SIRI- Kobane, qyteti strategjik në kufi me Turqinë, ku qysh nga dita e djeshme valëviteshin flamujt e shtetit islam, është nën kthetrat e tij tashmë. Ekstremistët e ardhur nga juqperëndimi i qytetit kanë sulmuar ndërtesa të shumta duke depërtuar gati në zemër të Kobane.
 
Një alarm i tillë është dhënë edhe nga presidenti turk, Recep Tajip Erdogan, i cili tha se Kobane po bie në duart e xhihadistëve dhe se terrori nuk do të marrë fund deri sa të angazhohen në një operacion tokësor.
 
Deri më tani, janë kryer disa sulme ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë goditur disa objektiva të xhihadistëve. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të ndalur ofensivën e shtetit islamik. Gjithashtu në Kobane janë stacionuar rreth 10 mijë trupa dhe dhjetëra tanke turke. Ata janë vendosur në më pak se një kilometër nga qyteti, por nuk kanë marrë asnjë urdhër për të ndërhyrë.
 
“Turqia do të ndërhyjë vetëm në rast se strategjia e Shteteve të Bashkuara do të përfshijë një plan për atë që do të ndodhë pas rrëzimit të presidentit sirian Bashar Al Assad”- ka thënë më herët kryeministri Ahmet Davutoglu.
 
Tani për tani, Ankaraja është e kufizuar në mbështetjen e Kobane vetëm me ndihmë humanitare, ndihma e të cila deri më tani duket e pamjaftueshme, pasi Kobane është tashmë një qytet fantazmë, i cili shumë shpejt mund të bjerë nën kontrollin e shtetit islamik.

kobane
 

















Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)