Enver Hoxha, planet luftarake për
të “mposhtur” katolikët e veriut

Enver Hoxha, planet luftarake për<br />të “mposhtur” katolikët e veriut
Pjesa e dytë
 
(Vijon nga dje)
 
- Planet luftarake të Enver Hoxhës për të “mposhtur” krenarinë e katolikëve të veriut. Organizatat politike antikomuniste dhe plani i qëndresës
Enver Hoxha dhe klani i tij sllavo-komunist e dinin fort mirë, se pushteti i tyre mund të konsiderohej i vendosur vetëm kur të ulej krenaria e fisnikërisë dhe e bajraktarëve të veriut, të zhdukej influenca e klerit katolik shqiptar e më pas do të mund të realizohej shtypja dhe nënshtrimi i katolikëve të veriut, i këtij populli që kishte jetuar në liri për shekuj me radhë. Edhe pse kjo liri që gëzonin malësorët trima, kishte dashur gjak e sakrifica, prapëseprapë nuk mund të imagjinohej prej tyre ekzistenca pa të.

Që në fund të nëntorit 1944 forcat partizane (kryesisht nga jugu i vendit), të udhëhequra nga PKSH zhvillojnë luftime për shtypjen e rezistencës antikomuniste në territoret tradicionalisht të pa pushtuara si, në Mirditë e Kthellë, Malësinë e Madhe, Nën Shkodër, Pukë, Lumë e Lurë, Lezhë e Kurbin. Në funksion të këtij plani luftarak u dislokuan përqark territoreve në fjalë Korparmata III me divizionet e brigadat partizane që e përbënin atë, komandanti i së cilës qe Shefqet Peçi. Ndërsa Mehmet Shehu qe caktuar komandant i operacionit për nënshtrimin dhe pushtimin e plotë të krejt veriut.

“Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, shoku Enver Hoxha, në urdhrin e 16 dhjetorit 1944 Korparmatave I, II e III sektorët e mbrojtjes, rajonet ku do të dislokoheshin forcat dhe urdhëronte që të viheshin menjëherë në lëvizje në mënyrë që brenda datës 1 janar 1945 Korparmata I dhe II dhe më 5 janar Korparmata III të mbërrinin në pikat dhe në sektorët e caktuar me urdhër ... Sipas urdhrit ... Korparmata III do të kontrollonte Qarkun e Shkodrës, të Kukësit, të Dibrës dhe Krujën”.

Nga ana tjetër, në krye të luftës antikomuniste u vunë familje tradicionalisht fisnike dhe me emër në Shqipëri si ajo e Gjomarkajve – dera princore e Mirditës e më gjerë; Mëlyshajt e Bajraktarët e Kthellës; Vokrrajt e Fanit; Prek e Cali e Llesh Marashi i Malësisë së Kelmendit; Jup Kazazi në Postribë e Nën Shkodër, Mirakajt e Pukës e Muharrem Bajraktari i Lumës; Dodajt e Recit, Menajt e Lurës, Halil Alija, Dinajt e Sinajt e Dibrës, Gjinpjetrat e Kurbinit, Kurtët, Vatdodajt e Kolajt e Matit; Profesor Alush Leshanaku e kapiteni Osman Gazepi (u vunë në krye të forcave prej Elbasani e jugu duke vepruar në Martanesh, Mat e Dibër), Kupi, Sejfulla Merlika i Krujës; Blloshmi, Allajt, Biçakët e Hamit Matjani të Elbasanit etj.
Mbi të gjithë si gjithnjë për interesat e kombit qëndronin klerikët katolikë.

Që në kohën e luftës kur Enveri dhe klani i tij ndihmoheshin nga anglezët dhe amerikanët për të luftuar nazizmin (pasi kjo ishte çështja e madhe e tyre), iu vunë pushkën vëllezërve të vet për hatër të Titos e të Stalinit, në fakt për të vendosur sundimin e tyre në Shqipëri.
“Natyrisht se as nacionalistët nuk mund të rritshin me duar kryq, ndërkohë që Balli e legaliteti tërhiqeshin mbas qerres komuniste, qysh nga mbledhja e Mukjes dt. 1-2 gusht 1943.

Paria e Shkodrës tue pa lëvizjen e krahinave të tjera, qi drejtuesit e tyne Nacionalistë ishin grumbullue e ba bashkë me komunistat, për ‘ti ba vorrin Shqypnisë; më dt. 2 prill 1944, formuen në Shkodër grupin Indpendent Kombëtar të kryesuem prej Gjon Mark Gjonit ... me qëllim që t’i vijshin në ndihmë të dy partive të tjera nacionaliste, për t’i bashkue të tria në luftë kundra komunizmit ..

Balli e legaliteti mbasi e panë tek e mbramja i u kujtuen rrenës së komunistave (megjithëse shumë vonë), u mblodhën të tri grupet (Indipendenta, Ballista e Legalista) për të studjue Organizimin e nji lufte të përbashkët kundra komunistave. Mbledhja u ba dhe protokolli i marrëveshjes u nënshkrue nga këta persona:


1 – Për Grupin Indipendet: Gjon Marka Gjoni, Sulço Beg Bushati.
2 – Për Ballin Kombëtar: Mit’hat Frashëri, Lec kurti.
3 – Për Legalitetin: Ndoc Çoba, Shefqet Muka”.
Kjo organizatë e përbërë nga këto tre parti u quajt “Lidhja e Shkodrës”.

Duhet thënë se bashkëpunimi mes tyre nuk qe në nivelin e duhur derisa vendi u çlirua prej okupatorit fashist. Pas kësaj, Brigadat partizane të drejtuara nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe banditë të tjerë komunistë, për të vendosur sundimin e tyre, por dhe të frymëzuara nga urrejtja krahinore e fetare, në mënyrë të pamëshirshme ndërmorën operacione kundër veriut të Shqipërisë, veçanërisht territoreve të katolikëve të veriut.

Ndoshta kjo që ndodhte ishte edhe e natyrshme, pasi janë pikërisht këto treva që të pamësuara me pushtuesit e huaj e kundërshtuan dhunshëm vendosjen e sundimit sllavo-komunist në vend. Duhet thënë se forcat nacionaliste në gjithë rajonin e Ballkanit ishin në “darën” e komunistëve e cila gjithnjë e më tepër shtrëngohej dhe fundi pak i rezistencës së tyre nuk ishte i largët.

Në këto rrethana, në fillim të këtij konflikti civil që nisi hapur fill pas largimit të okupatorit, me shtabin e kryengritësve u bashkuan dhe kontribuuan edhe krerë të “Ballit” e të “Legalitetit” si: Ali Këlcyra, Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, legalistët Abaz Kupi, Fiqiri Dineja, Prengë Përvizi, Hysni Dema etj.

“Mbasi Shqipnija ishte vu në rrezik të madh nga komunizmi, krerët me forcat nacionaliste të Ballit dhe të Legalitetit ishin tue u tërhekë për në Shkodër. Mjerisht shumë vonë (shtator 19440, ftuen Gjon Marka Gjonin për të ba nji marrëveshje të re, gjoja për t’i ndejtë besnik protokollit të Lidhjes së Shkodrës. Mbledhja u ba në katundin Bulgër (afër Rubikut të sotëm), në shtëpinë e Gjon Fushës, në të cilën muarën pjesë:
1 – Për Ballin: Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Koço Muka, Abaz Ermenji, Vasil Andoni etj.
2 – Për Legalitetin: Abaz Kupi, Preng Përvizi, Fiqiri Dineja, Hysni Dema, Selim Damani etj.
3 – Për Grupin Indipendent: Gjon Marka Gjoni, Halil Alia, Ndue Bajraktari i Kuzhnenit, Frrok Mëlyshi, Dod Bardhoku etj.

N’atë mbledhje sipas bisedimeve që patën u muer ky vendim: Me bashkue të gjitha forcat nacionaliste të tri grupeve politike për me përballue sulmet komuniste qi kishin fillue me marr hov të madh në disa krahina të Shqipnisë së Veriut tue caktue si qendër grumbullimi të tria forcave katundin Lurë, qi prej komunistave ishte lanun i zbrazët dhe ende i pashkelur deri aso kohe”.

Gjithë personalitetet ballistë e legalistë pjesa më e madhe e tyre përfaqësonin jo vetëm mendimin intelektual, por ishin përfaqësues të një fisnikërie të vendit tonë, por që për fat të keq e pa u mbështetur nga populli i krahinave prej nga vinin. Kjo lidhet me faktin se popullin e zonave jugore deri në Shqipërinë e mesme e kishte bërë për vete Partia Komuniste, për arsye që ne i kemi trajtuar dhe në këtë libër. Kështu pavarësisht nga përmasat e personalitetit të këtyre figurave historike roli i tyre ishte neutralizuar nga komunistët, madje propaganda bizantine-komuniste ndaj tyre kishte bërë që të urreheshin në popull.

Si konkluzion mund të themi se kur erdhën krerët ballistë e legalistë në Mirditë, jo vetëm s’mund të ndihmonin në drejtimin e organizimin e luftës kundër komunizmit, por përkundrazi këta “gjeneralë pa ushtri” patën nevojë për t’i marrë në mbrojtje e për t’i përcjellë përtej detit.
Kleri katolik, në udhën e një tradite të ndritur të udhëheqjes së popullit të tyre edhe në këto momente kritike të kombit shqiptar u përpoq të parandalojë pushtimin komunist të vendit.

Çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashizmi solli pushtimin gradual të vendit nga komunizmi.
Që gjatë luftës, madje më parë, klerikët katolikë e kishin paralajmëruar popullin shqiptar për pushtimin sllavo-komunist. Mendja e hollë e At Gjergj Fishtës, At Anton Arapit, Mikelit, Gazullit, At Gaspër Thaçit dhe e martirëve të tjerë të kishës e të kombit, kishte kuptuar demagogjinë dhe djallëzinë orientale të emisarëve të kuq, që i premtonin popullit “lugën e floririt” dhe lirin të sillte vendosja e sistemit komunist në vendin tonë. Në objektivat e Enver Hoxhës dhe të klanit të tij goditja dhe asgjësimi i klerit katolik ishte një prioritet kryesor. Kjo u duk që në fillim kur propaganda nga agjitatorët e PKSH, por dhe më vonë kur pseudo-historianët shkruan atë histori ireale që ne kemi mësuar, duke e konsideruar klerin katolik si organizatë reaksionare etj.

“Rolin kryesor në veprimtarinë kundërrevolucionare e luajtën ... mbeturinat e organizatës klerikale “Demokristiane” e “Françeskane” ... në qytetin e Shkodrës të drejtuara nga misioni anglez si dhe kuadro të zbulimeve armike, së bashku me krerët e reaksionit dhe klerikët Patër Anton Arapi, Gaspër Thaçi etj., ... rekrutuan mercenarë dhe i pajisën me armë e municion të bollshëm dhe i përgatitën për të shpërthyer “kundërrevolucionin me armë”.

Këtë e deklaroi në vitin 1947, vetë Enver Hoxha në takimin e tij të parë me Stalinin. Dëshminë e përcjell Gjin Marku gjatë një rrëfimi At Zef Pllumit, në burgun e Tiranës:
“Më tregoi se kur kishte kenë me studiue në akademinë ushtarake “Voroshillov, Enver e kishte marrë përkthyes në takimin me Stalinin, mbasi aso kohe ishte anëtar i Komitetit Qendror. Stalini e pyeti:

- Ç’po bani ju shokët shqiptarë?
Enveri atëherë i tha:
- Deri tani kemi luftue kundra dy shtyllave kryesore të reaksionit borgjez në Shqipëri: inteligjencës borgjeze dhe klerit katolik, armiqtë më të rrezikshëm të komunizmit. Besojmë se i kemi shpartalluar përfundimisht. Tani kemi fillue luftën kundër kulakëve. Mbasi t’i kemi shpartalluar dhe ata, atëherë do të fillojmë ngritjen e pronës e jetës kolektive”.

Në këtë moment historik, u përpoqën të mbështetin këto organizata antikomuniste, për të parandaluar vendosjen e pushtetit komunist në Shqipërinë e Veriut edhe misionarët anglezë me në krye gjeneralin Hoxhson dhe majorin Nil. Këtë e dëshmon edhe Abaz Kupi në porositë që u jep besnikëve të tij për të qenë gati në një moment zbarkimi të anglo-amerikanëve në Shqipëri, pasi të kishte nisur lufta civile. Gjithsesi, siç do të shohim më poshtë, komunistët shqiptarë në krye të divizioneve partizane vendosën me dhunë pushtetin edhe në pjesën veriore të vendit, duke ndëshkuar shumë rëndë këto treva, veçanërisht ato katolike.
 
 - Operacionet luftarake të brigadave partizane në veri (1944-1945) dhe Mark Gjomarku
Përplasja e parë e organizuar e partizanëve me forcat kundërshtare ndodhi që në fillim të dhjetorit të vitit (fill pas çlirimit) me forcat antikomuniste të drejtuara nga Mark Gjomarku e Halil Alia. Që në përplasjen e parë në qytetin e Shkodrës, në nëntor 1944, forcat antikomuniste u detyruan të dilnin nga qyteti dhe të tërhiqeshin për t’u mbrojtur dhe për t’u organizuar në thellësi të malësive dhe për të kundërsulmuar në mënyrë të organizuar Shkodrën. Në përbërje të njësive luftarake të Mark Gjomarkut ishin mbi 2 000 forca.

“Dr. Mark Gjomarkaj e dinte fort mirë se fitorja nacionaliste ishte 99% e bjerrme, por kishte vendos me i ndenjt besnik popullit të vet shqiptar dhe me vesk bashkë me ta në malet e Mirditës. Këtë rrugë ndoqi dhe i vëllai i tij Lleshi dhe u betuen, në Shkodër, në prezencën e 2 000 burrave o vdekje o liri bashkë me popullin shqiptar ... Mark Gjomarku me forcat tue qenë se ishin të bllokuem në Shkodër, nga të katër anët prej komunistave dhe nga ana e Drinit kishin pengesa të pakalueshme për të shkue në Mirditë, ku shpresonte të organizohej dhe të fillonte një kundërsulm mbi forcat komuniste, ju desh me marrë një tjetër rrugë të gjatë e të damëshme për me mbërrijtë në vend.

Më dt. 26 nëntor 1944 u nis me dalë prej qytetit të Shkodrës dhe u prini si burrat e motit 1 500 burrave vullnetarë prej të gjithë krahinave të Shqipnisë që kishin hy nën komandën e tij për të përshku rrugën tue çamun gjithkund me luftë prej: Koplik, Bogë, Theth, Shalë, Dukagjin, Nikaj, Mërtur, Geg-Hysen, Has i Thatë, Kukës e për të arrijtë ma vonë në Mirditë”.

Forcat në tërheqje, kaluan lumin Kir, pranë Dukagjinit dhe u vendosën për disa ditë në Rajë të Lekbibajt dhe në disa fshatra bregut të Drinit të Pukës, deri në Has e Krumë. Gjatë rrugës kërkohej mobilizimi i djemve e burrave për të penguar me armë vendosjen e pushtetit komunist në vend. Betejat e përgjakshme në të dy anët e Drinit sollën shumë të vrarë e të plagosur nga të dy palët. Në një nga këto beteja vritet Halil Alia vetë i pestë. Sipas të dhënave që sjell Demir Dyrmishi në librin e tij, rezulton se:
“Në operacionet që u zhvilluan kundër bandës së Halil Alisë e Mark Gjomarkaj, nga dt. 7-22 dhjetor 1944, u asgjësuan e u kapën 1 000 reaksionarë”.

Ndërsa një nga luftëtarët veteranë antikomunistë, Nikollë Mëlyshi, përcjell një dëshmi tepër interesante mbi këtë situatë luftarake, mbi këto beteja të përgjakshme:
“Më  7 dhjetor forcat e Mark Gjomarkut bien në luftë me Brigadën VII në Gegëhysen e Rajë, pozicioni luftarak  favorizonte komunistat. Aty u vra një nip Gjomarkaj, Marka Dod Lleshi, e u plagosën shumë të tjerë, gjithashtu u vranë tetë partizanë. Mark Gjomarku e vazhdoi udhëtimin për Has të Thatë.

Më 15 dhjetor 1944, forcat e Mark Gjomarkut u ndeshën në luftë me komunistat e brigadave të tjera t’ardhuna nga Gjakova, Prizreni dhe Kukësi. Lufta u ba në Has të Thatë. Komunistat e Kukësit i drejtonte Kolonel Petrit Dume, i ardhur nga Shqipnia e Jugut, ndërsa forcat vendase të rrethit të Gjakovës, të Tropojës dhe të Hasit i komandonte bajraktari i Tropojës Sali Mani.
Ushtria e Mark Gjomarkut ndër ato luftra pati shumë humbje ... komunistat patën humbje të dyfishta, por i zëvendësonin të vramit me partizanë vendës.

Më 21 dhjetor 1944, Mark Gjomarku iu afrua Kukësit dhe urdhëroi pararojat e tij për të kaluar Drinin e Bardhë në drejtim të Lumës. Kjo pararojë komandohej nga Pr. Alush Leshanaku, me elementë të zgjedhur notarë. Këta u futën në mes të Drinit, ku ishte uji tepër i madh, pritat komuniste të lajmërueme më parë në atë anë të Drinit nga Kukësi, hapën zjarr dhe n’atë luftë plagoset Alush Leshanaku, brenda në Drin tue notue ... e kaluen Drinin dhe dolën në anën e komunistave. Komunistët ishin vendas dhe u thyen e ikën, Alushi vuri rojet veta në breg të Drinit, mori trapat e kaloi te Mark Gjomarku. Për gjith’ natën mujtën me kalue Drinin duke marshuar në lumë...

Më 25 dhjetor 1944, komunistat sulmojnë ushtrinë e Mark Gjomarkut në katundet e Lumës. Aty vriten Sefedin Biçaku e disa të tjerë. Komunista të vra e të plagosë qenë 18. Kapiten Sali Doda vetë i tretë tue mejtue se nuk e njohin, shkon e dorëzohet në Prizren ku atje bashkë me jugosllavët ishin dhe komunistat shqiptarë dhe menjëherë i pushkatuen.

Më 28 dhjetor 1944 Mark Gjomarku tue pa se lufta nuk mund të vazhdonte ma si luftë frontale me komunistat që kishin një mobilizim disa herë më të madh, tue pa se ushtria e vet ishte në shkatërrim, e lodhun nga lufta, e mbetun pa ushqime e municione, stina e dimrit kishte fillue e ftohtë, e lumi i Drinit të Zi ishte ba i pakalueshëm, atëherë e mblodhi ushtrinë e mbetur dhe u kallzon se luftën nuk mund ta vazhdonim kështu siç ishin të grmbulluem, por do të përpiqemi që këtë luftë ta organizojmë në luftë çetash ... ku secili prej nesh mund të japë kontributin në vendin e tij ku njihet personalisht ... ata që e ndiejnë veten të pafajshëm le të shkojnë e të dorëzohen në Kukës.

Kolonel Osman Gazepi, si burrë guximtar por me moshë të vjetër dhe i lodhun tepër, u prini shumicës dhe u dorëzuan në Kukës. Mark Gjomarku ra dakort me ata që nuk dorëzohen, qi deri në qershor të formojnë çeta.
Alush Leshanaku u prini disa elbasanasve e jugorëve për t’u vendosun në Dibër, Martanesh, Elbasan.
Kapiten Kurt Sul Kurti për në Mat.

Bilal Kola në Macukull-Mat; Kapiten Sejfulla Merlika në Krujë; ndërsa për në Lurë Kapiten Preng Gjergj keci etj.
Qëllimi i Mark Gjomarkut ishte me mujt e me e majtë të gjallë flakën e rezistencës me anën e ndërlidhjeve krahinë më krahinë e me ringjallë shpresën e nji riorganizimi të mundshëm të mavonshëm, në të gjitha krahinat e Shqipnisë, me anën e çetave të shpëendame.
Mark Gjomarku, mbasi u shpërndanë  forcat e tija nëpër vendet e tyne, me vëllain e vet dhe me disa mirditas kaloi Drinin e Zi dhe me 3 kallnduer 1945 mbërriti në Mirditë”.

Këtu menjëherë u vu në kontakt me burra të tjerë të arratisur në malet e Mirditës e të Kthellës për liri kundër komunizmit si: Frrok Mëlyshin, Marka Dod Gjinin, Marka Carën, Preng Dod Gjikeqin, Gjin Kros Bunën e të tjerë kthellas, mandej me Bardhok Marka Gjokën, Ded Kolziun, Llesh Marka Tuçin e të tjerë mirditas.
Në frymën e udhëzimeve të dhëna nga Mark Gjomarku u formuan menjëherë, pa humbur kohë, në Mirditë, Kthellë etj., shumë çeta, komandantët e të cilave ishin:

Çeta në Orosh me komandant Bardhok Marka Gjoka dhe Frrok Gjetë Ndoj; në Kuzhnen Ndue Bajraktari dhe Pjetër Llesh Gjoni; në Fanë Gjon Gjet Vokrri dhe Dod Bib Përndoca; Gjon Dodani dhe Gjoni i Zi në Spaç; Marka Jak Bajraktari e Dod Marka Gjoka në Dibër; Pren Dod Gjikeqi, Frrok Mëlyshi, Marka Dod Gjini e Gjin kros Buna në Kthellë; Ndrec Lufi e Geg Bozhiçi në Selitë; Gjon Mëhilli e Lam Daci në Rranzë (Baz e Bëshkash); ndërsa në Manati-Lezhë Ndue Llesh Bajraktari e Kol Lushi etj.

Ishte përgatitur terreni për qëndresë në gjithë Mirditën, Kthellën, por edhe në Lurë, Reç, Grykë-Nokë, Selitë, Mat, Kurbin e Lezhë etj.
Kjo situatë luftarake zhvillohej vetëm disa ditë pas përleshjeve të nacionalistëve të Lumës me forcat partizane të Divizionit V-S, për shkak të provokimeve të qëllimshme dhe pabesisë së këtyre të fundit, kur luftonin së bashku kundër nazistëve gjermanë. Dihet se në krye të këtyre forcave qe nacionalisti me famë i asaj kohe, Muharrem Bajraktari. Nga të dy palët mbetëm dhjetëra të vrarë e të plagosur. Ndërkohë Jup Kazazi, Hasan Isufi e Dedë Shabani drejtonin rezistencën nga Shëngjini, mali Kolaj, Postribë e deri në Reç.
 
(Vijon nesër)
Shënim: Studimi është shkëputur nga “Antologjia historike”
 
*)Autori është Historian dhe drejtor i Arkivit Qëndror të Shtetit


Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore