“Qendra e Studimeve Albanologjike ka tri institute në varësi, ka një drejtor e një nëndrejtor. Pra kjo qendër nuk ka nevojë që të ketë administratë. Ato katër institute gjithashtu nuk kanë nevojë për administratë. Do t’i atashojmë drejtpërdrejtë pranë Akademisë së Shkencave, dhe në pikëpamje ekonomike ka më shumë leverdi. Nuk ka nevojë për shumë kuadro”. Ky ka qenë një ndër argumentet e kryetarit të Akademisë të cilat, kryetari i QSA-së, jo vetëm i kundërshton, por shkon deri atje sa shprehet se QSA dhe kolegët e tij nuk do ta lejojë kryetarin të vendosë për këtë çështja a.
1. Kryetari i Akademisë Myzafer Korkuti ka deklaruar shkrirjen e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është komunikuar tek ju. Si keni reaguar?
Kryetari (?) i Akademisë ka nevojë pikësëpari për një mësim demokracie. Ai ka deklaruar diçka që i tejkalon rëndshëm kompetencat e tij. Qendra e Studimeve Albanologjike është një institucion autonom, që vepron në kornizën e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe s’ka lidhje me Ligjin për Akademinë e Shkencave. Është njëlloj, për shembull, sikur Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike të deklaronte një ditë të bukur, për hak të qejfit, shkrirjen e një universiteti publik, apo në rastin më të optimal shkrirjen e Akademisë së Shkencave dhe integrimin e kësaj në një të ashtuquajtur Akademia Shqiptare e Albanologjisë, që do të mund të ishte QSA-ja e sotme, një institucion i ri që do të mund ta bënte të panevojshme ekzistencën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Një person që mendon të drejtojë një institucion publik, duhet të ketë së paku disa nuanca njohurish juridike, çka i lejon të kuptojë se në çfarë perimetri rreth e rrotull vetes ai është i autorizuar të shkrijë ose të çojë për skrap diçka a dikë. As unë nuk mund të kërkoj shkrirjen e Akademisë së Shkencave në një Akademi Shqiptare të Albanologjisë me bosht institucional QSA-në e sotme, por as Kryetari i Akademisë së Shkencave nuk mund të kërkojë shkrirjen e QSA-së dhe ribashkimin e instituteve të saj me Akademinë aktuale të Shkencave.
Sa i takon vazhdimit të pyetjes tuaj, sqaroj se QSA, në cilësinë e institucionit publik të pavarur, as nuk pret e as nuk lejon që Korkuti t’i imponohet me çfarëdo gjëje qoftë, përveç me ndonjë propozim serioz për bashkëpunim shkencor në fushat e kompetencave të përbashkëta. Në këtë kuptim, deklarata e pakuptueshme e Korkutit mund të ketë prekur vetëm dy a tre punonjës të QSA, të cilët kanë mbetur nostalgjikë të thekur të epokës së përgjumjes akademike.
2. Si e kujtoni historinë e ndarjes së instituteve nga Akademia dhe për cilën arsye u bë pesë vjet më parë?
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, gjatë gjithë çerekshekullit të fundit, është dalluar për një përgjumje fenomenale, dhe kjo për shumë arsye, ndër të cilat më kryesorja besoj se ka të bëjë me mentalitetin e njerëzve që ndihen të tejngopur, duke i pasë marrë të gjitha nderet e mundshme që ua ka mundësuar puna e tyre si profesionistë në një fushë të caktuar të shkencës, ose që ka të bëjë me aftësitë e mirënjohura të disa të tjerëve për të qenë mjeshtër të servilizmit ndaj pushteteve që mbarështojnë servilët e kualifikuar.
Duke menduar se kishin arritur gjithçka, e për më tepër duke qenë përgjithësisht në një moshë mjaft të shtyrë, drejtuesit e Akademisë nuk ishin aspak të motivuar për t’i organizuar dhe për t’i drejtuar njerëzit e shkencës, ashtu siç e kërkon dinamika e pozicionit drejtues në shoqëri. E kështu, institutet shumicën e kohës bënin gjoja sikur punonin, e akademikët gjoja sikur drejtonin. Sistemi i Akademisë kishte mbetur një sistem krejt i mbyllur, ku shpirti i garës dhe konkurrimi paralizoheshin metodikisht dhe pa pikë finese. Shteti paguante kërkues shkencorë pa grada e pa tituj, të cilët në fillim të vitit 2008 përbënin më shumë se gjysmën e departamenteve të instituteve shkencore. Veç këtyre, secili institut i Akademisë mbante daktilografistë, sekretarë e nënsekretarë, përkthyes, financierë e magazinierë pa kurrfarë kriteri e as rendimenti.
Reforma e konceptuar asokohe për shkëputjen e instituteve të albanologjisë nga tutela e Akademisë preku personelin e tepërt dhe atë të pakualifikuar të këtyre instituteve, si dhe ata që vazhdonin të ishin të punësuar aty përtej limitit legal të moshës për punë. Në thelb, reforma e u njohu instituteve të albanologjisë të drejtën ligjore për t’u organizuar sipas modeleve të qendrave kërkimore europiane, pra detyrimisht edhe të drejtën e autonomisë institucionale bazuar në ligj dhe në statut. Institutet e bashkuar në Qendrën e Studimeve Albanologjike trashëguan bazën materiale e shkencore që dispononin nën sistemin e Akademisë, po ashtu edhe stafin shkencor. Kështu u krye ndarja, nuk pati lot të zjarrtë pendese.
Nëse është fjala për çka kujtoj unë në mënyrë të veçantë nga gjithë ajo histori, kjo lidhet me kushtet e tmerrshme të punës në ish Institutin e Kulturës Popullore: mjedise të rrënuara, lagështi dhe kalbësi, gjysmerrësirë edhe në kushtet e ndriçimit maksimal, ngushticë dhe mungesë frymëmarrjeje, një lloj asfiksie që të kapte ende pa kaluar pragun e ndërtesës.
Çfarë do të ndodhë me bashkimin e instituteve nën kupolën e Akademisë?
-Nuk ka kurrfarë gjase që institutet e Qendrës së Studimeve Albanologjike të rikthehen andej nga kanë dalë... Aq më pak kur institutet nuk kanë qenë asnjëherë më parë të bashkuar, përveçse në Qendrën e Studimeve Albanologjike. Në sistemin e Akademisë së Shkencave, institutet kanë funksionuar krejtësisht të ndarë nga njëri-tjetri, me organika, financa e bazë materiale e shkencore më vete. Akademia i mbante të lidhur pas vetes institutet vetëm me anë të “fillit të kuq” e të direktivës politike. Akademia e kishte të lehtë që t’i bënte zap institutet, pasi kishte shtënë në lak drejtorët e tyre, të cilët i emëronte formalisht Kryetari. Sistemi i Akademisë nuk e lejonte, dhe fatkeqësisht ende nuk e lejon, drejtimin kolegjial dhe demokratik. Akademia e sotme e Korkutit sërish po dëshmon se nuk di të drejtojë ndryshe, përveç me sistem kupole, ku pakica vendos dhe shumica ngre dorën. Në Qendrën e Studimeve Albanologjike institutet e drejtojnë vetë punën e tyre, përmes Senatit Akademik, Këshillit Administrativ, Këshillave Shkencorë, Këshillave të Profesorëve dhe drejtuesve e përgjegjësve të njësive përbërëse. Anëtarët e këtyre forumeve nuk janë administratë në kuptimin klasik të fjalës, por punonjës me grada shkencore e me tituj akademikë, të interesuar drejtpërdrejt për punë rezultative dhe për mundësi evoluimi në karrierën profesionale të secilit koleg. Në fakt, e gjithë QSA funksionon me një administratë krejtësisht minimale dhe krejtësisht të orientuar në shërbim të përmbushjes së misionit shkencor të institucionit.
Mendoni ju se duke qenë të vendosur vetëm nën drejtimin e Akademisë kursehen administrata dhe rroga, siç u shpreh kryetari Korkuti?
-Korkuti mund të shprehet si t’ia dojë qejfi, por faktet e cituara më lart flasin kundër iluzioneve të tij. Unë sapo ju tregova se çfarë u kurseu shtetit dhe taksapaguesve reforma e vitit 2008, e cila u finalizua me krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe me çlirimin e instituteve shkencore nga Akademia. Secili nga dy institucionet, si QSA ashtu edhe Akademia, evoluojnë tashmë në rrugën e vet: për QSA-në kjo rrugë përcaktohet në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe në Statut. Nëse Korkuti shpalos sërish logjikën e sloganit famëkeq “kursim, kursim dhe përsëri kursim”, këtë logjikë le ta zbatojë në institucionin e tij. “Kursimi” në QSA lidhet me rezultatet dhe me rendimentin e punëve: gjatë këtyre pesë vjetëve në QSA janë bërë shumë punë me fare pak fonde dhe vetëm me gjysmën e ekipit që kishin institutet kur ishin nën tutelën e Akademisë. Sigurisht që në QSA do të bëhen akoma më tepër punë dhe akoma më mirë, kur financimet për funksionimin e institucionit dhe shpërblimi për punën e punonjësve të afrohen me nivelet mesatare të institucioneve kërkimore-shkencore homologe në vende të tjera.
Çfarë problemesh dalin nga ribashkimi i Instituteve me Akademinë?
-Guxoj të besoj se ky projekt fle vetëm në mendjen e Korkutit, i cili, duke mos pasur një koncept të qartë se si mund ta nxjerrë Akademinë nga anemia, i kthehet idesë aspak origjinale për t’i rifutur institutet albanologjike në vathën e Akademisë së tij. Por ka ikur koha kur kupola e Akademisë i përdorte punonjësit e instituteve si “zezakë të shkencës”: në rastin më të mirë si daktilografistë që duhej të zbardhnin idetë e udhëheqjes, e në rastin më të keq si anonimë që duhej të hartonin veprat e nënshkruara nga drejtuesit e kupolës dhe udhëheqësit. Shqipëria po integrohet në Europë, kurse kampi socialist, që shpiku rrjetin e akademive të tipit kombinat metalurgjiko-shkencor, ka dëshmuar inefiçencën e vet në të gjitha drejtimet.
Cili është reagimi i kolegëve të tu. Si e kanë pritur?
-Kolegët e mi, përjashto fare pak të afërm ideologjikë të Korkutit, me thënë të drejtën, e me thënë shqip, kanë nënqeshur ftohtë, për të mos thënë se kanë tallur b... me qasjet donkishoteske të intervistës së fundit të Korkutit tek Shqiptarja.com.
Çfarë planesh keni për QSA-në, çfarë projektesh janë nisur që mund të shkatërrohen ose përndryshe stimulohen nëse bashkoheni me Akademinë?
-Në QSA po punohet intensivisht për disa projekte me rendësi gjithëkombëtare, siç janë: hartimi i disa volumeve me titull “Historia e shqiptarëve në shekullin XX”, për botim të afërt në shqip dhe në anglisht; hulumtimet në fushën e gjuhësisë së zbatuar, ato për serinë e fjalorëve elektronikë dhe ato për hartimin e thesaurus-it (bazës së të dhënave) të shqipes; puna intensive me fondet arkivore të arkeologjisë, të etnokulturës, të historisë dhe të gjuhësisë, njëkohësisht për përmirësimin e kushteve të konservimit dhe për informatizimin cilësor të imazheve; bashkimi i instituteve të albanologjisë në një ndërtesë, aty ku aktualisht ndodhet selia e QSA-së, me qëllim krijimin e kushteve cilësore në mjedisin e punës e njëkohësisht forcimin e kolegjialitetit e të ndërdisiplinaritetit.
Për fatin e keq të akademikëve që lakmojnë institutet e QSA-së, institucioni ynë ka edhe fusha të tjera veprimtarie, të cilat e tejkalojnë krejtësisht Akademinë dhe vokacionin e saj tradicional: e kam fjalën këtu për shkollat e Masterit dhe të Doktoraturës, të hapura në vitin 2009, përmes të cilave QSA siguron vazhdimësinë e ekselencës shqiptare në fushën e studimeve albanologjike. Cili organizëm i Akademisë do të mund ta përballonte në auditor një brez të ri, si ai i shkollave të Masterit e të Doktoraturës, një brez të hapur ndaj dijeve dhe ndaj informacionit, i cili zotëron në nivel shumë të mirë disa gjuhë të huaja, apo që përdor në mënyrë krejtësisht autonome mjetet moderne të teknologjisë së informacionit? Nuk besoj aspak që sistemi i Akademisë aktuale mund të dëshmojë energjinë dhe dinamizmin e nevojshëm për t’ua dalë në krye me sukses gjithë këtyre punëve, aq më pak që të ndihmojë në realizimin e projekteve të nisura nga kërkuesit shkencorë të QSA.
Përkundrazi, nëse institutet albanologjike do t’u besoheshin censurës dhe klanizimit tradicional të Akademisë së Shkencave, jam i sigurtë për të kundërtën, pra për ndalimin e menjëhershëm të projekteve në proces, ose për rrëshqitjen dhe për devijimin ideopolitik të këtyre projekteve, në mos për shpërdorimin e fondeve financiare, siç ka ndodhur sistematikisht në epokën e Akademisë Absolute.
Pyetja e fundit, keni një koment për mënyrën si u zgjodh Kryetari i Akademisë së Shkencave?
-Unë kam bindjen e patundur se një akademik i denjë për këtë emër, gëzon mes kolegëve profesionistë të fushës një autoritet të padiskutueshëm, i cili buron nga një jetë e kurorëzuar me punë pioniere, me vepra që kanë rëndësi themelore për kuptimin dhe për interpretimin e aspekteve dhe të dukurive të fushave të ndryshme të dijes. Një autoritet i këtillë shoqërohet vetvetiu me një lloj respekti të pakushtëzuar që e tërë shoqëria ua dëshmon dita-ditës figurave të shquara të botës akademike. Në këtë kuptim, për njerëzit e kulturës, të artit dhe të shkencës pranimi në Akademinë e Shkencave vlerësohet si kulm i një karriere të merituar, e cila, për të mbetur e tillë, dëshmohet e provohet më me spikamë dhe në vazhdimësi gjatë gjithë viteve të akademizmit.
Shqipëria ka pasur dhe fatmirësisht ka figura të këtilla, qoftë në Akademinë e vendit, qoftë në Akademi të tjera të globit. A janë të këtij rangu akademikët e porsazgjedhur në forumin drejtues të Akademisë së Shkencave? Kolegët e tyre që i kanë votuar, e dinë me siguri përgjigjen.
Kurse, për sa i takon mënyrës si u zgjodh Kryetari i Akademisë së Shkencave, meqenëse ju e kërkoni medoemos komentin tim, ky është krejt i shkurtër: në kontekstin e Akademisë aktuale, mendoj se titullin Akademik e meritojnë vetëm ata akademikë që nuk kanë pranuar të bëhen figurantë të një farse zgjedhore e cila i bie ndesh statutit që e kanë votuar vetë, pra ata që nuk janë paraqitur në votim, me vetëdijen për të mos e përlyer figurën e tyre me shfaqje të tipit estradë për klasën punëtore.
(*Prof. Dr. Ardian MARASHI, drejtor / rektor i Qendrës së Studimeve Albanologjike)
Shkrimi u publikua sot (29.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)