Ema Andrea: Eshtë herët
që ta humbim shpirtin

Ema Andrea: Eshtë herët <br />që ta humbim shpirtin
Prej disa javësh qendra e frymëzimit dhe angazhimit të aktores Ema Andrea është Teatri Kombëtar, aty ku po “gatuhet” premiera e “Edipit Mbret”, tragjedia e njohur e Sofokliut. Stërvitja fizike dhe provat e aktrimit janë shkrirë së bashku tashmë dhe pavarësisht lodhjes dhe stresit të një procesi që po shkon dalëngadalë drejt formës së vet të plotë, duket se aktorja po e shijon më së miri atmosferën e krijuar. ”Ndihem mirë sepse është krijuar një atmosferë shumë e mirë pune. Për mua kjo ka rëndësi…

Më vjen keq që na habit e mira, por në këtë rast kam mbetur e habitur dhe e kënaqur nga e mira që grupi për momentin po funksionon … kam frikë ta them shumë sepse jam pak supersticioze”- tregon Ema duke qeshur. Personazhi i saj është Korifeu, është ajo që drejton korin. Ndonëse nuk është një personazh i ndërtuar në formë klasike,karakteri ka një mision të veçantë. “Koncepti i Ilirit(regjisorit) është si një personazh më vete, me një qëllim të caktuar, me një amplitudë të vet. Në këtë sens përbën për mua një sfidë, sepse është një personazh që të lë liri të krijosh por duhet të gjesh fillin e duhur”.

Ndodh të kujtosh rolin tënd të parë në Teatrin Kombëtar?
Po, në këtë procesin tani, më është kujtuar një ditë sepse është Yllka në shfaqje dhe pata një lidhje një moment dhe thashë:”Si kanë ndryshuar kohët? Si ka qenë hera ime parë kur kam punuar me Yllkën dhe si është sot!”

Si të duket?
Në këtë rast më duket shumë e përafërt sepse atmosfera është po aq idealiste sa kur kemi bërë “Natë me hënë”. Përkushtimi është po aq. Në atë periudhë ishte idealiste nëse të kujtohet pasi ka qenë moment përtej teatrit ai. Në këtë rast është atmosfera e bukur e procesit kështu që më është kujtuar në një moment, por pa nostalgji. Më erdhi një shije e mirë nga teatri.

Vetëm nga atmosfera?
Të them të drejtën unë gjithmonë kur bëj role ndihem e paditur. Natyrisht që eksperienca nuk më çon të jem aq e paditur aq sa kur kam qenë me Marjanën. Me Marjanën për mua ka qenë një përrallë, nuk mbaj mend fare.. një përrallë, një habi, një adhurim, një botë krejt tjetër, me ëndrra përpara, ndërsa tani kam një paqe tjetër, pra unë e di çfarë ndodh, e di që do të jem e paditur, e di që me paqe mund ta çoj deri në fund, nuk kam ëndrra të mëdha, dua të shijoj momentin.

Por ëndrra ke?
Kam ëndrra posi, thjesht nuk janë shumë të lidhura me pikëmbërritjet, por janë të lidhura me pikënisjet. Unë nuk kam një pikëmbërritje si kur je fëmijë dhe do të bëhesh apo të shkosh diku. Tani kam ëndrra me pikënisje të reja dhe kuriozitete të reja, pa qëllime. Mbase i kam mbrapsht ëndrrat e mia, por ku di unë… (qesh)
Kjo na jep shpresa për të pritur supriza.
Po dhe jo vetëm në teatër.

Në fakt jemi mësuar të të shohim jo vetëm në teatër.
(Qesh). Jam në një fazë kërkimi dhe një lloj kurajoje që ma jep paqja që kam arritur.. Do të kthehem prapë në televizion me një format tjetër, që do të jetë një herë në javë. Po tek Albanian Screen. Jam shumë mirë atje, atmosfera është shumë e mirë për mua.

Është pak e vështirë për një artist të jetë në emisione të përditshme.. U çudita kur filluat “Orkidean”…
Edhe unë i thashë vetes “çudi si pranova?!”, por mua më pëlqen të eksploroj dhe të shoh, të njoh edhe limitet në fund të fundit sepse ato nuk i njeh po nuk gabove. Me sa duket nuk gabova shumë rëndë tek “Orkidea”! Nëse e kapim nga ana e konsumit të fjalëve, të imazhit, mundet të ndodhë. Ajo që ndodhi mes meje dhe tv, është se unë dita të marr nga televizioni, nga të ftuarit, nga të qënit përditë. Shijova një lloj të komunikuari dhe të zbuluari sepse tek “Orkidea” kanë ardhur shumë njerëz interesantë, që kishin gjëra për të thënë. Kam pasur ambjent shumë të mirë pune. Natyrisht që është rreziku i konsumit. Tek e fundit vjen një moment që ty të shterr edhe fjalori sepse bëhet rutinë. Por unë këtë e kompensuar duke u kthyer gjithnjë tek librat e mi në mbrëmje dhe kur pashë se u ngopa, e ndërpreva .. Tani kthehem me format tjetër, por ku jam pjesë e procesit që në fillesë, që në autorësi, që tek idetë që po rrihen. Është një format që do t’i përshtatem dhe do të më përshtatet.

Rikthehesh edhe në qendër të komenteve në shtypin rozë.
Më shumë thashetheme dinë njerëzit të bëjnë. Unë jam mësuar me këtë sepse unë jam bërë e famshme duke bërë teatër dhe jo duke bërë televizion. Kam dëgjuar dhe lexuar për veten edhe çudira të cilat deri kur nuk prekin familjen time, them:”Njeriu lexon atë që do të lexojë, shikon atë që do të shikojë, dhe beson atë që do të besojë”. Nuk mundem t’ia prish paqen vetes sime sepse dikush paguhet për të ndjekur jetën time personale. Nëse do që të marrë rrogën dikush duke më shqetësuar mua, le ta marrë.

Kemi ne hapësirë për poezinë me jetën tonë?
A e dini që unë shoh që ka këtu më shumë poetë sesa në ato vetmitë e sëmura të Europës? Mbase nuk lexojnë shumë dhe arsyen nuk mund ta di. Por shikoj që shpirtin është herët që ta humbasim. Europa e ka humbur, ndërsa ne po përpiqemi ta humbim për të imituar Europën, por ne jemi ende shpirtërorë si njerëz, edhe pse vuajmë edhe pse jemi pragmatikë, edhe pse brezi që po vjen është shumë i dhënë pas sipërfaqësores apo lekut… Sido që të jetë në gen akoma nuk është fshirë ajo kërkesa, ajo dëshira, ëndja shpirtërore. Sa do të ndryshojë dhe a është i shpejtë ndryshimi unë këtë nuk e di. Por unë kam perceptimin që ne po dëshirojmë t’i largohemi shpirtërores sepse duam të kemi një jetë sa më pragmatike, por geni nuk na lejon me sa duket. Ne jemi pasionantë, gjithçka e bëjmë me pasion edhe të keqen, edhe të mirën dhe tek e fundit kjo është poezi sepse është lidhje me atë që nuk është racionale. Ndërkohë që bota po i rikthehet poezisë, njerëzve që rrinë në grup, këngës romantike, muzikës së thjeshtë.

Në projektet e Tetorit Gjerman keni punuar me Ardian Klosin.
I kam akoma numrin e telefonit dhe nuk kam kurajo ta fshij. Bashkëpunimet me Ardianin kanë qenë vërtet shumë të rralla dhe në përgjithësi kanë qenë të ndërtuara jo vetëm në një marrëdhënie shumë qytetare, por edhe në një marrëdhënie dëshire për të bërë atë që duhej. Ka qenë dëshira për ta bërë një punë dhe jo një marrëdhënie pragmatike. Investimi nga dita e parë tek e fundit ka qenë total; intelektual, shpirtëror, konkret, real, ka qenë gjithmonë lodhje të mëdha por që kanë përfunduar në një festë. Dhe kanë funksionuar. Dhe nuk më mungon vetëm për këtë Ardiani. Kam përshtypjen se ai mungon në përgjithësi si figurë e shoqërisë, për mënyrën sesi reagonte ndaj gjërave, fenomeneve sociale, qoftë edhe me një shkrim edhe me një provokim në emisionet televizive, me mënyrën e tij në gjuhën e plotë dhe të pastër shqipe. Unë kam pasur fatin të isha pjesë e rrugëtimit të tij dhe ai ishte pjesë e rrugëtimit tim në teatër. Të paktën e kam një shenjë më tepër sesa dikush që e ka parë nga ekrani.

Shumë gjëra bashkë e duan një axhendë… Bëhet ndonjë përplasje. Si reagon në këto raste?
Jo pa axhendë fare.. (qesh). Natyrisht që bëhet përplasje dhe aty mbetem unë dhe them:”Po tani?” Di që gjërat vijnë sepse ti i ke kërkuar kështu që kur përplasen unë them: ”Tani do ta lësh të zgjidhet vetë“ sepse do të zgjidhet, nuk është fundi i botës se u përplasën gjërat. I lë të zgjidhen në priorietet që unë kam, Sara e para (e bija e aktores, shën i gazetares) dhe të tjerat që kam pas. Kur kam gjendje të tilla përpiqem të bëj atë zgjedhje që nuk do lëndoj njeri, mbase lëndoj veten, por jo të tjerët sepse ky është problemi im dhe jo i të tjerëve. Dhe kjo më bën që të pranoj humbjet me qetësi.

Mund të jesh e kompletuar edhe me humbjen?

Ëhë… ka keqardhje në jetë, ndonjëherë bëj fajtore dhe veten, por me moshë me sa duket, duke u përplasur shumë, në fund kuptoke që gjërat do rregullohen dhe nuk ia vlen të krijosh akoma më shumë ankthe për gjërat që ke humbur ose që i ke patur mungesë. Janë të tilla dhe mua më pëlqen shumë të lundroj me të mirën dhe me të keqen. Sot është momenti i keq, do lundroj me të, nuk do t’i shkoj kundër, do ta kaloj. Nuk mundem të ndaloj dhe të ngul këmbë për të gjetur përse-të pafund. Përgjigjet shpesh në jetë vijnë kur asnjëherë nuk ke ngritur pyetje dhe të del përgjigja, ja pse ndodh!

Ke emocione për këtë shfaqje?

Emocione pasiguri… Unë kam dalë vetëm njëherë në skenë pa emocion. Nuk e di çfarë më ndodhi atë ditë. Ka qenë para shumë vitesh. Ishte shfaqja e dytë e një performance. Nuk e di si shkoi ajo shfaqje, por të nesërmen thashë që nëse do të isha sërish ashtu do ta lija zanatin. Sepse me kapi frika e ngopjes me këtë gjë. Unë bëj shpesh pauza, psh vitin që kaloi kam pasur pauza në krijimtari, jam marrë me libra, poezi dhe janari më gjeti gati. Unë nuk ngjitem në skenë për të bërë punë, nuk e quaj të tillë. Nëse nuk kam frymëzim unë nuk e nis një gjë. As televizionin. Edhe komunikimin me publikun nuk e bëj nëse nuk jam e frymëzuar. Rri në shtëpi me libra, kërkime, stërvitje, udhëtime.


Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava, të gazetës Shqiptarja.com(print), 8 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ