Enver Robelli: Në një botë plot me mishngrënës, vegjetarianët e kanë shumë të vështirë

Enver Robelli: Në një botë plot me mishngrënës, vegjetarianët e kanë shumë të vështirë

Donald Trump

Mendimet janë tashmë të qarta. Vijat e frontit po ashtu. Në njërën anë janë ata që përhapin panikun, duke thënë se do të bëhet hataja pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në anën tjetër të frontit gjenden ata që s’duan të prishin rehatinë dhe besojnë se, në fund të fundit, asgjë nuk do të ndryshojë, më së shumti, sipas tyre, do të rritet vetëm niveli i zhurmës. Ekziston edhe një grup tjetër i përbërë nga ata që besojnë se tash hapen dyert e parajsës, ndonëse të tillët më shumë gjenden në SHBA se sa në vende të tjera. 

Kush ka të drejtë? Ata që thonë se tash duhet pritur çdo natë ardhjen e një makthi, i cili ta zë frymën si në figurat e përrallave popullore? Apo ata që presin se së shpejti do të zgjohemi në Kopshtin e Edenit, të rrethuar me një idil lumturie të papërshkrueshme? Apo ndoshta ata që bëhen sikur s’ka ndodhur asgjë?

Evropianët i përkasin grupit të tretë. Së paku deri më tani. Për një kohë të gjatë vetëdija për ekzistencën e problemit ekzistonte, gatishmëria për t’u përballur me problemin - jo. Fjala është për investime në fushën e mbrojtjes. Gjatë, tepër gjatë është menduar se “ne (evropianët) mund të bëjmë tregti, ndërsa shpinën na e mbron Amerika”. Që në vitin 2018 ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në një intervistë me revistën “Der Spiegel” thoshte duke iu referuar një politologu gjerman:“Mbrojtja vetëm e pozicioneve normative, përqendrimi vetëm te vlerat, nuk do të ketë sukses në një botë të mbushur me përfaqësues të interesave të ashpra. Në një botë plot me mishngrënës, vegjetarianët e kanë shumë të vështirë”.

6 vite më vonë, pak ditë pas fitores së Donald Trumpit dhe në prag të dimrit të tretë në Ukrainën e sulmuar nga diktatori rus, presidenti francez, Emmanuel Macron në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane në Budapest këndoi këngën e njëjtë. Ai tha se evropianët nuk mund të mbeten më “vegjetarianë” në një botë të dominuar nga “mishngrënësit”. A do të ndryshojë gjë tani, me fitoren e Donald Trumpit?

E qartë është: nuk do të jemi dëshmitarë të apokalipsit në katër vjetët e ardhshëm. Edhe përhapësit e panikut do të jenë dëshmitarë. Parajsa po ashtu do t’i mbajë dyert e mbyllura në 4 vjetët e ardhshëm. Këtë do ta kuptojnë edhe disa zgjedhës të Trumpit.

Mbesin realistët. Nga mesi i majit ish-kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, i kërrusur pas tavolinës së tij të punës në katin e tetë të Pallatit Berlaymont në Bruksel, thoshte: “E kam marrë gjithmonë seriozisht Trumpin. Kjo e bëri atë të thoshte se kishte simpati për mua. Kjo nuk më bëri të popullarizuar në Evropë, ndërsa në Amerikë më bëri të dyshimtë. Por nuk duhet ta trajtosh presidentin amerikan si një idiot katundi, siç kanë bërë shumë në Evropë. Ai nuk ishte i tillë. Nuk bëhesh president i Shteteve të Bashkuara nëse nuk ke një minimum të inteligjencës profesionale”.

Por Trumpi nuk “funksionon si një automat për plotësimin e dëshirave”, siç konstatoi me të drejtë një historian kroat këto ditë, duke iu referuar pritjeve jorealiste të disa politikanëve ballkanikë. Fryma e kohës, e njohur si Zeitgeist - është e përshtatshme për politikanë që premtojnë se problemet i zgjidhin me shkop magjik. T’i quajmë si të duam - popullistë apo vizionarë? -, idetë e tyre duhet të kalojnë testin e realitetit.

A do të zgjidhet problemi i emigrantëve në SHBA duke i dëbuar haitianët që “hanë mishin e qenit”, siç propagandoi Trump në fushën elektorale? A do të bjerë inflacioni sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë politikani më jotipik amerikan i së paku 100 vjetëve të fundit? Po luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt - do të ndalen brenda pak kohësh me Trumpin president? Luftën në Ukrainë Trump ka premtuar se e ndal brenda 24 orësh.

Alexander Hamiltoni, njëri nga etërit themeltarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte i bindur se po dështoi eksperimenti amerikan i demokracisë, kjo do të ishte “fatkeqësi për mbarë njerëzimin”. Donald Trumpi është vetëm simptomë e kohës, dridhjet tektonike kanë filluar shumë më herët. Filozofi amerikan, Michael Sandel, i akuzon si republikanët ashtu edhe demokratët për shtyrjen e projektit neoliberal të globalizimit pa i marrë parasysh pasojat. Më 2016 pabarazia në SHBA sa i përket të ardhurave dhe pasurisë ishte më e madhja që nga vitet 1920-të.

Po atë vit, më 2016, Donald Trumpi u bë president duke premtuar se do të jetë zëdhënësi i atyre që janë injoruar me dekada nga elitat arrogante. Ironia është se siç vëren gazeta gjermane “Die Zeit”, në çastin e shpërbërjes në zemrën e liberalizimit, në SHBA, “shfaqet një spekulant i pasurive të paluajtshme, mishërimi i kapitalit. Ai maskohet si një profet i rremë – dhe fiton”. Mandati i dytë do të tregojë nëse Donald Trump do të shfaqet si profet krejt tjetër./Koha

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Studio Live'/ Qefalia: Shqipëria me hapat e duhur për në BE! Po mendohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak! Sidi Hasanaj: Non-gratat përfaqësojnë interesat pro-ruse

'Studio Live'/ Qefalia: Shqipëria me hapat e duhur për në BE! Po mendohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak! Sidi Hasanaj: Non-gratat përfaqësojnë interesat pro-ruse