Emra dhe rrugë

Emra dhe rrugë

Foto ilustruese

Më ngazëlleu lajmi që një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e Klodian Rashës, po aq sa më pikëlloi propaganda gjithnjë e tepruar e qeverisjes vendore, që në Shqipëri, duam s’duam bie erë shfrytëzim politik. Njësoj si shumë ndjesi të tjera bardh e zi që përcjell ai vend ku gati çdo gëzim gërshetohet me pikëllim në të njëjtën masë e në të njëjtën kohë.

Kur e lexova lajmin, mendova që në fakt do duhej, madje do të ishte shumë mirë, që shumë rrugë në kryeqytet e gjithandej në Shqipëri të mbanin emrat e qytetarëve viktima të babëzisë politike, e jo vetëm, në vend.

Një rrugë me emrin Aleks Nika diku, e një më tej me emrin Hekuran Deda, e ca më tutje akoma Faik Myrtaj, para se të kthehesh në bulevardin Ziver Veizi, do të na kujtonte të gjithëve – edhe atyre që në kohët e sotme, vetëm 9 vite pas, do kërkonin në google për të parë ç’ka bërë e për të zbuluar ç’i kanë bërë – sa herë ta përshkonim, ashtu me kokën ulur me turp, për të kujtuar se sa i madh është ende sot çmimi i babëzisë kryesisht politike në vend.

Por ajo që më ka dhembur e therrur më shumë e në gjithë këto vite, nuk është fakti që në Shqipëri politika ndërhyn gjithandej e që politika është kudo e që merr gjithça. Por që kolegë që i thërrasin vetes gazetarë, si dhe pronarët e profesionit të fjalës së lirë, nuk kanë se si, duke mos qenë ndryshe nga pjesa dërrmuese e popullsisë dhe profesioneve, të mos i bëjnë temena udhëheqësve të mëdhenj e të vegjël, për të mbushur barkun apo për të shtuar vilat, sipas synimit e investimit.

Me vjen ndot kur shoh se njësoj si në kulturën, e thënë, tipike të Ballkanit e të gjithë Mesdheut, edhe këta presin vetëm që punët t’jua shtrojë e t’jua rregullojë ndonjë këshill evrope, ndonjë organizatë a shoqatë e huaj që këta i tërheqin zilen, ashtu siç presin shqiptarët që drejtësinë në Shqipëri ta sjellë Kimi, e ta vërë Luigi, se ne nuk jemi për atë punë.

Më pikëllon pa masë fakti që media në vend është kthyer në një makth që iu shkakton shqetësim dhe i rrit tensionin shqiptarëve, jo me lajme për fatet e tyre, por kryesisht të atyre që merren me ngjitje-zbritje kolltuku.

Me dërrmon fakti që një pjesë e mirë e tyre tulaten, e nuk marrin përsipër përgjegjësitë e detyrës që kanë zgjedhur të ushtrojnë, e të bëjnë përpjekje për t’i kthyer shqiptarëve në ekran e në gazetë e online po deshe, hallet e tyre e jo ato të partive politike apo të pronarëve, për t’i treguar ku shkojnë paratë e tyre e jo të presin të pikojnë paratë e politikës zhvatëse. E kërkojnë lirinë dhe bërtasin për të sa iu çirret zëri dhe mbrojtjen e duan nga Venecia, por nuk luajnë këmbën që të bëjnë pjesën tyre të detyrës, të jenë të ndershëm, të saktë e kërkues, dhe të përpiqen vetëm me vullnet të mirë të ndriçojnë sadopak një popull viktimë, nëse kjo gjë nuk i shkon për shtat atyre lart tyre dhe atyre edhe më lart këtyre.

Jo të gjithë janë të tillë sigurisht, por në vendin ku hajduti quhet i barabartë me policin, sepse ky i fundit është budalla nëse është i ndershëm e ai tjetri i mënçur, e njëjta gjë vlen për të tërë. Një gazetar i ndershëm, pa parti, vërtet i guximshëm, zbulues e kritik brenda rregullave të profesionit, është po ashtu i barabartë dhe merr të njëjtat çmime me të shiturit, shpifësat, e rrëfyesit partiakë, sepse jo vetëm këta janë të mënçur e ata të tjerët budallenj, por edhe sepse këta të mënçurit i etiketojnë si veten, sa herë hapin gojën, duke lëshuar baltë e shpifje edhe mbi këta « budallenjtë » që duhet të mbajnë mbi kurriz edhe shpifjet, por edhe vështirësitë që sjell ruajtja e integritetit.

Në këtë zallamahi edhe kryetarët e partive edhe pronarët e fjalës së lirë vijojnë të kënaqen duke zgjedhur me dorën e tyre kush është e kush nuk është gazetar, sipas qejfeve e babësisë së tyre. Deklarojnë qëndrime të ububushme në mbrojtje të lirisë së medias, duke lëshuar njëkohësisht qentë e gjahut të kafshojnë ata gazetarë vërtetë të tillë që ju nxjerrin të palarat.

Nëse media në Shqipëri do të kishte vuajtur cungim të vërtetë në kryerjen e detyrës, në atë vend, me ato gjëma, trafiqe e pisllëqe që ndodhin aty, shumë gazetarë tani do të kishin patur fatin fatkeq të koleges së tyre malteze, e cila u hodh në erë sepse zbuloi korrupsionin e qeverisë së vendit anëtar të BE-së, me paratë e kësaj të fundit. Por një pjesë e mirë e kolegëve të mi në Shqipëri preferojnë t’i bien gjithë ditën fyellit të politikës, që natën të bien në shtrat me po atë, pa marrë parasysh dhe pa asnjë pikë përgjegjësie për fytyrën e tyre e as të këtij profesioni të bekuar, që ka në themel përpjekjen me vullnet të mirë për zbulimin e të vërtetave dhe vënien e fajtorëve para përgjegjësisë publike, e jo mbulimin e shtrembërimin e tyre me gjoba për të ngritur edhe më shumë mjegull në shtegun e ujkut që niset të shqyejë qingja.

Do ishte mirë gjithashtu të kishte në Tiranë, aty pranë fakultetit të gazetarisë, edhe ndonjë rrugë me emrin Fatos Baxhaku. Me shpresën se të paktën ata që nisen t’i futen këtij profesioni me synimin që një ditë të ulen në studio e t’i tundin shkopin politikanëve që të tringëllojë roleksi, të hedhin sytë tek tabela e rrugës, e dashtë fati të kuriozohen për të kërkuar në google ç’na kujton ky emër. 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elona: 15/12/2020 15:07

    Shumë i mirë ky shkrim! Trajton me sinqeritet, qartë dhe me pavarësi median shqiptare sot!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja