Në vitin 1921, Eugene dhe Helene Pittard vizituan Shqipërinë për herë të dytë, duke e përshkruar vendin me aparat fotografik, ku fiksuan në celuloid jetët e përditshme, qytetet në rritje dhe peizazhet e paprekura. Në qindra fotografitë e tij, Pittard, me syrin e tij prej humanisti, i shikoi shqiptarët jo si objekte studimi të ftohtë, por si dëshmitarë të një historie që meritonte të ruhej, të respektohej dhe të tregohej.

Sot, këto fotografi të antropologut dhe akademikut të shquar zviceran vijnë të ekspozuara të parën herë para publikut shqiptar.

“Ne sjellim sot një koleksion fotosh interesant dhe unik të marra në Shqipërinë e viteve 1921 – 1924, fiks 100 vjet më parë nga Eugene Pittard. Ai dhe gruaja e tij Helene ishin një çift i jashtëzakonshëm. Ata ranë në dashuri me Shqipërinë që në vizitën e tyre të parë 1910. Shqipëria u bë pasioni i tyre i jetës. Ata e vizituan Shqipërinë katëër herë dhe udhëtuan nga veriu në jug. Nën emrin e artit Noel Roger, Helene shkroi shumë për Shqipërinë, duke thënë: “kjo dashuri do të vulosë jetën time. Eugene Pittard ishte një fotograf i njohur. Fotografitë që ai la pas janë më tepër se regjistrime të kohës dhe vendit. Ato përmbajnë shumë admirim dhe respekt për subjektet që ai fiksoi përmes lenteve, peizazhet dhe momentet që e frymëzuan.”, tha Ruth Huber, ambasadore e Zvicrës në Shqipëri.

Sipas Huber, Pittard është një gur themeli i lidhjeve midis Zvicrës dhe Shqipërisë.

“Këtu është një pjesë e e fotografive të Pittard. Ai ishte një politikan, ishte një humanist, ishte një antropolog, një shkencëtar, por që është pikërisht ai që thoshte Shqipëria ime. Është interesante fakti që një shekull përpara ky njeri e bëri të vetën Shqipërinë. Thoshte Shqipëria do të jetë si Zvicra e Lindjes. Domethënë ai gjente një lloj paralelizmi të identiteteve dhe të stoicitetit të dy popujve, të zviceranëve dhe të shqiptarëve.”, tha publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, i cili ka botuar më herët një libër për Pittard.

Në ekspozitën e Pittard, rrëfehen vetëm një pjesë e fotografive të realizuara prej tij, ndërkohë që në vijim me gjasë do të ketë një tjetër ekspozitë apo libër të botuar.  Më shumë se antropolog e fotograf, Pittard ishte një humanist që e deshi Shqipërinë për dinjitetin e saj. Ai ndihmoi që vendi të pranohej në Lidhjen e Kombeve dhe ishte themelues i Kryqit të Kuq Shqiptar.

“Shqipëria 1921-Eugene Pittard” vjen e kuruar nga Elton Koritari dhe një pjesë e saj prezantohet në formë digjitale.