Elina Duni : Jazz-in tim
ia kushtoj Shqipërisë

Elina Duni : Jazz-in tim <br />ia kushtoj  Shqipërisë
Elina Duni ia ka kushtuar albumin e tretë të kuartetit të saj në Zvicër atdheut. Një dhuratë jo vetëm në prag të 100 vjetorit, por që sjell mallin për vendlindjen, kujtimet e fëmijërisë, frymëzimin nga pozitë e të madhit Kadare, deri te ajo e shkruar nga e ëma Besa Myftiu, për të kujtuar dhe për të mos harruar. Elina Duni, sapo është kthyer nga SHBA, por fatkeqësisht, uragani Sandy detyroi kuartetin që të anulonte koncertin në Neë York. Megjithatë hera e parë në skenën amerikane është pritur shumë mirë nga kritika dhe publiku amerikan. Javët në vijim do të jenë shumë të ngarkuar të vajzën e artit, me koncerte dhe pjesëmarrje në festimet për 100 vjetorin, me albumin që Elina e cilëson një udhëtim nëpër historinë e Shqipërisë dhe një këndvështrim dhe sublimim nga syri i saj shqiptaro-zvicerian. Dhe kur vala e festivemeve të ketë rënë, ajo do të jetë në Tiranë, pikërisht më 17 dhjetor kur " Matanë malit " do të rrijë në skenën e tij.

Elina dimë që jeni në koncerte dhe lëvizje të vazhdueshme. Cila ishte skena e fundit ku performuat dhe cila është ajo skenë që po pret ardhjen tuaj?
Sapo jam kthyer nga SHBA dhe koncerti i fundit ishte pikërisht atje, në qytetin Baltimore. Një ditë më vonë duhet të kishim luajtur në Neë York, por koncerti u anullua për shkak të uraganit Sandy. Ishte hera e parë që performoja në Amerikë ; kam qënë tepër e emocionuar sepse muzika ime është pritur shumë mirë nga kritika dhe publiku amerikan ashtu si dhe nga diaspora shqiptare e cila ishte prezente në çdo koncert të turneut . Javën që vjen do të jem në Paris me rastin e promovimit të albumit të ri, do luaj në Radion dhe Televizionin francez, më pas do performoj për Festën e Pavarësisë në Bern të Zvicrës, ku jetoj, dhe ku Ambasada e Kosovës organizon një mbrëmje Gala. Me 20 nëntor do të nisem për turne nëpër Gjermani, Zvicër e Austri.

Jeni duke promovuar albumin "Matanë malit". Si erdhi ky album i tretë tek ju? Nga një përzierje folku ballkanik, tani vini me vetëm me folk shqiptar. Përse kjo zgjedhje dhe sa e vështirë të shndërrosh folkun në jazz?
Unë e kam filluar projektin e kuartetit tim, ku gërshetohen këngë folklorike me jazz-in, që në vitin 2004, bashkë me muzikantët e mrekullueshëm zvicerianë: Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri, por deri tani në dy albumet e tjera (Baresha (2008) dhe Lume Lume (2010) kishte këngë nga gjithë Ballkani. Kisha dëshirë që albumi i tretë "Matanë Malit", i cili është publikuar nga shtëpia diskografike legjendare e jazz-it ECM, të përfaqësonte një hap të ri në shprehjen tonë artistike. Përveç këngëve folklorike nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora, ky album përmban edhe këngë partizane, këngë të dënuara nga regjimi socialist ashtu si dhe kompozime të miat. Pra është një udhëtim nëpër historinë e Shqipërisë dhe një këndvështrim dhe sublimim nga syri im shqiptaro-zvicerian tashmë.Ne mundohemi ne çdo moment të sjellim esencën poetike të folkut shqiptar në interpretimin tonë dhe secili nga ne të katërt është i rëndësishëm në mes të grupit. Magjia e kësaj muzike është ajo që krijojmë të katërt bashkë.

Është mes tyre një këngë nga vjersha ""Kristal" e Kadaresë. Deri më sot përpjekjet për të muzikuarKadarenë nuk kanë qenë të lehta. E keni pasur të vështirë ta kompozoni? Keni pasur një reagim nga shkrimtari?
Kadareja e ka dëgjuar këngën para një muaji në Paris dhe e di që i ka pëlqyer shumë. Mua më ka lumturuar ky fakt. Ai është një nga kolosët e letërsisë botërore dhe një stilist i jashtëzakonshëm. Sa herë që e lexoj, dashurohem me shqipen. Poezinë e tij kam kohë që dhe e dua dhe kjo nuk është hera e parë që e vë në muzikë. Vargjet e Kadaresë kanë shumë muzikalitet. E rëndësishmja në proçesin e kompozimit ka qënë të gjeja ritmin që përmbante në vetvete poezia dhe më pas muzika ka rrjedhur vetvetiu. Zakonisht kur kompozoj nisem nga fjala.

Në album është kënga e Tish Daisë "Erë Pranverore". Ndryshe tingëllon këtë herë nga ju. Nje version që thua të lë pa frymë….
Tek kjo këngë, frymëzimi i parë ka qënë për mua zëri i Vaçe Zelës, i cili është pjesë e gjithë fëminisë time. Ishte shkëlqimi i zërit që më preku në fillim dhe pastaj kjo këngë, kaq e veçantë për atë kohë, ndaj dhe u dënua. Kur e këndoj, kam gjithmonë ndërmend shpresat dhe më pas zhgënjimet et terroret që përjetoi ajo gjeneratë artistësh. Por nuk duhet harruar që dhe sot në shumë vende të botës, censura dhe keqtrajtimi ndaj artistëve vazhdon të ekzistojë.

Një tjetër është kompozimi me tekstin e nënës tuaj, Besa Myftiu, i titulluar "Kur te kujtosh". Çfarë "kujtoni" nëpërmjet kësaj kënge?
Kjo poezi, një nga të preferuarat e mia, flet për mërgimin dhe dashurinë. Aty përmendet shtëpia e vjetër dhe rrugicat e fëminisë. Ne fakt, në të njëjtën shtëpi si Besa, jam rritur dhe unë, pra kujtimet e fëminisë i kemi të përbashkëta, në të njëjtat vende, në qendër të Tiranës tek rruga Siri Kodra. Kam fatin që ajo është mamaja ime, por edhe shoqja ime më e ngushtë. Gjithashtu ne kemi vite që bashkëpunojmë dhe kemi krijuar një spektakël letrar të shoqëruar me muzikë.

Mes folkut dhe modernes,sa e hollë dhe e brishtë është vija e kufirit?
Është poezia e mrekullueshme e folkut shqiptar që na frymëzon dhe të cilën mundohemi ta ruajmë në interpretimin tonë. Këto këngë që shpesh janë shekullore përmbajnë një forcë dhe autenticitet shumë të veçantë. Ne jemi në shërbim të këngës dhe të mesazhit të saj.

Të jesh artiste e një vendi të vogël dhe të luash ne skenë artin e tij, ndoshta nuk është shumë e volitshme për të tërhequr vëmendjen e kritikës dhe publikut. Cili është celësi i suksesit tuaj?

Më e rëndësishmja për mua ka qënë gjithmonë bindja në atë që bëj. Kjo ndjesi më vjen kur jam në skenë dhe ndjej emocionin që më përshkron mua dhe publikun. Atëherë unë çdo herë e vërtetoj që përpara kësaj ndjenje nuk ka asgjë më të bukur dhe më të vërtetë. Kjo forcë më bën te shkoj përpara edhe nëqoftëse rruga që kam zgjedhur nuk është e lehtë. Të ndaj bukurinë, emocionin dhe muzikën me njerëzit është për mua gjeja më e shtrenjtë.

Nuk mund të mos përmend një vlerësim për ju, nga Adrian Klosi. Citoj :" Do desha që publiku shqiptar ta njihte shumë më tepër muzikën e Elinës dhe që ajo, vajza që iku 10-vjeçare nga Shqipëria…. t'i kthente disa nga pasuritë e fjetura ashtu siç di ajo". Skena shqiptare përveçse një skenë vendlindjeje, çfarë është tjetër për ju?
Ardian Klosi e ka shkruajtur këtë artikull titulluar "Elina Duni, këngëtarja e mallit" mbas koncertit tim në 2010-tën tek Akademia e Arteve, në Tiranë. Më ka shprehur se sa e ka prekur ajo performancë dhe dashuria ime për folkun shqiptar dhe çdo krahinë të tij. Për mua ai koncert në qytetin e vendlindjes ka qënë një moment magjik, i ndalur në kohë si një çast i përjetshëm. Entuziazmi dhe bujaria e publikut shqiptar më befasojnë çdo herë.
Jam shumë e lumtur që do rikthehem në Tiranë me 17 dhjetor në Teatrin e Operas. Do kisha dashur që Ardiani ta dëgjonte këtë repertor të ri kryesisht shqiptar për të cilin unë i kisha folur, dhe që e kishte entuziazmuar shumë.

Intervista juaj do te botohet te premten ne suplementin "Fundjava", ndërsa të dielën është premiera e radhes qe përgatit babai juaj, "Ëndrra e Ismail Qemalit". Ju keni bërë muzikën e shfaqjes. Si jane lidhjet artistike dhe familjare mes jush? Sa e vështirë është kjo lidhje në distancë?
Unë kam fatin e madh t'i kem shokë ashtu si dhe kolegë te dy prindërit e mi. Me Spiron, pavarësisht nga distanca, kam bashkëpunuar shpesh në lidhje me muzikën dhe tek shfaqja e tij e re "Ëndrra e Ismail Qemalit" ai ka vënë pikërisht pjesë nga albumi im " Matanë malit ". Jam e gëzuar që publiku shqiptar e çmon artin e tij, i cili për mua ka arritur në këtë moment një pjekuri dhe mençuri të rrallë.

Të jesh një fëmijë artistësh, do të thotë të kesh bërë gjysmën e rrugës në art?
Të jesh fëmijë artistësh mund të jetë fat ose fatkeqësi. Në rastin tim ka qënë një fat i madh sepse prindërit e mi më kanë përkrahur gjithmonë në rrugën time dhe më kanë edukuar me dashurinë e artit dhe të vërtetësisë, të autenticitetit. Por ndodh që një fëmijë artistësh mos jetë domosdoshmërisht artist dhe atëherë përjetimi mund të jetë më i vuajtur për prindërit dhe për të.

Si e zbuluat jazz-in dhe kur e kuptuat se kjo është gjinia ku doni të qëndroni me performancat tuaja.
Mahnitja ime ndaj jazz-it ka ndodhur rreth moshës 17 vjeçare, kur kam dëgjuar për herë të parë albumin "Kind of Blue" të trompetistit të madh Miles Davis. Dhe pse e njihja jazz-in atëherë, kjo ka qënë muzika nga e cila nuk kishte më kthim mbrapa. Jazz-i është për mua një manifest lirie: do të thotë që brenda strukturës së një kënge ke lirinë të improvizosh dhe të krijosh çdo herë diçka të re. Kjo të jep mundësinë të këndosh një këngë pak ndryshe çdo natë. Në një shoqëri ku gjithçka shkon drejt formatimit dhe standartizimit ky këndvështrim muzikor është për mendimin tim shumë i nevojshëm.

Koncertet nga një skenë në tjetrën, një shtet në tjetrin, nënkuptojnë shumë lëvizje. Si ia bëni me jetën tuaj të kushtëzuar nga arti?
Konfucius thotë : "Gjej një punë që të pëlqen dhe ateherë nuk do punosh më asnjë ditë të jetës tënde". Kam një fat shumë të madh që mund të jetoj me muzikën që bëj. Shumë pak muzikantë jetojnë me koncerte. Shumica duhet të japin mësim ose të bëjnë një punë tjetër për të mbijetuar. Sigurisht që kjo jetë artistike ka momente të vështira organizimi, udhëtimi, planifikimi, por kur je në skenë i harron të gjitha.

Udhëtimet mund të jenë të lodhshme por ndoshta një qytet të josh edhe kur je e lodhur…
Më pëlqen shumë të udhëtoj, të shoh njerëz dhe vënde të ndryshme - për mua çdo vend ka interesin e vet. Shpesh vendin e bëjnë njerëzit. Pra mund të jesh në fund të botës , rrethuar me njerëz të mirë dhe të përjetosh mbrëmjen më të bukur të jetës tënde!

shkrimi u publiku ne gazeten Shqiptarja.com, suplementi Fundjava, ne date 9 nentor

(ad.ti/shiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi