Erdogan bën thirrje për unitet, ndërsa fillon mandatin e ri

Erdogan bën thirrje për unitet, ndërsa fillon mandatin e ri

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje turqve të lënë mënjanë ndasitë dhe të përqendrohen tek e ardhmja, ndërsa filloi mandatin e ri pesëvjeçar të shtunën. Erdogan u betua në një ceremoni në parlament në Ankara dhe do të emërojë në vazhdim kabinetin e ri qeveritar, përbërja e të cilit pritet të sinjalizojë një ndryshim të mundshëm të drejtimit të politikave ekonomike, përfshirë dhënien fund të epokës me norma të ulëta interesi. Në ceremoninë e inaugurimit në pallatin presidencial, Erdogan përdori tone pajtuese.

“Do t’i përqafojmë të gjithë 85 milionë njerëzit pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike... Le ta lëmë mënjanë mërinë e periudhës elektorale. Le të kërkojmë mënyrat për të bashkëjetuar”, tha ai. “Së bashku, duhet të shohim përpara, të përqendrohemi tek e ardhmja dhe të përpiqemi të themi gjëra të reja. Duhet të përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen duke mësuar nga gabimet e së shkuarës”.

Në ceremoni merrnin pjesë zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentin venezuelian Nicolas Maduro, Kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe Kryeministrin armen Nikol Pashinyan.

Më herët, ndërsa bëri betimin në detyrë, Erdogan u zotua të mbrojë pavarësinë dhe integritetin e Turqisë, t’i përmbahet kushtetutës dhe të ndjekë parimet e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të republikës moderne laike.

Tashmë udhëheqësi më afatgjatë i Turqisë, zoti Erdogan fitoi 52.2% të mbështetjes në balotazhin e 28 majit. Fitorja e tij në zgjedhje sfidoi shumicën e anketimeve të opinionit publik dhe u arrit megjithë krizën e rritjes së kostove të jetesës që mendohej se do të dëmtonte shanset e tij.

Mandati i tij i ri do t’i mundësojë zotit Erdogan të ndjekë politikat gjithnjë e më autoritare që kanë polarizuar Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, por që kanë forcuar pozicionin e këtij vendi si një fuqi rajonale ushtarake. Erdogan do të emërojë të shtunën anëtarët e kabinetit të tij të ri qeveritar, duke krijuar ndoshta kushtet për përqasjen e tij të pazakontë ndaj politikave ekonomike.

Ndër anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar pritet të jetë ish drejtuesi i ekonomisë Mehmet Simsek, raportoi më herët këtë javë agjencia e lajmeve Reuters, duke sinjalizuar kështu një rikthim të mundshëm tek politikat më klasike makroekonomike, përfshirë rritjet e mundshme të normave të interesit.

Simsek kishte një reputacion të mirë në radhët e investitorëve kur shërbente në detyrën e ministrit të financave dhe zëvendëskryeministrit, në periudhën mes viteve 2009 dhe 2018. Emërimi i tij në një post kyç do të shënonte largimin nga periudha e viteve të mbajtjes së normave të ulëta të interesit megjithë inflacionin e lartë dhe të kontrollit të madh shtetëror ndaj tregjeve. 69-vjeçari Erdogan, u bë kryeministër në vitin 2003, pasi partia e tij AK fitoi zgjedhjet në fund të vitit 2002, pas krizës më të rëndë ekonomike të Turqisë që nga vitet 1970.

Në vitin 2014, ai u bë presidenti i parë i vendit i zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga populli dhe u rizgjodh sërish në vitin 2018 pasi siguroi pushtet të zgjeruar ekzekutiv për presidencën nëpërmjet një referendumi në vitin 2017. Zgjedhjet presidenciale të 14 majit dhe balotazhi i 28 majit ishin jetike pasi opozita kishte patur vetëbesimin se do ta largonte nga pushteti zotin Erdogan dhe do të zhbënte shumë nga politikat e tij, përfshirë propozimin për rritje të ndjeshme të normave të interesit për t’iu kundërvënë inflacionit, që ishte në 44% në muajin prill.

Në fjalimin që mbajti pas fitores në zgjedhje, zoti Erdogan tha se inflacioni, që arriti vjet rekordin e 24 viteve të fundit në nivelin 85%, është çështja më urgjente për Turqinë. Analistët thanë se nëse vazhdojnë politikat e tanishme, ekonomia do të shkojë drejt paqëndrueshmërisë për shkak të harxhimit të rezervave në valutë, zgjerimit të një skeme të depozitave të mbështetura nga shteti, dhe pritshmërive për një inflacion jashtë kontrollit. Monedha turke, lira, ka pësuar disa rënie të mëdha gjatë viteve të fundit dhe arriti nivelin më të ulët rekord gjatë ditëve përpara zgjedhjeve./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
Erdogan prezanton qeverinë e re të Turqisë, vetëm 2 prej ministrave aktualë mbeten në detyrë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka njoftuar përbërjen e qeverisë së re ku ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë duket se kanë pësuar ndryshimet më të thella.

Qeveria e re do të mblidhet për herë të parë të martën e ardhshme.

Siç pritej, eksperti i njohur Mehmet Simsek, ish-ministër i Financave (2009-2015) dhe më pas Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike (deri në 2018), do të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave.

Emri i Mehmet Simsek (56) u shfaq vazhdimisht në media: ish-ekonomisti i bankës amerikane Merrill Lynch do të jetë përgjegjës për të vendosur rregull në politikën financiare të vendit, për të rifituar besimin e investitorëve.

Ministritë kryesore do të rinovohen gjithashtu: kështu Hakan Fidan, ish-kreu i MIT, shërbimi inteligjent turk, do të marrë postin e ministrit të Jashtëm, në vend të Mevlut Çavusoglu.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, Yasar Gueler, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zëvendëson Hulusi Akar, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm që mbante detyrën që nga korriku 2018.

Akar u konsiderua si organizator i rezistencës ndaj grusht-shtetit të dështuar në korrik 2016. Në detyrë kanë mbetur vetëm dy ministra, Shëndetësisë dhe Kulturës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin