Me 22 nëntor 1943, Enver Hoxha, i shkruan këto radhë brenda një letre të gjatë për Kristo Themelon. Pa u fshehur aspak, drejtpërdrejt ai e orienton Themelkon të marrë drejtimin e luftës në Pezë e të ndryshojë taktikë luftimi. “Mjaft më me mënyrat e vjetra” thotë Hoxha, që duket se kërkon t’i ulë kokën Babë Myslymit.
Letra e papublikuar më parë, e që botohet sot ekskluzivisht nga shqiptarja.com, duhet të jetë shkruar në kohën kur Hoxha qëndronte në Labinot. Ajo gjendet në dosjen 23 të fondit 14 në AQSH së bashku me dy dokumente të tjera, shkëmbyer mes Hoxhës e Themelkos. Dokumentet e kësaj dosje dhe sidomos letra që kemi zgjedhur të botojmë sot, zbulojnë detaje me mjaft interes mbi gjendjen ushtarake, politike dhe organizative në krahinën e Pezës, mbi qëndrimin kundrejt misionit ushtarak anglez, mbi një mbledhje që ka bërë Abaz Kupi për formimin e Partisë Zogiste, mbi tendencën “e shokëve të Partisë së Tiranës” për ta përqendruar punën e tyre vetëm në qytet, etj.
Mjaft ngacmues, në këtë letër që Hoxha i dërgon Kristo Themelkos, është edhe qëndrimi i hapur armiqësor ndaj anglezëve, edhe pse ndihmat e britanikëve ishin të pakursyera në këtë kohë.
Letra trajton edhe çështje të tjera organizative dhe direktiva të partisë, dhe bën përshtypje se nuk mungon as në këtë dokument artikulimi i qartë i Hoxhës për pushkatime ndaj “tradhëtarëve”.
“Për sa i përket ata që kanë dezertuar, e sidomos shokët si Stavri mos i qit jashtë Partis, por i thir në pezë, i shko në Gjyq dhe i pushkato...”
Dokumenti i plotë
Me 22 Nëndor 1943
I dashuri shok Shule,
Mora vesh për luftën e Pezës nga Hulusiu, mbasandaj këndova dhe të dy letrat e tua që i çoje Hysenit. U gëzuam shumë që ay sulm Gjerman nuk na ka kushtuar shumë humbje në njerëz edhe në armatime për sa ju përket juve dua të them zonën e Pezës.
Disa vërejtje desha të bëja për sa i përket këtyre veprimeve, si do që janë vërejtje të përgjithshme që ti i ke konstatuar vetë. Por duhet të mundoheç që pësimet të na bëhen mësime dhe të mos gjendemi më në pozita të këqija.
Hulusiu çështjen e batalioneve të Pezës e bëri një disfatë totale, gjë që nuk e besova. Ay thesh me plot bindje që nga gjithë batalionet kishin mbetur vetëm tridhjet vetë reth Myslimit dhe të tjerët ja u kishin dhënë këmbëve. Një gjë kuptoj dhe këtë ja bëra vërejtje Hulos, që ay s’ka ditur as pak të manovronte dhe të zotëronte situatën. Është e pabesueshme që të linte gjithë materialin e rëndë që nga mitralozat dhe deri te mortajot; pastaj të njëqind mushkat të lëshuara rrugës tamam si në një disfatë komplete. Sigurisht me një manovrim të tillë morali i partizanëve ulet dhe gjithashtu i popullit kur shikon të tërhiqen në këtë mënyrë. Gabimi i dytë i Hulusit ishte se vonoj daljen nga peza dhe mos zbatimi i urdhnave që i dhamë, urdhër që s’ishte dhënë më kot, por me arsye të madhe.
Në këtë çështje keni pas faj dhe ju e sidomos ti. Në as një mënyrë ti nuk duhej të pengoje brigadën të dilte nga terreni i Pezës pse atë e priste një detyrë më me rëndësi dhe në rast se Myslimi tërheqien e Brigadës e merte si keq ti duhesh ta bindje se brigada duhesh pa tjetër të dilte. Nga ana tjetër ti duhesh të mendoje se në një teren të vogël si rrethi i Pezës nuk mund të manovrojnë gjithë ata ushtarë të ngarkuar rëndë si ishte brigada dhe batalionet dyke pasur nëpër këmbë dhe gjithë Italianët, pastaj arsyeja për se largohej Brigada duhesh të të shtinte që këtë ta lejoje të shkonte sa më parë. Mos dalja e brigadës në momentin e kërkuar përveç tërheqjen që bëri në atë mënyrë, por edhe mungoj të vente në Dibër ku Haxhiu përballoj tre herë me rallë sulmet e reaksionit dhe të batalioneve Gjermane. Do të të flas më von për këtë. Tash jemi dyke e organizuar këtë brigadë dhe përpiqemi me i gjet disa mitraloza të randë nga ato që si pëlqente Hulua dua të them Shvarslos.
Çështja e Pezës qëndron ndryshe. Dhe unë e gjykoj kështu. Të gjithë e keni keqkuptuar rolin e Qarkut të Pezës. Të gjithë e konsiderojnë Pezën si “Moska”. Duhet me ç’do kusht të furnizohet peza. Unë s’mendoj kësisoj. Peza ka rëndësin e vet, por Peza dhe batalionet e Pezës nuk duhet as një minutë të harrojë dhe të bëjë luftën partizane. Në as një mënyrë Peza s’duhet të mbrohet me këmbëngulje, në as një mënyrë Peza nuk duhet të furnizohet në atë mënyrë që bëhet, në as një mënyrë nuk duhet të ushqehet në atë mënyrë që bëhet. për këto arësye.
Si kudo dhe në Pezë duhet të ketë luftë guerile dhe jo pozicioni e mbrojtjeje si kundër që është konstatuar kurdoherë në .............. Për me e ba këtë luftë guerile nuk duhet me pas njësite të rënda me elemente të pa vendosur. Batalionet e Pezës se kanë atë karakter. Prandaj duhet riformim. S’kemi nevojë tash për tash për elementa që bëjnë vetëm numër. Luftën edhe duhet ta bëjmë të shpejtë, të jemi në ofensivë kemi për të shkuar momente të këqija, në dimër, kundra një armiku të egër që si ka hedhur armët, dhe që ndihmohet prej gjithë reaksionit.
Për ti përballur të gjitha këto pengesa duhet batalionet e jona të jenë të provuara, me vullnet të fortë, të regjur në shi dhe në borë të durojnë dit të tëra pa ngrënë dhe të mos tremben nga plumbi. Prandaj ato batalionet e famshme tuajt duhet të reduizohen, të shkurtohen. Puna s’prish në këtë mënyrë, por do të shkojë përpara. Kemi fitime të shumta po të veprojmë kësisoj. E para me batalione të tilla, do të sulmojmë dhe jo të rrimë dhe të shtrihemi, do të na pakësohen furnizimet e ushqimeve, do të pakësohen depot dhe do të lëvizin çetat tona më lehtë. S’na duhen bashibozukë, Shule, na duhen Partizanë. Numri na duhet për më von, kur ta fitojmë tash na duhen ushtarë për luftë.
Ç’ngjau në Pezë, Batalionet e Pezës me boll elementa të pa vendosur po hanë dhe pinë, furrat po punonin ditë e natë, si kur të ishte ushtëri e një shteti të madh, Depot ishin plot 500 kuintal makarona, 300 kuintal miell e tjetër e tjetër material. Në këtë situatë atje pa tjetër është tendenca të mos sulmojmë se na prishet baza, të rujmë depot, të na pregatiten në kohë buka, të rregullojmë transportin e furnizimeve nga Durësi dhe nga Kavaja, dhe radhë u shkon ndër mend të sulmojmë. S’mund të sulmojmë në këtë mënyrë. Prandaj duhet pa tjetër të ndërrohet taktika e luftës, taktika e veprimeve, të ndërrohet mentaliteti që mbretëron aty në gjithë shokë dhe në partizanë, të jepet gjadhëri dhe shpirt ushtrisë, të hidhet në ofensivë. S’ka teren më të përshtatshëm se peza, për luftë guerile.
Objektivë për ta godit armikun ke nga të katër anët, vendi s’të pengon as pak, pse gjithë Peza është e djegur dhe s’ka se ku shkon më tej. Në vend që të vijë armiku tju sulmojë, me batalione të riformuara në mënyrën e sipërme, ju duhet ta provokoni armikun dhe ta futni në gryka e ta grini. Në qoftë se me të vërtet duam të lëftojmë lufta bëhet vetëm në këtë mënyrë dhe jo ndryshe. Në lidhje me këtë, po ta përsëris dhe një gjë që ta kam thënë kurdoherë, terreni i pezës po përkëdhelet shumë, ay ka ngrënë me mijëra napolona, ay ka ngrënë kuintalë e kuintalë material, veshëmbathie e të tjera sende me shumicë kanë shkuar nga Peza, Tirana dhe Durësi s’punojnë përveç se për pezën. Këjo duhet të mbarojë një herë e mirë. Terrenet e tjera, Shule s’kanë një kokërrr gruri.
Martaneshi s’ka bukë të hajë, Çermenika gjithashtu pa lëre të tjerët si Gjinokastra e Vlora. Prandaj pak gjishtin në kokë për këtë punë? Myslimit duhet ti thuaç që ka edhe terrene të tjera të mjeruara edhe më keq na Peza, Muzhiku na shkruan që Gjermanët kanë djegur e bënë hi 12 katunde të Kurveleshit, ku s’kanë hiç; edhe atje ka partizanë që lëftojnë trimërisht edhe më shumë se ata të Pezës. Myslimi duhet të mendojë dhe për ata; por në qoftë se Myslimi s’mendon, mendojmë ne. Shokëve në Tiranë u kam shkruar që furnizimet të bëhen me rregull dhe Pezës ti jepet vetëm ajo që i bije dhe as pak më shumë.
Për sa i përket ata që kanë dezertuar, e sidomos shokët si Stavri mos i qit jashtë Partis, por i thir në pezë, i shko në Gjyq dhe i pushkato. Këtë ta bësh pa tjetër dhe të meret shëmbëll nga shokët tanë. S’duhet as pak të jeç i butë. Ç’do gjë gjykoje me gjakftohtësi, por kur e ke marrë vendime, mos u retiro as pak, po ta keç të drejtë. Duhet në radhët tona të ketë disiplinë dhe vetmohim.
Tash, Shule, të gjitha këto që po të them sigurisht ti i mendon edhe vetë dhe jam i sigurt se do ti veç në zbatim. Përpiqu terrenit të Pezës ti japç shpirtin partizan, ta bësh të konsoliduar, të punojë si një bllok, të zhdukë mentalitetin e vjetër dhe kuptimin e keq për mënyrën e luftimit. Po të ariç në këto rezultate, sigurisht ahere s’kemi më nevojë për ty që të riç atje dhe të mikesh, kemi nevojë për ty, për të marrë brigadat në dorë.
Duhet të ariç në këtë rezultat pa tjetër. Jepu shpirt shokëve të partis, shkundi, shtyj, dhe do të ariç shpejt. Lëre mënjanë mënyrën e punës së vjetër të Pezës, punës së Mustafës e të tjerëve. Puno me një frymë të re. Duhet pa tjetër të bësh një revolucion, si me thanë në ç’do gjë në terrenin e Pezës. Jam i sigurt se do ta bësh. Zgjidh shokun më të mirë që ke afër, ndihmoju prej tij, ngreje atë, pregatite për të të zëvëndësuar, kështu të jesh i lirë dhe jo i nevojshëm për atë terren por shumë i nevojshëm për punë të tjera.
Shof se i kërkon Hysenit lajme nga terreni dhe udhëzime të ndryshme, pse ke nevojë, ke shumë të drejtë. Tash po të them diçka, shkurtimisht pse kam mjaft punë. Andej lart nga gjyshi na lajmërojnë se duhet të kemi kujdes të madh nga aliatët tonë të dashur. Në as një mënyrë s’duhet që këta të mësojnë numrin e forcave tona, të mos futin hundët në radhët e ushtëris dhe të Partis, duhet me qenë me ta shumë të prerë. Xheneralit të tyre (anglez) i kemi rënë kokës, sa që i thamë se po i zumë oficerët e juaj me reaksionarët që po na lëftojnë ne ju lajmërojmë se do ti pushkatojmë.
S’ka thënë as një fjalë, i ka pranuar të tëra kritikat tona, ka thënë të na falni se oficerat e jonë janë të rinj etj etj. Shumë dallavera kërkojnë të lozin, reaksionin po e ndihmojnë mjaft me qëndrimin e tyre dhe sidomos Bazin. Këtë të fundit e kemi thirrur të piqemi dhe të qërojmë hesapet, ay na largohet, dy herë na ka shtyrë pjekjen, dhe na i ka lënë për datën 1-( Dhjetor).Bazi kishte konvokuar një mbledhje me 20 në Zall Herri për të formuar Partinë Zogiste, ose më mirë me grumbullue reaksionin rreth Zogut dyke mbledhur dhe Mehdi Benë brenda.
Në Dibër reaksioni na goditi tre herë. Herën e parë në Peshkopi ku forcat e jona triumfuan, sigurisht të kanë çuar komunikatën, herën e dytë në Dibër, dhe atje tonat shkuan mirë dhe i shpërndanë reaksionarët të cilët i rigrumbulluan dhe sulmuan për të tretën herë me forca të mbudha edhe me Gjermanë dhe muar Dibrën dhe peshkopinë. Shokët tonë u tërhoqën nga këto dy qytete. Humbjet kanë qenë herën e fundit katër të vrarë dhe disa të plagosur nga ana e jonë. Në këtë luftë duhesh pa tjetër që të ishte Brigada e tretë, për me e godit reaksionin dhe mos me e lanë të grumbullohej. Por brigada mbeti në terenin e Pezës dhe tash është zor që të vejë se s’është e armatosur. Nga reaksionarët Cen Elezi ka qëndruar neutral. Aqif Lleshi është krejt me ne. Të gjithë të tjerët janë kundra nënë kryesin e Fiqri Dines i cili sigurisht është i lidhur dhe me Bazin dhe pa tjetër me qeverin e Mitrovicës e mehdi benë, pse ay lëfton krah më krah me Gjermanët.
Goditj a e reaksionit në Dibër që munt ti bëjmë do të jetë një grusht i fortë që do ti bëjmë reaksionit në Shqipëri, por ky grusht duhet ta pregatisim imtësisht.
Në Shkodër, organizata s’po bën këmbë. Kishin katër muaj që drejtuesit s’kishin bënë një raport dhe s’dinim se ç’bëhesh në atë teren. Po ato avaze, po ato intriga, po ata njerëz. Selfixhe, Xhemal, jo hatër i mbetur, jo moskënaqësi, jo plogështi nga ana e Axhës, mos kujdesi nga ana e Bishtukut. Veliu e ka ndruar krejt qarkorin dyke lënë Bajraktarin në vënd si edhe Bardhin e Selfixhenë.
Krejt është një fjalë pse prapë me po ata njerëz. Shokët thonë se puna ka marë pak gjallëri. Shpresojmë dhe duhet. Batalioni i Shkodrës nuk shkon keq ay ka arritur në numrin 200 dhe tash e kemi urdhëruar të shkojë nga Plava dhe Gucija të bjerë në kontakt me njësitet e Armatës së Dytë Partizane Jugosllave të komanduar nga Gjenerali Petko Dapcevic. Lidhja u bë dhe shpejt do të futim dhe ne në punë aletin tonë. Do të jemi më të sigurt në veprimet tona. Atje lart kërkojnë të vejë një delegat, kemi lajmëruar të niset Koçi, mund të shkojë dhe Aliu (Halimi) po ky s’ësht i sigurt. Aliu s’është këtu është në Dibër pse vate të piqesh me Tempon për me rregullue disa çështje që kanë ngjarë nër mes atij dhe tonëve në Dibër. Ay më shkruan se do të kthehet shpëjt.
Nga Vlora Mujiku më ka shkruar dy herë dhe punën e tregon në favor tonë. Balli është demaskuar dhe goditur rëndë ushtarakisht. Nuk mund të ti përshkruaj dot gjer e gjatë, i dashuri Shule, por kur të vijë Mujiku pse e pres dita ditës të vijë, dhe në rast se piqeni tok, se keni kohë pa u parë (mos i bën buzët në gaz) ahere të ti tregojë me hollësi.
Në berat vazhdon puna alla Gjince. Çështja e kompromisit ka qënë e vërtetë dhe ashtu si e kishim marë vesh. Tash na lajmërojnë se Gjermanët kanë hyrë në Berat dhe tonët janë tërhequr. Mestan Ujaniku ka ardhur në Dumre dhe kërkon të piqet me ne. Nuk e dimë se ç’ka. Mos ka ngjarë ndo një mos marrëveshje me shokët e atjeshmë, ose për çështjen e djalit të tij i cili kishte vrarë një shok të rinis. Do ta kenë gjykuar shokët e Brigadës dhe tash ay kërkon të bisedojë me ne për ta fal. S’dimë gjë. Ç’të shohim. Por s’do të jetë ndo një gjë me rëndësi.
Nga Korça lajme s’kemi marë. Goditjet me çetat e Ballit në Mokër dhe as gjë të re. I kam shkruar Koçit të vijë për të shkuar lart po hala s’po vjen.
Të kemi dërguar nga ana e tiranës një qarkore që ju kemi dërguar gjithë qarkoreve të Partisë. Këtë këndoje me vërejtje, dhe punoje nër shokë. Ki shumë kujdes në qarkore se mos e leç këndej e andej pse qarkoren e parë shokët e Beratit e kishin neglizhuar dhe e kishin marrë Ballistat dhe e kanë shtypun në trakt. Të gjitha letrat dhe qarkoret që ju vijnë kanë karakter shumë konspirativ, prandaj ose i fshihni mirë ose i digjni.
Na shkruaj për gjendjen e atjeshme, kurdoherë. Shif Shule radiot e Inglezëve, mos ja u jep, por thuaju që i muar Gjermanët dhe na i ço përnjëherë këndej. Hamdiu na dolli këndej dhe ky po ta sjelli letrën. Ky i di ku janë fshehyr radiot dhe veglat e tjera të inglezëve.
Shumë të fala
Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)