik, por ndoshta edhe i mbarsur nga institucionet, sepse noterët nuk kanë të drejtën ta vërtetojnë pronën në terren. Pra, veprimi i duhur dhe më i miri është që të merren masat më përpara se të bëhen veprimet te noteri, në mënyrë që qytetarët të jenë të qetë dhe të mos përfundojnë pastaj në dyert e gjykatave.

Flas nga Elbasani. Kam marrë shtëpinë e re dhe e kam rregulluar me të gjitha. Kam marrë lejen. Kam paguar lekët. Dolën listat dhe emri im nuk ishte. Kur shkova të pyesja më thanë që emri të ka dalë, duhet të shkosh në Tiranë për të marrë tapinë. Nuk e kuptoj.

Qytetari e ka marrë lejen e legalizimit. Ardhja në Tiranë është për VKM-në për shpronësimin, për çështjen e truallit. ALUIZNI këtë procedurë ka për çështjen e truallit. VKM-të nuk firmosen nëpër rrethe, por vetëm në Tiranë. Pra, qytetarit duhet t’i dalë VKM-ja për truallin dhe pastaj ai bëhet pronar përfundimisht. Është thjesht çështje kohe. VKM-ja firmoset në Kryeministri dhe pastaj i dërgohet zyrave të ALUIZNIT në Elbasan. Ata njoftojnë qytetarin në kontaktet që ai ka lënë në dokumentet e tij. Pastaj ALUIZNI vazhdon procedurat me hipotekën e Elbasanit për pajisjen e qytetarit me certifikatën e pronësisë. Qytetari të rrijë i qetë dhe të presë.

Kam dorëzuar të gjithë dokumentacionin e duhur në zyrën e regjistrimit dhe tani më ka ardhur një shkresë nga hipoteka dhe më kërkojnë mandatin e pagesës me bankën. Dokumentacioni ka shkuar nga zyrat e ALUIZNIT. i kam bërë të gjitha pagesat e duhura. Edhe ato që më ka kërkuar zyra e hipotekës. Tani më kërkojnë mandatin origjinal të pagesës në bankë. Unë i kam bërë të gjitha pagesat që më janë kërkuar edhe me bono edhe me lekë. Kam paguar edhe tarifën prej 120.000 lekësh të vjetra në hipotekë. Para tri ditësh më vjen kjo shkresë nga hipoteka.

Ekziston një marrëveshje e ALUIZNIT me Hipotekën, që aplikimin fillestar qytetari e bën te zyrat e ALUIZNIT. Pra, dosjen me dokumentet e duhura e depoziton tek ALUIZNI, pastaj ALUIZNI e dërgon në hipotekë për regjistrim. Njoftohet edhe qytetari që të shkojë për të bërë regjistrimin e lejes, ku paguhet vlera në 120.000 lekë të vjetra, me të cilën bëhet regjistrimi i lejes. Por, ndoshta, në dosjen që ka kaluar, nuk ndodhet dokumenti origjinal i mandatit të pagesës, por fotokopja e tij. Në këtë rast kemi të bëjmë me një regjistrim fillestar të pronës dhe normalisht duhet që të gjitha dokumentet e paraqitura në dosje, të jenë origjinale.

Banka lëshon dy mandate, njërin e mban qytetari dhe tjetrin e mban institucioni. Me të drejtë hipoteka kërkon dokumentin origjinal. Kjo është një çështje e zgjidhshme sepse edhe nëse qytetari nuk e ka dokumentin origjinal, me fotokopjen e tij shkon në bankën përkatëse ku ka derdhur lekët dhe atje tërheq një mandat tjetër origjinal. Kështu, zotëria në fjalë, nëse nuk e ka mandatin origjinal, duhet t’i drejtohet bankës me fotokopjen e mandatit dhe të pajiset me një kopje të mandatit origjinal për të vijuar më tej me procedurat.

Flas nga Durrësi. Kemi një pronë dhe nuk na lejohet të bëjmë ndërtim, asnjë lloj punimi, ndërkohë persona të tjerë afër nesh kanë bërë edhe punime edhe ndërtime. i jemi drejtuar bashkisë për t’u pajisur me leje dhe kemi marrë përgjigje negative. Nuk na lejojnë të bëjmë asnjë lloj punimi, nuk na marrin asnjë lloj takse. Pronën e kemi që nga viti 2004. Nuk dimë se si të veprojmë.

Zonja dhe të gjithë qytetarët e tjerë duhet ta dinë që, përpara se të jenë pronarë me certifikatë të një prone, pronari më i madh është shteti, që do të thotë, në qoftë se bashkia ka plane madhore për zhvillimin e infrastrukturës apo të një plani tjetër, ju ndalon që ju të pajiseni me leje ndërtimi. Në qoftë se bashkia ka një plan strategjik për të ndërtuar një lulishte, një rrugë apo çdo lloj plani që ka lidhje me shtetin. Në rastin konkret, zonja duhet t’i bëjë një shkresë zyrtare Bashkisë së Durrësit. Së bashku me kërkesën për t’u pajisur me leje, duhet të dorëzojë edhe një plan rilevimi dhe hartën e pronës, në zyrat e Urbanistikës në bashki.

Edhe përgjigjen duhet ta marrë po me shkresë zyrtare, me firmë dhe me vulë, dhe jo përgjigje me gojë. Refuzimi nga bashkia për t’u pajisur zonja me leje, duhet të jetë i argumentuar. Për këtë arsye duhet të veprohet me shkresë zyrtare, ku të jetë shënuar edhe arsyeja e mos pajisjes së zonjës me leje nga Bashkia e Durrësit. Nëse përgjigja e bashkisë është që ajo ka një plan zhvillimi dhe pronari nuk duhet të ndërtojë, atëherë zonja duhet të vazhdojë interesimin e saj për shpërblimin që i takon në këtë rast.

Na shkruan një zotëri, i cili quhet Jetnor, në linkun tonë shqiptarja.com: “Dua të pyes ekspertin, në qoftë se është në dijeni. Kam marrë një truall, me vendim gjykate, që në vitin 1995. Atje janë disa kushërinj të mi, mirëpo ata nuk janë interesuar dhe dua të di a ekziston ligji pas 20 vitesh, që toka i takon automatikisht atij që e punon?”.

Unë i garantoj Jetnorit që ai ligj ekziston vetëm për banesat, për objektet. Për sa i përket truallit, ai mund të qëndrojë edhe me qindra vite i paprekur, dhe nuk ka të drejtë njeri ta tjetërsojë, përveç shtetit që mund ta marrë në kujdestari, kur personi ka vdekur ose nuk ka të dhëna fare për të. Në rastin kur trualli ka një certifikatë pronësie, se po marrim rastin kur mbi këtë truall mund të ndërtohet një pallat, pronari mund të ndërtojë një pallat dhe të përfitojë shumë hyrje. Ndërsa kur bëhet fjalë për banesat, normalisht kur personi banon në një banesë prej shumë vitesh dhe për këtë banesë nuk interesohet askush tjetër, ligji i jep të drejtën parashikuese për ta përfituar këtë banesë. Në këtë rast, ligji është kategorikisht i qartë, që nuk i jep të drejtën asnjë njeriu që të tjetërsojë tokën. Edhe në një shtet tjetër sikur të blesh tokë, ajo nuk të preket.

Flas nga Gjermania. Kam një shtëpi në Shkodër, që nga viti 1989. Shkova për të bërë dokumentet në hipotekë dhe më kërkuan vërtetimin e shtëpisë. Vërtetimin s’kam ku ta marr se më janë djegur dokumentet e shtëpisë në gjykatë, në vitin 1997. Çfarë duhet të bëj tani, të hap gjyq të ri?

Meqë arkivi është djegur në vitin 1997, zotëria duhet t’i drejtohet Arkivit Teknik të Shkodrës. Zotëria në këtë arkiv duhet të mbledhë azhurnimet e fundit, që janë bërë në vitin 1993. Duhet të marrë një dokument hartografik dhe normalisht me vete duhet të ketë edhe librezat e ujit dhe të energjisë elektrike me vete. Atij i janë djegur dokumentet e shtëpisë dhe jo ato të mbajtjes së shtëpisë. Pastaj ai duhet të hapë një proces gjyqësor. Por, para procesit gjyqësor, zotëria duhej t’i ishte drejtuar edhe një herë legalizimit sepse ndoshta mund ta merrte përsipër edhe legalizimi, për ta legalizuar këtë shtëpi.

E rëndësishme është që qeveria po ndërmerr një hap për të gjitha këto shtëpi që kanë mbetur pa u legalizuar, që mund të bëhet proces i përfshirjes së dy institucioneve, ALUIZNIT dhe hipotekës, për të shkurtuar procedurat ose për t’i thjeshtuar dhe ndoshta mund t’i marrin zyrat e legalizimit përsipër, ndoshta të dy institucionet, dhe të vazhdojnë të nxjerrin udhëzimet e reja dhe zotëria të jetë i qetë se nuk do të jetë më nevoja që të bëjë aplikime dhe sorollatje për të gjetur dokumentet dhe të mos i drejtohet gjykatës ku ecuria e procesit është e gjatë dhe e kushtueshme. Janë duke u riparë, ndoshta edhe brenda këtij viti, të gjitha këto ndërtime që janë bërë dhe kanë mbetur pa u regjistruar. Regjistrimi do të vazhdojë brenda këtyre dy institucioneve që përmenda më lart. Se si do të jenë praktikat e zhvillimit, duhet të presim udhëzimet që do të nxjerrë qeveria.

* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dhurata: 06/01/2020 17:14

    Burri im jane kater vellezer dhe kane ndertuar dy shtepija dykateshe qe jane legalizuar te gjitha ne emrin e babait te tyre qe i ka ndare cdo djale ka nje kat si mundet cdo njeri prej tyre te nxjerri pronesi vetem per katin e vet faleminderi ju lutem pres keshillat e juaja

    Përgjigju
  • Shpresa Allkanjari: 06/08/2018 17:41

    Une bashke me dy motrat e mija kemi ne pronesi nje shtepi,ne qytetin e Durresit.Dy motrat duan te me dhurojne mua pjesen e tyre.Keshtu shtepia me kalon mua ne pronesi.Disponojme gjithe dokumentacionin e rregullt per kete shtepi,perfshire dhe dokumentin e rivleresimit te shtepise.Atehere kam dy pyetje: 1. Sa shkojne ne total pagesat ne leke derisa une te kem ne dore certifikaten e pronesise ne emrin tim? 2. Kjo certifikate me vjen e shoqeruar me dokumentin ekzistues, te bere me pare,nga ne tre motrat,te rivleresimit te shtepise? Jam ne pritje te nje pergjigjeje. Faleminderit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen