Ish kryeministri Sali Berisha akuzon drejtpërdrejt Policinë e Shtetit dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si të përfshirë në vrasjen e 33 vjeçarit, Gazmend Çollaku, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se grabitësit dhe ekzekutorët e Çollakut kanë mbrojtjen e shtetit dhe janë i njëjti grup që grabiti bankën Credins një vit më parë si dhe kanë rrëmbyer në Krujë, duke e zhdukur pa gjurmë, shtetasin Enver Stafukz, i cili akuzohej se ishte një nga vjedhësit e automjetit me të cilin u vra komisar Dritan Lamaj.

“Në mes të Durrësit, katërshja me uniformë policie që mbrohet nga shtetit, që grabiti dhe zhduku Stafukën, që vodhi 6 milionë euro të bankës Credins, grabiti në prani të policisë qytetarin Çollaku dhe në shoqërim të policisë e çoi atë në një përrua të Fushë Krujës dhe e ekzekutoi. Në të vërtetë ky akt terrorist është vepër direkt e Saje Qorrit”, shkruan Berisha.

Duke akuzuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për ngjarjen, Berisha shkruan se, “si anëtar i bandës kishte vetëm dy detyra; e para të zhdukte çdo postbllok nga Durrësi në destinacion vend-ekzekutimin e Çollakut; e dyta, policia të shoqëronte pengmarrësit deri në fund se mos ju ndodhte ndonjë defekt në makine apo aksident i rastit dhe t’i ndihmonte”. “Saje Qorri të dy detyrat i kreu në mënyrë të shkëlqyer dhe do ndajë me bosin e tij, Ramën, trofenë e krimit të radhës”, shkruan më tej, Berisha.

Gjithashtu, ish kreu i qeverisë ngre alarmin se në vend po sundojnë banditët dhe banditokracia e mirëfilltë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)