Emërimi i Bledi Çuçit si ministër i ri i Brendshëm, pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj, për zv.ministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi është një zgjedhje surprizë por e goditur e Ramës. Si një ish ministër i Brendshëm, Koçi tha në emisionin "Repolitix" se Bledi Çuçi i plotëson të dy dimension edhe atë politik edhe atë teknik dhe është person që ka kontribute në PS.

"Ndër emrat që diskutoheshin në publik nuk ishte përmendur ndonjëherë Bledi Çuçi dhe në këtë kuptim mund të quhet një lloj surprize. Nëse vijmë tek formati i politikanit që është propozuar për ministër i Brendshëm është një figurë politike e lartë në PS por dhe figura teknike, ku është marrë me reformën territoriale, në shumë aspekte juridike të fushatave zgjedhore dhe propozimeve të ndryshme që ka bërë PS dhe një aktor kryesor në kontributet në parti. Çuçi i ka të dy dimensionet edhe politike dhe teknike. Kështu që ata që debatojnë se një ministër duhet të jetë politik apo teknik, Çuçi i ka të dyja. Për mua është një gjetje e goditur", tha Koçi.

Ndërsa për analistin Ergys Mërtiri përtej dimensionit politik e teknik të Bledi Çuçit, ai nuk e ka profilin e një ministri të Brendshëm, pasi nuk është marrë me botën e krimit apo funksionimin e policisë.

"Për mua përtej profilit politik ku nuk është i përfolur si shumë të terë dhe profilit teknik të tij, është thjeshtë një zgjedhje e radhës së Ramës për të shtyrë qeverinë deri në zgjedhje. Ai nuk do të jetë një ministër afatgjatë që do të lërë ndonjë gjurmë aty. Ministri i brendshëm kërkon një profil tjetër, që Çuçi nuk e ka. Duhet të jesh marrë me botën e krimit, si funksionon policia dhe ministrat e Brendshëm kanë qenë të përgatitur për këtë, ndërsa Çuçi jo", tha Mërtiri.