Shefi i Komisariatit të Devollit, Besim Palamani dhe Shefi i Rendit Admir Belishta janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Dyshohet se dy efektivët kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, transportimin dhe tregtimin e lëndëve drusore për llogari të shtetasve të ndryshëm, duke shmangur shtetasit T.D, A.B dhe N.H. nga përgjegjësia administrative e penale dhe duke dëmtuar interesat e shtetit për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme.
'Sot, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë, në kuadër të proçedimit penal nr. 724 të vitit 2022, ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësve të strukturës së Komisariatit të Policisë Devoll, si më poshtë vijon; - Kryekomisar Besim Palamani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës pnale të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. - Komisar Admir Belishta, me detyrë Shef i Seksionit për Rendin në Komisariatin e Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se punonjësit e mësipërm kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, transportimin dhe tregtimin e lëndëve drusore për llogari të shtetasve të ndryshëm, duke shmangur shtetasit T.D, A.B dhe N.H. nga përgjegjësia administrative e penale dhe duke dëmtuar interesat e shtetit për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme.'- njofton AMP.