Emigrantët dhe një majmun në Sauk terrorizon shqiptarët?

Emigrantët dhe një majmun në Sauk terrorizon shqiptarët?

Majmuni endet mendueshem ne Sauk

Është për t’u habitur se si rastësia ndonjëherë sjell ngjarje dhe argumente kurioze afër njëra-tjetrës. Ndërsa disa prej nesh janë tepër të frikësuar dhe të irrituar se emigrantët që do të sillen nga Italia në kampin e Shëngjinit dhe të Gjadrit “do të ndotin” turizmin e sapolulëzuar shqiptar, apo “do të ndotin” racën tonë ariane, një majmun klandestin për më shumë se një muaj endet i lirë rrugëve të Saukut duke “terrorizuar” gjithashtu banorët.

Për emigrantët, të cilët shumica janë afrikanë që ëndërrojnë brigjet italiane dhe të Europës, disa bashkëatdhetarë janë të shqetësuar për ngjyrën e lëkurës së tyre, për agresivitetin që mund të shfaqin duke u arratisur nga qendrat mikëpritëse dhe, me siguri, për lëvizjen e lirë të emigrantëve nëpër Shëngjin e më gjerë. Është e pabesueshme se si një popull emigrantësh siç jemi ne, të vuajtur, të shpërfillur e të përbuzur jo rrallëherë në vende ku kemi kaluar, nxitojmë të jemi po aq diskriminues e dyshues për të tjerë emigrantë që ikin nga vende ku rrezikojnë dhe jetën. Kjo është e pashpjegueshme.

Ndërsa majmuni në Sauk duket se po pëson një fat të përshpejtuar në kohë dhe në hapsirë. Ai është në lëvizje të lirë dhe asnjë autoritet shqiptar nuk merr kompetencën të merret me të; sipas dëshmive të banorëve të alarmuar, policia e shtetit i është afruar, e ka parë, por është shprehur se nuk ka të drejtë ta ndalojë e të gjejë një zgjidhje për banorin e çuditshëm të Saukut; policia bashkiake gjithashtu është shprehur se nuk e ka kompetencën të merret me një majmun, ndërsa Ministria e Bujqësisë, gjithashtu nuk ka në kodet e saj të funksionimit kapitullin “se si mund të veprosh kur një majmun i paidentifikuar sillet rrotull shtëpive dhe rrugëve në Sauk”.

Është e qartë që kur një “e papritur” të vjen në derë, të zotët e shtëpisë duhet të marrin përgjegjësinë dhe dëshirën për ta zgjidhur atë. Kështu na kanë mësuar të parët tanë dhe kështu veprohet me këdo që troket apo “gjendet” qoftë edhe padëshirueshëm në prag.

Mungesa e marrjes së përgjegjësisë, mungesa e dëshirës dhe vullnetit për zgjidhjen e problemit, lënia e përgjegjësisë apo shpresa se “për të çuar bukën në kalanë e Rozafës do të jetë nusja e vëllait më të vogël”, sikur nuk janë karakteristikë e tipikut patriot të Shqipërisë. Emigrantët e Shëngjinit dhe majmuni pa padron në Sauk na kanë vënë në provë... zemërgjerësinë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje