Një 46-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.
Ndaj 46-vjeçarit Samuel Garuja, gjykata e Katanzaros në Italii ka caktuar “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Sipas policisë grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.
‘Gjatë operacionit, u lokalizua në Kavajë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar S. G., 46 vjeç. Gjykata e Katanzaros, Itali, më datë 04.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Grupi kriminal ku merrte pjesë 46-vjeçari, dyshohet se gjatë periudhës 2013-2018, ka trafikuar drejt Italisë, sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.’- njofton policia.
Kujtojmë se më 17 korrik 2023, Prokuroria e Catanzaro në Itali mbylli hetimet për operacionin që zbuloi lidhjen midis eksponentëve të krimit shqiptar dhe atij italian të Catanzaro, të akuzuar për një grup kriminal që synonte trafikun e paligjshëm të drogës, zhvatjen dhe marrjen e mallrave të vjedhura. Droga, kryesisht heroinë, vinte nga Turqia dhe, duke kaluar nga Shqipëria, importohej në Itali nëpërmjet portit të Barit, për t’u shpërndarë më pas në qendrat e trafikut të drogës në Crotone, Catanzaro dhe provincat.
Sipas konkluzioneve të hetimeve, Arkez Dibrani ishte në krye të organizatës, me qendër në Shqipëri, nga ku drejtonte trafikun e drogës. Po ashtu, Dibrani u ndihmua nga Samuel Garuja, Isa Garuja dhe Samuel Muça. Të tre ishin përgjegjës për rrjetin e shpërndarjes së drogës në Catanzaro, duke vendosur kontakte me blerësit me shumicë të heroinës.