Ekspozita-Muzeu Castromediano/ Dorian Koçi: Portreti i rrallë i Skënderbeut dhe vazoja e Kastriotëve në Leçe

Ekspozita-Muzeu Castromediano/ Dorian Koçi: Portreti i rrallë i Skënderbeut dhe vazoja e Kastriotëve në Leçe

Ekspozita në Muzeun e Castromediano

Shtatëmbëdhjetë artefakte nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, që lidhen me periudhën e Skënderbeut, si dhe artefakte e dorëshkrime të panjohura nga shqiptarët të mbledhura nga muzetë italianë, janë ekspozuar në Muzeun Castromediano në Leçe.

Ekspozita “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia” (“Skënderbeu. Një hero shqiptar në Puglia” u çel më 20 dhjetor në bashkëpunim me Polo Biblio-Museale të Provincës së Leçes, Muzeun Castromediano në Leçe dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe do të mbyllet më 3 shkurt 2019.  

Muzeu Historik Kombëtar u paraqit me objekte dhe libra kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar, si me riprodhimin e Përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, por edhe armë të asaj periudhe. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi u shpreh se: “Kjo ekspozitë erdhi si fryt i marrëveshjes ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar, Museo Civico di Bari dhe Polo Bibliomuseale të Rajonit të Pulias nën kujdesin e Fondacionit Gramsci në Pulia.” Sipas dretorit të MHK-së, Koçi, ekspozita u çel me qëllim që të fillohet promovimi i përbashkët i njohurive të iniciativave historike nëpërmjet përgatitjes së ekspozitave dhe promovimin e projekteve kërkimore, duke e imagjinuar Adriatikun jugor si një distrikt të vërtetë kulturor, në të cilin integrohen ndërmarrjet e nismave të përbashkëta të pranishme në territore të ndryshme, duke marrë pjesë së bashku me thirrjet evropiane.

Dorian Koçi gjatë një interviste për “Shqiptarja.com e konsideroi ekspozitën  “Scanderbeg. Un eroe albanese in Puglia” si një mundësi të çmuar për të reflektuar mbi marrëdhëniet historike që Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka pasur me rajonin e Pulias dhe dokumentet unike që janë mbledhur nga pala italiane për këtë ekspozitë. “Këto na japin fakte të rëndësishme historikë për periudhën e Mesjetës.”, deklaroi Koçi, i cili rrëfen për “Shqiptarja.com” për artefaktet më të rralla të kulturës dhe historisë shqiptare, të para këto me syrin e një studiuesi, që gjenden në territoret e vendit fqinj, Italisë.

Zoti Koçi, ju sapo jeni kthyer nga Italia, ku ishit jo vetëm organizator, por edhe i pranishëm në ekspozitën “Skënderbeu. Një hero shqiptar në Puglia”. Cila ishte përmbajtja e kësaj ekspozite?
-Ishte një ekspozitë e inicuar nga Muzeu Castromediano n i Leçes që është muzeu më i madh ne rajonin e Pulias, nga Muzeu Historik Kombëtar, nga biblioteka e Lecies, si dhe disa partnerë të tjerë të rëndësishëm, por edhe  me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës Shqiptare në Romë, si dhe fondacioni “Antonio Gramshi”, dega e Pulias; të cilët morën përsipër në rastin e 550 vjetorit të festimeve të Skënderbeut të bëhej e mundur që edhe në Puglia në krahinën që heroi ynë kombëtar ka pasur lidhjet të drejtpërdrejta, të kishte një ekspozitë dedikuar kësaj figure të humanizimit europian.

Ekspozita përbëhej nga 17 objekte të Muzeut Historik Kombëtar, disa libra dhe disa riprodhime të heshtave dhe të objekteve të vjetra të përdorura në kohën e Skënderbeut, përfshirë këtu përkrenaren dhe shpatën, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme  në artin pamor siç ishte edhe një portret i Skënderbeut i marrë nga biblioteka ambroziane në Milano. Ky portret i rrallë ishte dhe afisha kryesore e aktivitetit, por ishin edhe disa skica të pasardhësve të Skënderbeut, si dhe një vazo e cila ishte e periudhës skënderbejane dhe ishte përdorur nga disa parsardhës të Skënderbeut. Po kështu nj nga pasardhësit e Skënderbeut, Aleksandro Kastriota kishte dhënë disa botime të rralla të Barletit dhe të autorëve të tjerë që përfshinin këtë periudhë. Në mënyrë të kompletuar u bë edhe transmetimi i filmit “Skënderbeu” që plotësoi edhe dekorin e kohës, e veçanta e kësaj ekspozite ishte se u hartua në një kohë shumë të shkurtër, u ideua në fund të korrikut kur hodhën bazat e bashkëpunimit ët dy muzeumeve dhe u përgatit deri në dhjetor dhe pati një interesim të madh nga pala italiane dhe padyshim nga komuniteti shqiptar që jeton në Leçe. Këtu mori pjesë sekretarja e  shtetit italian për zhvillimet kulturore, drejtori rajonal i kulturës për krahinën  e Leçes, ambasadorja shqiptare në Romë, përfaqësues nga Ministria e kulturës dhe konsujt shqiptarë Ardian Hasa  dhe Ilirian Zhupa.

Përse ka një interes të lartë, edhe nga palët italiane, për rilindjen e figurës së Skënderbeut, sepse në Shqipëri dihet që për arsye të faktorëve historikë pritet një rilindje e figurës dhe e  imazhit të Skënderbeut?
-Në radhë të parë Skënderbeu, sa është një hero që iu përket shqiptarëve është dhe një hero i humanizimit europian dhe si një i tillë ai është njohur që në fillimet e aktivitetit të tij politik, ku ishte kryezot i Krujës e dhe i viseve të Arbërit dhe po kështu ai ka marrë pjesë në zhvillimet politike dhe kulturore që ndodhën në Pulia  në vitet 1460-1462.
Së dyti, figura e Skënderbeut vazhdon të mbetet në funksion të idealit që ai pati edhe vlerësimi i mëvonshëm i kësaj figure, i cili ishte një ideal i arritjes së një lirie dhe një bashkimi midis Lindjes deh Perëndimit dhe padyshim në kuadër edhe të mbrojtjes së humanizimit europian , i cili në atë kohë kërcënohej nga perandoria otomane. Besoj se këto tre faktorë vazhdojnë të mbeten shumë të rëndësishëm dhe në rrënjët e një kulture europiane dhe mesdhetare, e cila e vazhdon të ndjell dhe të ketë interes, jo vetëm në shekujt që pasuan Skënderbeun, por edhe në ditët tona. Dhe ky trinom i rëndësishëm vazhdon të ketë një lloj përqasjeje dhe një lloj ndjeshmërie tjetër, mund të pa frikë se në Pulia emri i Skënderbeut dhe i pranisë së komunitetit arbëresh është pothuajse në çdo rrugë, në çdo kishë, në çdo muze, në çdo arkivë, çka me të vërtetë është një mundësi më tepër, ose më saktë një potencial shumë i madh për marrëveshje mes Shqipërisë dhe Pulias, aq më tepër që ekzistonte dhe një marrëveshje shtetërore e nënshkruar nga kryeministri, zoti Edi Rama dhe presidenti i Provincës së Pulias.

Nga cilat koleksione u morën artefaktet e ekspozitës?
-Artefaktet e ekspozitës u morën nga koleksioni që ne kemi në Muzeun Historik Kombëtar në pavijonin tonë të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, disa libra origjinal që ne i kemi të kësaj periudhe, pjesë e fondit historik të muzeut, dy-tre shpata origjinale që i përkasin asaj epoke, disa riprodhime të rëndësishme të armëve që gjenden  në Muzuen Historik Kombëtar, disa heshta ose më saktë dhe riprodhimi të  armëve të Skënderbeut që gjenden në Muzeun Historik Kombëtar. Të merreshin armët origjinale nga Vjena duhej një procedurë e gjatë. Emisionet e të pranishmëve. Aty kishte një kombinim shumë të mirë të artefakteve shqiptare, me artefakte që gjendeshin në bibliotekat e muzeumet  italiane dhe ishte rasti të përshëndesim stafin e  Muzeut Castromediano për bashkëpunimin dhe nëpërmjet informacionit që kemi për ekzistencën e këtyre artefakteve në muze të tjerë të Italisë, bëmë të mundur që ato të ishin të pranishme në këtë ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më datën 3 shkurt 2019.

Cilat ishin artefaktet më të rëndësishme që ju ranë në sy ju veçanërisht si studiues?
-Mua si studiues më ra në sy një nga artefaktet më të rëndësishme të kësaj ekspozite që ishte një portret i rrallë i Skënderbeut. Ne jemi mësuar të shikojmë  portretin e njohur të Skënderbeut që është në galerinë Ufici në Firence, por është edhe një portret tjetër i Skënderbeut, i cili i ngjante origjinalit, dhe që u mor nga Biblioteka ambroziane e Milanos. Ky portret ishte vendosur edhe në posterin e ekspozitës.

Cili është autori i këtij portreti, kur daton?
-Autori është Antonio Maria Crespi dhe mendohet të jetë një portret i bërë mes viteve 1613-1621. Ekspozita kishte edhe disa skica origjinale të Skënderbeut, që ishin punuar dhe ishin pjesë e ekspozitës si dhe një vazo, e cila mbante një stemë të Kastriotëve,  e cila edhe ajo vinte nga një muze i Pulias. Në këtë kontekst, kjo ndërthurje midis këtyre objekteve si dhe e areduar dhe ilustruar shumë bukur edhe nga kolegët e Muzeut Castromediano, të shoqëruar edhe me stemat e principatave më të njohura shqiptare që i kemi gjetur nëpërmjet literaturës për të treguar se periudha e Skënderbeut nuk është vetëm periudhë e motit të madh, por është edhe periudha e rezistencës shqiptare, që tregon se një shekull i rezultuan sundimit otoman, duke u bërë një pikë e pakalueshme drejt Europës. Pra nëpërmjet ringjalljes së humanizmit evropian, ne jemi pjesë e idealit të sotëm të Erupopës së Bashkuar.

Do të ketë ndonjë bashkëpunim me interes që këto prurje artefaktesh që u ekspozuan në Leç të afishohen ose të ekspozohen edhe ne Muzeun tonë Kombëtar?
-Ne jemi në kuadër të bashkëpunimit me Muzeun Castromediano në Leçe dhe komunën e Leçes për të hapur një ekspozitë të tillë, jo vetëm me këto materiale, por edhe me disa të tjera që mund të gjendet në Itali, dhe në Muzeun historik Kombëtar . ashti siç jemi në diskutime edhe për sjelljen në Shqipëri të mbishkrimeve mesape dhe japike, që siç dihet janë të fiseve ilire që kanë lënë gjurmë te dokumentet arkeologjike të shkruara në alfabetin e tyre, qoftë edhe ne alfabetin grek apo edhe atë latin. Në Muzeu e Castromedianos ruhet edhe një qeramikë e quajtur qeramika e Devollit që tregon sipas arkeologëve italianë sesi popullsitë mesapike e japike janë vendosur në Itali si popullsi të ardhura përtej detit. Pra janë gjetur edhe vazo mesape, edhe mbishkrime të tyre. 

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë