Gati 80 për qind e energjisë elektrike që hidhet aktualisht në rrjet blihet në import. Thatësira e tejzgjatur ka shterruar nivelin e Fierzës, që të hënën zbriti nën kuotën më të ulët të shfrytëzimit dhe po prodhon me kapacitet minimal.

Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, uji në ujëmbledhësin e Fierzës aktualisht është në kuotën vetëm 269 metra mbi mivelin e detit. Për të mos lejuar rënien e rezervës, Koorporata po përpunon vetëm prurjet natyrale, që janë jashtëzakonisht të pakta: 20 m3/sek. 

Kjo sasi energjie shkon për të mbuluar nevojat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për ruajtjen e parametrave teknikë dhe humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shumë pak për furnizimin me energji. 

Ndërkohë, Operatori i Shpërndarjes po përgatit një tjetër procedurë për import për muajin gusht, që synon blerjen e 30 milionë kilovatorëve energji, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta. Vetëm për muajin korrik dhe gusht, OSHEE shpenzoi 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Por procedura e re pritet të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të periudhës aspak të favorshme të çmimeve në bursë. 

Sipas ekspertëve, nëse thatësira do të zgjasë, në muajin shtator vendi rrezikon varësi totale nga importi. Në këto kushte, blerja e energjisë do të tejkalojë mundësitë financiare të OSHEE-së, duke kërkuar deri edhe ndërhyrjen e buxhetit të shtetit. Por ajo që konsiderohet si “goma e shpëtimit” financiare, kredia prej 22.4 milionë eurosh e Bankës Botërore, që do të autorizonte KESH-in të nisë importin me këtë fond, nuk po lëvrohet ende nga kjo bankë.
 
Prodhimi

Deri në 2050, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël në Shqipëri pritet të bjerë me rreth përkatësisht, 15% dhe 20%, për shkak të rënies me 20% të shirave në stinën e verës deri në 2050. Alarmin e ka dhënë Ministria e Bujqësisë në draftstrategjinë për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Strategjia, e cila aktualisht është në proces diskutimi, ka marrë në konsideratë të dhëna të mëparshme nga Banka Botërore.

Ndryshimet klimaterike të viteve të fundit tregojnë se basenet e HEC-ve janë përballur me situata ekstreme, herë me tejmbushje nga reshjet e shumta, që kanë shkaktuar përmbytje, e herë më thatësira si kjo e kësaj vere, ku vendi po plotëson nevojat e furnizimit kryesisht nga importi.

Reshjet e dendura të shirave (që parashikohen të jenë më të shpeshta) së bashku me shkrirjen e shpejtë të dëborës për shkak të temperaturave të larta në stinën e dimrit, mund të jenë një kërcënim për sigurinë e digave, duke i bërë komunitetet dhe zonat e banuara afër tyre të jenë të ekspozuara nga përmbytjet dhe/ose rrjedhjet e mundshme nga rezervuarët e hidrocentraleve.

Ky efekt bëhet akoma më i madh për shkak të ndryshimeve në sasinë e reshjeve, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura pas periudhave të gjata me thatësirë, duke shtuar këtu ndryshime në bimësi (shpyllëzimet) përgjatë rrjedhave të ujit, proçeset gjeologjike, etj.


dy.b/shqiptarja.com