TIRANE - Ish-inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi ka urdhëruar pezullimin e auditit në Thesar menjëherë sapo ka konstatuar se kutitë e lekëve ishin vjedhur dhe brenda tyre ishin vendosur libra. Nuk dihet nëse ky audit ka vijuar, por që shumë pak ditë pas këtij vendimi, Banka e Shqipërisë, deklaroi zyrtarisht se shuma e vjedhur e parave ishte 713 miliard lekë të vjetra, duke hedhur dyshime të forta mbi sinqeritetin e deklarimit të kësaj shume financiare nga ana e zyrtarëve të bankës.

Sipas prokurorisë së Tiranës, gjatë kohës që kryeinspektorja ka drejtuar këtë post ka ushtruar vetëm një audit dhe këtë e ka zgjatur në gati 3 vite me radhë, i cili ka filluar në 1 nëntor 2008 dhe që ka vazhduar deri në 31 gusht 2011. Ndërkohë që sipas rregullores së 2001, Golemi duhet të ushtronte kontrolle dhe të krijonte raportet periodike financiare, të cilat t’ia paraqiste Këshilli në çdo tre mujor, së bashku me rekomandimet dhe opinionin e saj. Një veprim i tillë sipas akuzës nuk është kryer. Ndërkohë që jo më pak se një herë në gjashtë muaj, Inspektori i Përgjithshëm takohet me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, pa praninë e Administratorëve të Bankës së Shqipërisë.