Barcelona dhe Real Madridi do diskutojnë sot në orën 20:00 trofeun e Superkupës së Spanjës. Finalja e këtij sezoni do zhvillohet në stadiumin "Mbreti Andullah" në Jeddah të Arabisë Saudite. Për të mbërritur këtu, Barcelona kaloi 5-0 Athletic Bilbaon, ndërsa Real Madridi mposhti 2-1 Atletico Madridin.
Ky është viti i katërt radhazi që fituesi i Superkupës së Spanjës vendoset nga kjo përballje, ndërsa dueli i sotëm do jetë El Clasico i dytë i këtij sezoni.
Përpara ndeshjes për mediet folën dy trajnerët, Hansi Flick dhe Xabi Alonso. Gjermani i Barçës vlerësoi Kyliane Mbappe, sulmuesin e Real Madridit, por padyshim që ka besim se lojtarët e tij do festojnë në fund të ndeshjes.
"Dua të shoh versionin e ekipit që pamë kundër Athletic Bilbaos. Një finale kundër Real Madrid gjithmonë ngre motivim. Një Clasico është një ndeshje krejt tjetër. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën për të fituar. Bëhet fjalë për të luajtur lojën dhe tek ajo po përqendrohemi. Real Madrid ka lojtarë të shkëlqyer, kështu që cilësia e skuadrës së tyre është jashtëzakonisht e lartë, tani për tani, Mbappe është sulmuesi më i mirë në botë. Por unë jam i fokusuar tek ekipi im, sepse ajo që ka rëndësi është se si luajmë futboll dhe si e fillojmë ndeshjen. Është një finale", tha Flick.
Nga ana tjetër, trajneri Xabi Alonso kërkon përqëndrim në një ndeshje të madhe.
"Janë 90 minuta, çdo gjë mund të ndodhë dhe ne po përgatitemi ta fitojmë. Ne besojmë dhe jemi të bindur se mund ta bëjmë. Do të ketë momente për gjithçka gjatë ndeshjes. Duhet të jemi të sigurt për atë që po bëjmë, të gjejmë organizimin e duhur të energjisë. Ne e njohim mirë Barcelonën dhe ata na njohin gjithashtu. Në këtë fazë, nuk ka sekrete, duhet të japim një performancë të plotë si me topin ashtu edhe kur mbrohemi, pavarësisht nëse po bëjmë presion lart apo po qëndrojmë më thellë. Barcelona ka shumë lojtarë të mëdhenj", tha mes të tjerash Xabi.
Në historinë e El Clasicos, janë luajtur gjithsej 262 ndeshje zyrtare. Real Madridi ka regjistruar 106 fitore, Barcelona 104 dhe 52 përballje kanë përfunduar barazim. Sfida e fundit mes tyre, e vlefshme për La Ligan e këtij sezoni foli 2-1 për Real Madridin në 'Bernabeu'.
As finalja e Superkupës së Spanjës nuk i "shkriu akujt" mes Barcelonës dhe Real Madridit. Presidenti i Galaktikëve, Florentino Perez nuk shkoi në festën e organizuar nga Federata në Jeddah.
Nga ana tjetër, Joan Laporta i Barcelonës tha se “marrëdhëniet me Real Madridin janë shumë të këqija dhe aktualisht janë të prishura. Ato gjithmonë mund të riparohen, por tani për tani janë kështu”. Emilio Butragueno përfaqësoi Real Madridin.
“Ne vepruam me respektin dhe përzemërsinë më të madhe. Ai nuk erdhi në eventin e Federatës, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Ne kemi respektin më të madh për rivalin tonë dhe përfaqësuesit e tij”, tha Laporta.
Komente




