Drejtoria e Policisë Elbasan, ka publikuar masat që do të ndërmarrë këtë Sezon Turistik Veror. Policia ka vendosur që në çdo pikë turistike dhe historike, të frekuentueshme nga turistët do të ketë një polic për ruajtjen e sigurisë së tyre.

Zona ku do të ketë një përqëndrim të shërbimeve do të jenë, zonat turistike si Gjinar, Byshek, Uji i ftohtë Lenije në Gramsh. Gjithashtu dhe në zonat historike si Kalaja e Elbasanit, Shpella Eremite në Librazhd, Ura e Kamarës në Librazhd.

Përqëndrime të shërbimeve do të ketë gjithashtu edhe në zonat e frekuentueshme për plazh si Lumi Rrapun në Librazhd, Lumi Shkumbin në Librazhd dhe Lumi Shkumbin në Elbasan, Lumi Devoll (Gramsh-Cërrik) dhe Liqeni i Belshit.

Policia e Elbasanit ka marrë gjithashtu masa me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, uljen e parandalimin e aksidenteve rrugore, duke shtuar dhe përforcuar shërbimet e policisë në segmentet rrugore Peqin – Elbasan- Librazhd- Qaf Thanë

Për mbarëvajtjen e masave gjatë Sezonit Turistik Veror 2016, mbi bazën e detyrave të percaktuara, janë planifikuar shëbime shtesë nga ana e Policisë Rrugore për monitorimin e akseve rrugore kryesore, si:

Qaf-Thanë-Peqin , Qaf-Thanë- Tiranë, Elbasan-Cërrik- Selitë, si dhe akset e tjera rrugore që lidhin qëndrat e banuara me pikat turistike, pikat e pushimit plazhet.

Krahas patrullave të shërbimeve të qarkullimit rrugor, në monitorimin e lëvizjes së mjeteve dhe personave në këto akse do të angazhohen dhe punonjësit e policisë së patrullës së përgjithshme.

Gjatë sezonit turistik veror 2016 do të angazhohen me detyra konkrete, të gjithë sektorët në Drejtorinë e Policisë Elbasan, me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarje të mundshme kriminale.

Drejtoria e Policisë Elbasan, me qëllim qarkullimin sa më normal të automjeteve dhe minimizimin e ngjarjeve aksidentale, u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, përfshirë dhe këmbësorët, të respektojnë normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.

Redaksia Online 
(xh.k/shqiptarja.com)