Elbasani kthehet në
kryeqytetin e Ditës së Verës

Elbasani kthehet në<br />kryeqytetin e Ditës së Verës
ELBASAN- Festa dhe tradita ishin bashkuar dje në Elbasan, kryeqytetin e Ditës së Verës. Duket se ky qytet do të ketë përgjithmonë të drejtën për të pasur një festë plotësisht të tijën. Jo për t’ua mohuar të tjerëve, por në shenjë përulësie për të pritur këdo që vjen për të parë si festohet në vendin e traditës, "Dita e Verës". Si çdo vit, qyteti u mbipopullua me qytetarë të ardhur nga i gjithë vendi, madje edhe nga shtete të ndryshme të botës. Të parët që nisën festimet ishin fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Parada e karnavaleve e përgatitur prej tyre mori vëmendjen e gjithë qytearëve, të cilët ishin vendosur që në orët e para në bulevardin “Qemal Stafa”.

Në të gjithë qytetin ishte e lehtë të identifikoje dhe të blije simbolin e festës, ballakumen. Me qindra shitës ambulantë kishin vendosur në tezgat e tyre ëmbëlsirën, formulën origjinale të së cilës e zotërojnë vetëm amvisat elbasanase. “Unë i kam gatuar vetë të gjitha ballakumet dhe tani kam dal t’i shes, megjithëse me një çmim që nuk justifikon as koston dhe as lodhjen. Jam e lumtur që këtë vit paska qytetarë nga i gjithë vendi që na janë bashkuar të festojmë të gjithë bashkë dhe sigurisht që do kenë mundësinë të provojnë ballakume të vërteta”, shprehet një prej shitëseve.

Qytetarët tregojnë se këtë vit ka pasur një rritje në çmim, por sipas tyre në këtë ditë ballakumja nuk ka çmim.
Festa ka vazhuar për gjatë gjithë ditës së djeshme, ku në qendër të qytetit performonin këngëtarët më të mirë në vend. Përgjatë gjithë bulevardit është parakaluar, ndërkohë që performuesit dhe instrumentistët ofronin spektakël për festuesit.

Orari i drekës i ka veçuar disi familjet elbasanase, të cilat kanë festuar në mënyrën e tyre tradicionale. Shumë prej tyre kanë zgjedhur kodrat e “Krastës” dhe “Ullishtës” për të konsumuar të gjithë bashkë ushqimet tradicionale që kishin përgatitur për këtë festë. “Kjo është një traditë e vjetër. Unë mbaj mend, kur kemi qenë të vegjël shkonim dhe festonim me familjet dhe shoqërinë tek rrapi i Manzit”, tregon Prof. Kujtim Mema, qytetar i vjetër elbasanas.

Sipas profesor Kujtimit, festa ka evoluar, duke filluar që nga organizimi dhe mënyra se si festohet, por e rëndësishme është që këtë gjë e bëjnë pa e “vrarë” traditën. Të çuditur dhe të surprizuar për rëndësinë dhe traditat që qyteti i Elbasanit ruan për këtë festë, ata që vinin për herë të parë janë shprehur shumë të entusiazmuar për atmosferën e krijuar. “Më kishin folur shumë për këtë festë dhe për mënyrën se si festohej, por tani që po e shoh e kuptoj pse Elbasani quhet qyteti i luleve”, shprehet një zonjë nga Shkodra.

Koha ka qënë aleati i përvitshëm me qytetarët elbasanas, të cilët kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shpresuar për një stinë të re më të mirë për jetët e tyre.
 
Edi Rama: “Elbasani është graviteti i Ditës së Verës dhe është kënaqësi të jesh në këtë qytet në këtë ditë festë”.

Lulzim Basha: “Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston”.

Ilir Meta: “Kjo ditë na fton për të qënë më optimistë dhe më me besim tek e ardhmja; është një tregues i qartë i hyrjes në një moment pozitiv të rritjes së besimit të ekonomisë sonë dhe kapaciteteve tona”.

Bujar Nishani: “Kush më shumë e kush më pak, secili prej nesh ka nevojë për ngjyrat dhe tingujt pranverorë që populli ynë, qysh në lashtësi, i ka përjetuar këtë ditë. Urimi që lind natyrshëm në zemër të secilit prej nesh është që Dita e Verës sjelltë në çdo vatër tonën gëzim dhe paqe, sot e përherë”.
 
Dita e Verës nga antikiteti deri në ditët e sotme
Festa e Ditës së Verës është një traditë antike që çdo 14 mars është festuar në Elbasan. Fillesat e kësaj feste pagane, janë në faltoren e Zanës së Çermenikës e cila ishte perëndeshë e gjuetisë dhe gjithë natyrës. Sipas historive të trashëguara brez pas brezi , kjo zanë dilte nga faltorja ditën e 14 marsit. Që prej asaj kohe dhe e trashëguar në breza, festa u simbolizua me Elbasanin dhe u bë e njohur për të gjithë Shqipërinë.

Tradita e kësaj feste fillon një natë përpara ditës së verës ku qytetarët mblidheshin rreth zjarreve deri në të gdhirë të mëngjesit ku pritej edhe Dita e Verës. Të moshuarit nisnin ritin e festimeve me hapjen e derës së shtëpisë dhe kalimin e të rinjve në pragun e derës , gjë e cila simbolizonte mbarësi. Fëmijve të vegjël u dhuronin arra, palat e fikut dhe ballakumet. Që nga ajo kohë mënyra e festimeve ka ndryshuar, megjithëse qytetarët elbasanas përpiqen të ruajnë me fanatizën elementet indetifikuese të saj. Dita e Verës ndryshe quhet edhe festa e luleve, për simbolikën dhe atë që ajo përfaqson.

Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni