Emrin e “artit” e ka Sulltan

Emrin e “artit” e ka Sulltan
Në Shqipëri artisti i xhonglimeve ka qenë, mbetet dhe do të jetë, derisa ta lënë, vetëm njëri: Sali Berisha. Siç e tregoi edhe dy ditë më parë në Kuvend, ngado që ta rrëzosh, ai bie sërish në këmbë. Duke qëndruar në pushtet. Duke mbajtur një shumicë të brishtë, por që e mban në krye të vendit. Një ish-mik i tij, më vonë i shpallur armik si një ndër të shumtët që ka shpallur doktori 67-vjeçari, kohët e fundit i ka gjetur emrin e artit: “Sulltani”. Nuk ka lidhje me neo-otomanizmin që ia deklamon homologut turk në Ankara, as me gjakun e shprishur në dejet e shqiptarëve. Turqia t’ia marrë të keqen, sepse ai është Sulltan, edhe pse një i vogël në këtë qoshe të ish- Perandorisë Osmane. Duke mbretëruar gjithçka, duke marrë një nga një të gjitha kalatë, duke blerë “pashallarë” që kanë ndonjë votë, duke shpërblyer spahinj në natyrë apo me poste shtetërore. Marrja e KLD-së ishte kalaja e radhës dhe ai ia arriti, madje duke kërcënuar faqe gjithë botës opozitën se do ta vriste mu aty në shesh po doli prapë si në 21 janar. Sepse ai është sot trimi i mirë me shokë shumë: Ka shtënë në dorë qeverisjen nga qendra në bazë, të mirat materiale. Pronën private e rrotullon sipas interesave të veta. Ka marrë nën vete Gjykatën Kushtetuese që tashmë voton pro tij çdo vendim, gjykatën e lartë që rrëzon çdo akuzë ndaj tij dhe njerëzve të tij, Gjykatën e Apelit po ashtu. Prokurorinë e ka intimiduar, KLSH-në e ka bërë agjenci qeveritare auditi. Parlamenti, ashtu siç e tregoi votimi për anëtarin e KLD-së është një pronë e tij private. KQZ-ja me këtë përbërje dhe atë militantizëm partiak, do ta lërë në pushtet sa të ketë jetën.Mediat po vdesin nën trysninë brutale të pushtetit dhe vetëm ato që bëhen vasale mund të jetojnë me të dhe për të. Shoqëria civile është blerë dhe ka mbyllur gojën, sepse paraja është gjithçka për të, hiq dy-tre kokrra që ende guxojnë të flasin kundër tij jashtë anonimatit. Ka blerë edhe botën, madje deri në SHBA me lobuesit që paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Me këto pushtete të mbledhura rreth vehtes pret qershorin për të rimarrë presidencën pas 15 vitesh të gjata “ekzili”. Ndoshta jo për vete, por për eunukun e radhës, që do shkojë atje që të jetë mbi palët, por “nën Berishën”. Dhe nuk ka Zot që e ndal. Sepse ai bën gjithçka, kur të dojë, si të dojë dhe me këtë të dojë. Zyrtarisht quhet Sali Berisha. Emrin e “artit” e ka Sulltan.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, AMP vë në pranga policin 55 vjeçar

Tiranë/ Ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, AMP vë në pranga policin 55 vjeçar