TIRANË, 4 Korrik / ATSH / -Në ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve, në datën 6 korrik, ora 19:00, do të hapet për publikun në sallën e ekspozitave të përkohshme, ekspozita vetjake e piktores Sofia Papadhimitri me rastin e 100  vjetorit të lindjes së artistes.
Ekspozita do të vijë e kuruar nga Ylli Drishti, dhe ky eveniment vjen në GKA në bashkëpunim edhe me familjen Papadhimitri, sqaron Galeria Kombëtare e Arteve.
Në ekspozitë do të paraqiten rreth tetëdhjetë vepra, të përzgjedhura nga krijimtarija e artistes korçare në harkun kohor 1936-1976, të cilat janë pjesë e koleksionit të GKA dhe familjes Papadhimitri thekson GKA.
Punët janë në teknikën e vajit si dhe vizatime në karbon të cilat ekspozohen për herë të parë. Pikërisht këto vizatime i japin mundësinë publikut të njihet me formimin e plotë artistik akademik të artistes Papadhimitri.
Sofia Zengo Papadhimitri dhe motra e saj Androniqi Zengo, janë piktoret e para profesioniste në historinë e artit pamor shqiptar. Ato vijnë në artin e pikturës realiste të shekullit XX nga piktura ikonografike pasbizantine. Të dy motrat u edukuan artistikisht në një familje ikonografësh korçarë. Babai i tyre Vangjel Zengo, është ndër të parët piktorë që bëri kalimin nga arti bizantin në artin me temë historike dhe tema nga jeta e përditshme, proçes që shoqëroi edhe krijimtarinë e Sofias dhe Androniqi Zengos. Së bashku me dy motrat e saj Androniqi dhe Sotiria, Sofia mori pjesë në pikturimin e kupolës së Mitropolisë së qytetit të Korçës (1944 - 1945).
Mes ndikimit të traditës familjare, por edhe edukimit akademik nga piktori impresionist Spiro Vikatos i cili ishte padagogu kryesor në Akademinë e Athinës ku ajo u diplomua në vitin 1939, Sofia Papadhimitri konsolidoi stilin realist, duke realizuar me vërtetësi portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Koleksioni i punimeve në vaj i Sofia Zengo Papadhimitrit arrin në rreth 300 punime. Në të gjitha këto piktura ndjehet dashuria e artistes për natyrën dhe njeriun e thjeshtë.
Ekspozita që do të çelet në 6 korik, do të qëndrojë e hapur për artdashësit deri më 19 korrik 2015.
/k.m/ /a.g/