Enrik Banushi është larguar nga posti drejtuesit të Illyrian Guard, shoqëria policore që është me kapital 100% shtetëror. Në vend të tij është emëruar Florenc Spaho, i cili më parë për një kohë të shkurtër ka mbajtur dhe postin e drejtuesit të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu bëri sot prezantimin e Spahos, duke e cilësuar si hapjen e një kapitulli të ri për këtë kompani sigurie.
Gjatë prezantimit, Ministrja theksoi se ndryshimi në lidership nuk përfaqëson vetëm një emërim të ri, por mbi të gjitha një vizion të qartë për transformimin e "Illyrian Guard" në një model shërbimi me standarde të larta profesionale dhe cilësi të qëndrueshme.
“Qëllimi ynë është i qartë, ta kthejmë "Illyrian Guard" në një kompani moderne, efektive dhe referencë në sektorin e sigurisë, një partner të besueshëm për institucionet publike dhe private që kërkojnë shërbime sigurie profesionale me standarde të larta,” u shpreh Ministrja.
Ajo nënvizoi se fokusi do të jetë te forcimi i kapaciteteve menaxheriale, rritja e profesionalizmit të personelit dhe garantimi i shërbimeve të sigurta, transparente dhe në përputhje me kërkesat bashkëkohore të tregut të sigurisë.
Komente











