Ekspozohen fotot e rralla
të Shan Picit

Ekspozohen fotot e rralla<br />të Shan Picit
TIRANE- Ai udhëtonte shumë me fiksimin për të mbërthyer në celuloid pamje të natyrës piktoreske të Malësisë së Madhe, të Tropojës, Kukësit, Pukës, Mirditës, etj. Prandaj Shan Pici (1924-1976) duke fotografuar për një hark kohor prej gjysmë shekulli ka lënë një arkiv personal prej rreth 80.000 ekzemplarësh bardhë e zi, në letër, xhama dhe celuloid, që tashmë ruhen në “Fototekën Marubi” të Shkodrës. “Kur realizonte këto foto, natyrisht atij i duhej të largohej nga dyqani për disa ditë. Kjo do të thoshte më pak të ardhura ekonomike, por pasioni i tij i madh për fotografinë i mbikalonte të gjitha interesat e tjera. Kështu ai i pranonte me vetëdije të plotë pasojat dëmtuese financiare për të dhe familjen, faturë e rëndë për kohën”, shprehet studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni.

Ndërsa Luçjan Bedeni drejtori i fototekës “Marubi” lajmëron se do të vijojnë albume të tjera të kësja kategorie: “Krahas Arkivit të Shtetit dhe Bibliotekës Kombëtare, ky institucion mund të konsiderohet thesari i tretë i kujtesës kombëtare shqiptare. Gjatë këtyre muajve kemi punuar fort për t'i rimëkëmbur këto vlera të trashëgimisë tonë kulturore. Sot kjo ditë përkon dhe me përfundimin e përgatitjes së albumit "Shan Pici", i cili do t’i paraprijë kolanës së botimeve të gjithë fotografëve që ruajnë Koleksionet e tyre në Fototekën Kombëtare "Marubi". 

Studiuesi Vrioni e rendit Shan Picin krahas emrave të mëdhenj e të njohur të fotografisë në Shkodër si: Marubët, Jakovët e Raboshët. Në kërkim të gjurmëve të këtij fotografi, Vrioni ka qenë i pari që ka hedhur kërkesën për një album. “Në këtë botim, dashamirët e këtij arti do t’i prekin drejtpërdrejt me shikimet e tyre arritjet më të mira të Shan Picit, një nga fillnisësit e peizazhit fotografik natyror të vendit tonë dhe fotoreporterit të parë të sportit shqiptar”. Peizazhet, portretet të qytetarëve të moshave të ndryshme, malësorëve, ku mes tyre gjendet edhe një foto e Ernest Koliqit mes familjes malësore të Mark Mirit (1938), ai i fiksonte në terren e më pas i dokumentonte kryesisht në studion e tij.

Shan Pici ka lënë një koleksion interesant të fotografisë të peizazhit verior shqiptar. “Mjaft nga këto fotopeizazhe janë shtypur edhe si kartolina në Itali dhe Austri e në faqen e prapme të tyre shkruhej “Rishtypja asht e ndalueme. Fotografia “Pici” Shkodër, Shqypni” e më sipër “Kartposte Shqypniet”. “Me ato, Pici ka kontribuar në një farë mënyre në atë që do të quhej më vonë fotografia turistike shqiptare”, thotë studiuesi Qerim Vrioni, duke komentuar se “Madje, Pici fotografoi, përveç fotoporteteve mjaft tipizuese të banorëve edhe mjediset e tyre, ku varfëria shoqërohej edhe me bujarinë dhe fisnikërinë karakteristike të malësorëve”,
 
Kush ishte Shan Pici
Studiuesi i fotografisë Vrioni e lidh emrin e Shan Picit në historinë e fotografisë shqiptare me periudhën e gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Shan Pici përmendet si një nga fotopeizazhistët më të hershëm e më të suksesshëm e, po ashtu edhe si fotoreporteri i parë i sportit shqiptar. Vrioni rrëfen shkurt biografinë e tij: “Shan Pici (pagëzuar si Mark), është lindur 105 vjet më parë (5 gusht 1904), në Shkodër, atje ku rreth gjysmë shekulli më përpara kish ardhur në jetë edhe fotografia shqiptare. Ai filloi punë qysh në moshë të njomë (rreth vitit 1914) si çirak, me ndërhyrjen e Luigj Gurakuqit, mikut të familjes Pici, tek “Foto Studio Marubi”.

Njihet miqësia e madhe ndërmjet Gurakuqit dhe Kel Marubit. Aty, pranë fotografit tanimë të njohur, atij i lindi kureshtja e veçantë dhe tërheqja nga mjeshtëria e fotografimit. Vëmë në dukje se edhe trajtimi i ustait për çirakun e ri i kalonte caqet e zakonshme të rasteve të tilla. Kështu, djali dita-ditës aftësohej duke zbuluar të fshehtat e profesionit e, po ashtu duke fituar besim në vetvete se këtë punë një ditë mund ta kryente edhe vet ai.

Ndoshta po përsëritej historia, tanimë me aktorë të tjerë, kështu e kishte mësuar më herët edhe mjeshtër Keli profesionin nga ustai i tij Pjetër. Pas disa vitesh punë tek “Foto Studio Marubi”, rreth moshës 20-vjeçare, Shani, kështu kish filluar të thirrej tanimë e përgjithmonë, hap bashkë me dy vëllezërit e tij, Ndrekën dhe Tefën, një studio private në qytet. Ajo u vendos në vendin e quajtur “Fusha e çelës” dhe me emrin “Fotografia Pici”. Ndarja nga Marubët, nuk ndërpreu lidhjet miqësore të ngjizura në marrëdhënie pune, por përkundrazi ato vazhduan gjatë.”
 
Shkrimi u publikua sot (24.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris