TIRANË- Masakra e Velipojës me 4 të vrarë në mes të sezonit turistik akoma pa përmbyllur lejet për stacione plazhi, ende nuk i ka të gjithë përgjegjësit në pranga, me 3 persona në kërkim. Aksidenti tragjik në autostradën Fier-Vlorë ende i ka të freskëta plagët e dhimbjes për shuarjen e një familje kthyer nga emigrimi për pushime në Shqipëri. Megjithatë, ajo që u premtua, se këto 2 ngjarje e shumë të tjera ndodhur së fundi, do të përshpejtonin reformimin e Policisë së Shtetit, tashmë është fakt.

Një sërë ndryshimet në nivel drejtuesish në strukturat vendore e qendrore të Policisë së Shtetit, u firmosën nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Ristrukturimi filloi nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, me largimin e Niko Brahimajt dhe emërimin e tij në krye të Institutit të Policisë Shkencore. Kryepolici i Shkodrës tashmë është Skënder Hita, që deri më parë, mbante postin e zv.drejtorit në Policinë e Gjirokastrës. Me përvojë edhe në drejtimin e Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka pas funksionit në krye të departamentit të Sigurisë në Policinë e Shtetit, emërohet drejtor në Elbasan, një qark jo pak i lehtë sa i përket ngjarjeve kriminale që e kanë prekur në kohë. Vendin e tij e merr Neritan Nallbati, i cili lë drejtimin e Policisë së Beratit.

Në Vlorë, drejtimin e policisë e merr Bledar Çelijku, i cili vjen nga i njëjti pozicion, por në Berat. Karriera e Edmond Tarkaj si drejtor i Policisë Rrugore zgjati shumë pak. Ai do të transferohet në policinë e Beratit, ndërsa në postin drejtues të tij të Rrugores, do ta marrë Dhimitraq Ziu. Në vend të tij, si drejtor për sigurinë në policinë e Tiranës , kryepolici Veliu emëron, Luigj Vathi ish-drejtor i kufirit në Vlorë.

Edhe drejtoria e Durrësit preket nga ndryshimet. Lorenc Shehu lë drejtimin dhe shkon kryepolici i Lezhës, ndërsa Policinë e Durrësit do e drejtojë një shef komisariati, Oltion Bistri që largohet nga komisariati 2 në Tiranë. Ardian Çipa drejtor i Policisë së Tiranës në kohën e Saimir Tahirit, që u transferua për vite në Akademinë e Sigurisë, do të marrë sërish post drejtues. Ardi Veliu ka firmosur emërimin e tij në krye të Policisë së Korçës.

Lëvizjet në Policinë e Shtetit
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Skënder Hita transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë     Vendore të Policisë Shkodër.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Bledar Çeliku transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Ferdinant Mara transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Gjovalin Loka ish-Drejtori i Departamentit për Sigurinë emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Lorenc Shehu transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Nr 2 në Tiranë Oltion Bistri transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ardian Çipa deri tani në Akademinë e Sigurisë transferohet dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Hamdi Fjore deri tani zv.dr i DVP Korçë  transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore, transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Dhimitraq Ziu deri tani zv.drejtor për sigurinë në DVP Tiranë , transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Rrugore.
Luigj Vathi drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë  deri tani  transferohet dhe emërohet Zv.drejtor për sigurinë ne DVP Tiranë.
Neritan Nallbati deri tani drejtor i DVP Berat transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë  së Shtetit. 
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Niko Brahimaj transferohet dhe emërohet Drejtor i Institutit të  Policisë  Shkencore.