Në vitin 1942 Skrapari bëhet vendi ku lindi e u frymëzua “lëvizja balliste”. Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje ishin intelektualë skraparllinj si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani etj. Megjithëse skraparllinj, - tregon Skënder Malindi, - nuk mundën asnjëherë të kishin influencën e Gjin Markut”.
Ndoshta kjo edhe për arsye se “Balli” u krijua kur misioni që kishin skraparllinjtë me Gjin Markun për lirinë e vendit në luftën kundër fashizmit, kishte nisur dhe ishte e pamundur të mbetej në gjysmën e rrugës. Nga ana tjetër, siç e pohojnë bashkëkohësit veteranë te luftës na rezulton se një nga meritat e mëdha të Gjin Markut është, se ai nuk e shfrytëzoi asnjëherë fuqinë e tij për të djegur e për të vrarë kundërshtarët e tij ballistë etj. Kjo qe pikërisht pika më e fortë e tij ç’ka e bënte atë të ishte njeriu më influent, jo vetëm në Skrapar, por edhe në Berat, Përmet, Mallakastër, Fier, Lushnjë etj.
Në pranverën e vitit 1943 krerët ballistë, Abaz Ermenji dhe Muharrem Kapllani i propozuan Gjinit organizimin e një aksioni të përbashkët “ballisto-partizan” për çlirimin e Beratit. U ra dakord, por në momentin kur ballistët ngulën këmbë që në shtabin drejtues të këtij operacioni do të kishte 3 (tre) ballistë dhe vetëm 1 (një) partizan, Gjin Marku e hodhi poshtë këtë projekt që mbeti vetëm në letër. Arsyeja kryesore lidhej me faktin se raporti i forcave ishte krejt tjetër në terren në mënyrë të pakrahasueshme dhe në favor të forcave partizane të udhëhequra nga Gjini. Po kështu kundërshtimi lidhej dhe me faktin tjetër se në rast fitoreje, Balli kërkonte të përfitonte në kurriz të forcave partizane kredibilitetin e udhëheqjes së “luftës”, kur në terren kishin pak forca. Megjithatë ballistët provuan të nisnin një aksion i cili dështoi, pothuajse pa nisur.
Ndërkohë në territoret e Mallakastrës dhe të Fierit e Lushnjës vepronte një çetë kaçakësh që e quante veten çetë balliste, por në fakt ishte më tepër një bandë kriminale dhe deri në atë kohë nuk influencohej akoma nga krerët e Ballit. Komandën e kësaj bande e kishte Isa Toska, i cili jo vetëm ishte vegël dhe bashkëpunëtor i bindur i fashistëve, por kishte kryer shumë krime, duke vrarë e djegur e plaçkitur popullin e pafajshëm.
Në mes të korrikut 1943, Mehmet Shehu i cili në këtë kohë vepronte në krye të disa forcave partizane në Mallakastër, i dërgon një letër Gjin Markut, drejtuesit kryesor të lëvizjes antifashiste në qarkun e Beratit, ku dhe Mallakastra bënte pjesë. Kjo letër ishte kërkesë për ndihmë me forca nga Skrapari (që në këtë kohë kishte forcat më të organizuara dhe më të sprovuara në luftë), në luftë kundër italianëve dhe forcave të ballistit Isa Toska. Gjini, pas kësaj dërgoi rreth 100 partizanë nga Skrapari në ndihmë të forcave të Mehmet Shehut. Pas këtyre veprimeve koordinuese luftarake deri në këtë kohë, si dhe me udhëzimet që kishte dhënë Shtabi i Përgjithshëm, u krijuan kushtet për formimin e Brigadës së Parë Sulmuese, më 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës, njësia më e madhe luftarake deri në këtë kohë. Komandant u caktua Mehmet Shehu, ndërsa komisar Tuk Jakova. Në këtë brigadë, Gjin Marku dërgoi nga Qarku i Beratit forca që përbënin Batalionin II të Brigadës I-S, shumica nga Skrapari dhe Mallakastra.
Me forcat e tjera të Qarkut të Beratit që nuk u inkorporuan në Brigadën I-S, Gjin Marku projektoi dhe bëri rrethimin e Beratit, nga Qafa e Pasvanit deri në Vodicë. Po në këtë kohë, Isa Toska me forcat ekstremiste balliste, bashkë me forcat fashiste italiane, përgatitën planin për zhdukjen sipas tij, të së ashtuquajturës “Republika rebele e Skraparit”. Në një bisedë që Isa Toska zhvilloi me Komandantit e Xhandarmërisë së Beratit, tha që do ta bëjmë Skraparin si Abisininë dhe drejtuesin e saj si Negusin (ish-Mbreti i Abisinisë para pushtimit nga Musolini në vitin 1935).
Në gjurmët e këtij plani ranë forcat antifashiste dhe Gjin Marku, duke u informuar për detajet e planit, por dhe për deklaratat e mësipërme. “Në këtë situatë, - dëshmon veterani S. Malindi, - sa të lodhej Isai për të ardhur te ne, vajtëm ne tek ai. Luftimet tona shpartalluese ndaj bandës së tij u zhvilluan në fshatin Luarë (afër Roskovecit)”.
Në këto luftime u vranë 5 partizanë. Këtu u plagos për herë të dytë dhe veterani Skënder Malindi, një nga bashkëluftëtarët më të afërt të Gjin Markut. Në krahun tjetër, forcat e Isa Toskës u shpartalluan plotësisht, duke u vrarë me dhjetëra prej tyre, pjesa tjetër u zunë robër. Vetë Isa Toska me vëllanë e tij shpëtoi duke u larguar pa kaçakët e tij (robër e të vrarë). Kjo ishte ngjarja e fundit pasi më 8 shtator 1943, Italia kapitulloi nga Lufta II Botërore.
d – “Kompromisi” i Beratit dhe Gjin Marku
Sikurse e kemi përmendur pak, ngjarja e fundit që ka të bëjë me veprimet luftarake mes forcave tona dhe forcave ushtarake fashiste italiane e “veglat” e tyre, bandën me frymëzim ballist të Isa Toskës, kishte sjellë shpartallimin e plotë të kësaj bande (fundi i gushtit – fillimi i shtatorit), por shënonte dhe betejën e fundit me italianët pasi më 8 shtator 1943, Italia Fashiste kapitulloi pa kushte nga Lufta II Botërore. Kjo solli largimin e trupave ushtarake italiane, për rrjedhojë dhe largimin e tyre nga baza ushtarake e Beratit, një nga bazat më të mëdha të asaj kohe.
Formacionet luftarake kryesore partizane (të Qarkut të Beratit), më të stërviturat ishin inkorporuar rreth 2 javë më përpara, siç e kemi thënë më lart, në Brigadën I-S në Qarkun e Korçës, ndërsa forcat e tjera të lodhura nga betejat e shpeshta nga qershori e korriku në Përmet-Kuqar, në gusht në Mallakastër, së fundi dhe në betejën për shpartallimin e bandës së Isa Toskës të mbështetura e të ndihmuara nga forcat italiane, e patën të domosdoshme një kohë të shkurtër për të marrë veten dhe gradualisht për t’u riorganizuar.
Në situatën e re partizanët u vendosën në bazën e Beratit, ku magazinat e “pafundme”, të mbushura me ushqime shërbyen për furnizimin e tyre me ushqime, armatime e veshmbathje. Bashkë me këto forca partizane, një pjesë të kapanoneve e zunë forcat balliste të Abaz Ermenjit dhe të Ali Këlcyrës.
Në këtë kohë, pa u larguar mirë ushtria italiane, pas kapitullimit të Italisë nga Lufta II, në Kuçovë, shumë afër Beratit ishte instaluar një repart ushtarak nazist gjerman, me mjete të motorizuara dhe me një numër avionësh luftarakë, të quajtur “Stukas”. Edhe këto forca në këtë situatë “nuk pengoheshin” nga partizanët të merrnin herë pas here furnizime me ushqime në Beratin e “zbrazur” nga italianët.
Kjo “paqe” në heshtje, ekzistoi dhe ishte në favorin e forcave partizane, për dy arsye:
1 – Arsyeja e parë lidhet me faktin se këto forca të pakta në numër, por sidomos shumë të pabarabarta në logjistikën luftarake me armikun e ri, nazistët gjermanë, nuk mund të ballafaqoheshin në asnjë mënyrë, në ato momente me ushtrinë gjermane.
2 – Arsyeja e dytë lidhet me nevojën që kishin forcat partizane për pak kohë për t’u riorganizuar, për t’u furnizuar, por sikurse thonë dëshmitarët veteranë: “Ne përfituam shumë duke marrë mall pa fund (ushqime, armatime, veshmbathje etj.) dhe duke e transportuar në thellësi për në Skrapar, për popullin e sidomos për të fuqizuar logjistikën tonë në shërbim të betejave të gjata që na pritnin në të ardhmen me nazistët gjermanë”.
Këtë situatë Enver Hoxha e përdor si një rast për të spostuar Gjin Markun nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, duke e quajtur situatën si kompromis e bashkëpunim me gjermanët, dhe Gjin Markun si përgjegjësin kryesor.
Në një qarkore që po paraqesim duket se Enveri e shfrytëzon këtë moment si të përshtatshëm për “t’i ulur kokën” Gjin Markut:
“Kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija që mund të ketë bërë ndonjë qarkor i Partisë. Të gjitha mund të priteshin, por një vepër e tillë nuk mund të pritej kurrë nga juve. Këto janë konseguencat e shkëputjeve të lidhjeve me Komitetin Qëndror. Ky kompromis i juaj me gjermanët do të jetë një nga pikat e bisedimeve të mbledhjes së ardhëshme të Kom. Qëndror...
Qarkorja që ju dërgohet duhet të punohet me kujdesin më të madh në qarkor, ku të marrin pjesë të gjithë antarët e tij, si dhe shoku Gjin Marku i cili të thrritet apostafat për këtë gjë.
Të fala shoqnore
Për Komitetin Qëndror Shpati”.
Në fakt Enveri edhe vetë e dinte se në atë situatë u bë më e mira e mundshme, por “krijimi i idesë së kompromisit me gjermanët”, do t’i shërbente atij si mjeti dhe mënyra më e mirë për të luftuar dhe eliminuar “një rival” sipas tij, që për hir të së vërtetës deri në atë kohë Gjin Marku kishte një reputacion dhe një famë që e shqetësonte Enverin. Skënder Malindi dhe ish-bashkëluftëtarë të tjerë të Gjin Markut kujtojnë dhe dëshmojnë se “Gjini u shmang nga udhëheqja kryesore e PKSh, pasi Enveri shihte te ky njeri personin me reputacion dhe mbështetje të madhe, jo vetëm të partizanëve, por edhe të popullit të Skraparit, Beratit, Përmetit, Lushnjës, Fierit e më gjerë. Gjin Marku deri në këtë kohë kishte më tepër emër se Enveri dhe do të ishte një pengesë për karrierën e Enverit në të ardhmen”.
Në fakt siç e kemi trajtuar dhe sidomos siç do të shohim më poshtë, formacionet e themeluara prej Gjin Markut, si: Brigada VII Sulmuese dhe Divizioni VI Sulmues, bënë betejat më të bujshme me forcat ushtarake naziste, duke u ndeshur “dhëmbë për dhëmbë” me gjermanët dhe duke çliruar me radhë disa qytete e krahina, si: Beratin, Fierin, Roskovecin, Lushnjën, Mirditën, Lezhën, Shkodrën, Podgoricën, Vishegrad (Bosnja Jugore) e deri në Kosovën Veriore. Kështu të gjithë ata që mendojnë se Gjin Marku ka bashkëpunuar me nazistët, janë tendenciozë dhe mashtrojnë në mënyrë të paturpshme. Ai qe një kampion i vërtetë i kësaj lufte.
Gjin Marku – Komandant i Brigadës VII-S
Krijimi i strukturave të reja antifashiste në fundin e vitit 1943 dhe gjatë vitit 1944 në Qarkun e Beratit. Brigada VII-S
Më 10 korrik të vitit 1943 qe formuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, një nga themeluesit kryesorë të të cilit ka qenë Gjin Marku. Komandant i këtij Shtabi qe caktuar Spiro Moisiu – një ushtarak i zoti, i shkolluar në Perëndim dhe Komisar u caktua Enver Hoxha.
Orientimi kryesor i këtij Shtabi ishte rritja e shkallës së organizimit dhe e koordinimit të veprimeve luftarake. Kështu gradualisht do të kalohej nga një luftë e fragmentarizuar (partizane), në një luftë në front të rregullt si një domosdoshmëri për të ndërmarrë veprime luftarake çlirimtare për gjithë vendin. Në funksion të këtij momenti të rëndësishëm për Luftën tonë Nacionalçlirimtare, kishte nisur procesi i formimit të formacioneve të mëdha si grupe, brigadë etj. Në Qarkun e Beratit falë zhvillimeve që kemi përshkruar sadopak, vihet re se ishin krijuar kushtet për të hyrë në këtë fazë.
- Në fundin e vitit 1943, Gjin Marku formoi Grupin I të Myzeqesë me komandant Rrahman Rucin nga Karbunara. Ky grup përbëhej nga tre batalione.
- Po në dhjetor të vitit 1943, u formua Grupi II, ai i Shpiragut, me komandant Vangjel Dogën nga Berati.
- Në janar të vitit 1944 formohet Grupi III, ai i Skraparit, me komandant Zylyftar Veleshnjën.
Gjithë veprimtaria organizative e strukturave luftarake e Qarkut të Beratit në fund të vitit 1943 – fillim të vitit 1944, kulmon me formimin e Brigadës së Shtatë Sulmuese.
Ky eveniment i historisë së Luftës sonë Antifashiste ndodhi më 17 mars 1944, në Vlushë të Skraparit, ku u formua Brigada VII Sulmuese, këtë radhë me komandant Gjin Markun.
“Brigada VII-S u krijua më 17 mars 1944 me tre batalione.
Partizanët e Batalionit të Parë vinin nga Batalioni i Rinisë së Qarkut të Beratit. Në këtë batalion u rreshtua edhe një kompani e ardhur nga Devolli, e cila para se të vinte këtu kishte bërë në batalionin “Fuat Babani”.
Partizanët e Batalionit të Dytë vinin nga Batalioni “Riza Cerova”, “Tefik Lapani” e “Refik Aranitasi”. Batalioni i Tretë përbëhej kryesisht nga partizanët e zonës operative Vlorë-Gjirokastër”.
Brigada VII në mbrojtje të Kongresit të Përmetit.
Brigada VII Sulmuese çliroi Myzeqenë dhe Beratin
“Në Kongresin e Përmetit Gjini ka mbajtur një fjalë shumë të rëndësishme dhe që iu jepte zemër të gjithë delegatëve. Në këtë fjalë vihej re angazhimi dhe optimizmi i Gjinit, për ta ndjekur ushtrinë naziste jo vetëm nëpër Shqipëri, por dhe jashtë saj, deri në Berlin”.
Këto fjalë të thëna në Kongresin e Përmetit nga Gjin Marku, në fakt i përbënin njëkohësisht një zotim. E këtë zotim e ndjesi urrejtjeje ndaj ushtrisë hitleriane kush mund ta kishte më tepër se Gjin Marku e bijtë e popullit të Skraparit e të Beratit që, kishte kohë që luftonin dhëmbë për dhëmbë me nazistët.
Operacionet kryesore luftarake të Brigadës VII Sulmuese me Komandant Gjin Markun kishin filluar që në pranverë të vitit 1944. Taktika e ndjekur ishte goditja e garnizoneve naziste në gjithë territorin e Qarkut si në fshatrat e Skraparit, të Beratit deri në afërsi të Përmetit. Qëllimi i këtyre veprimeve goditëse ishte i dyfishtë:
Në radhë të parë, kjo Brigadë kishte marrë detyrën që të mbronte Përmetin e lirë, pasi aty ishte vendosur që të bëhej më 24 maj 1944 Kongresi Antifashist, që ka hyrë në histori me emrin “Kongresi i Përmetit”.
Në radhë të dytë, synimet e Brigadës VII ishin çlirimi i Beratit, i Kuçovës, i Urës Vajgurore dhe i Myzeqesë. Falë aksioneve të suksesshme të batalioneve partizane, të trimërisë së treguar prej tyre, armiku për shkak të kësaj lufte u fut gradualisht në strofkën e tij në Berat e Kuçovë. Që nga muaji prill 1944 e deri në 13 qershor të këtij viti kur çlirohet më në fund dhe qyteti i Beratit, nuk pushuan aksionet luftarake të luftëtarëve të Brigadës VII Sulmuese. Detajet e këtyre betejave luftarake që e ngrenë lart famën dhe lavdinë e kësaj Brigade dhe të Komandantit të saj, Kolonel Gjin Markut, janë të pasqyruara në librin “Historiku i Brigadës VII Sulmuese”, botim i vitit 2002.
Kur bisedojmë me veteranë bashkëluftëtarë të Gjin Markut, të gjithë me një zë thonë: “Gjin Marku ishte njeri tolerant e i këndshëm në biseda, por nga ana tjetër ai kishte kurajë shumë të madhe dhe ishte trim deri tek ai”. Në ditët e luftës së madhe për çlirimin e Beratit, në fillim të shtatorit 1944, pati një moment lodhjeje nga forcat tona. Kjo lodhje u reflektua edhe te të gjithë anëtarët e Shtabit të Brigadës, e shprehur kjo në mendimin e tyre për të bërë një tërheqje taktike dhe për të sulmuar më vonë. I vetmi që kundërshtonte dhe thoshte se nuk ka kthim prapa sepse armiku është në pikën kritike dhe duhet t’i japim grushtin e fundit, ishte Komandanti Gjin Marku. Kështu, Gjini ka pasur një rol vendimtar si kudo tjetër dhe në çlirimin e beratit”.
Brigada VII-S çliron Mirditën, Lezhën, Shkodrën,
për të vazhduar në Jugosllavi
pas çlirimit të beratit dhe të Myzeqesë, Brigada VII Sulmuese marshon drejt veriut të vendit për të çliruar pjesën veriore të vendit. Kolonat e efektivave luftarake të kësaj Brigade lëvizën nga Berati, Kuçova, tek ura e Mirakës në Elbasan këputën Shkumbinin për të shkuar në Çermenikë, Mat e Rrëshen për të rifilluar luftimet me nazistët në Rrëshen-Gëziq-Shpal. Më 26 tetor u çlirua Mirdita, më vonë u çlirua dhe Lezha e Zadrima.
“Në Shpal pas disa goditjeve që i dhamë gjermanëve, u takuam me Tahir kadarenë – Komandant i Divizionit II, Tuk Jakovën – Komisar Divizioni, Gjin Markun – Komandant i Brigadës VII dhe unë – Komandant i Brigadës XXII-S e disa shokë të tjerë ku bëmë disa plane dhe ndamë disa detyra luftarake. Pas shumë kohe u takuam me Gjinin, tani jo si studentë të “Harry Fultz”-it, por si komandantë Brigade. Pas disa aksioneve luftarake, jemi takuar në fund të nëntorit në afërsi të Vaut të Dejës. Aty ne bëmë planin për kalimin e Drinit që ishte mjaft i fryrë nga shirat që kishin qenë ato ditë.
Takuam kryetarin e Këshillit të fshatit Mjedë, Ramadan Velia, i cili na ndihmoi duke na siguruar 2 varka dhe 20 vozitës. Gjatë këtij operacioni për kalimin e brigadave tona matanë Drinit, na i vranë dy vozitës. Pasi kaluam Drinin, Gjini me Brigadën VII lëvizi për t’u vendosur në pozicione luftimi bregut të Drinit deri në rrëzë të Kalasë, në kodrat e Tepes, ndërsa unë me Brigadën XXII-S u vendosëm bregut të Kirit deri tek Ura e Mesit, në të majtë të lumit, pa e kaluar atë”.
Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)