STAMBOLL- Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, garantoi sot se pozicioni i vendit të tij mbi luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik (ISIS) ndryshoi pas lirimit të pengjeve turke, duke sygjeruar se Turqia mund t'i bashkohet koalicionit ushtarak kundër ISIS-it.
"Pozicioni ynë tashmë ka ndryshuar. Procesi që do të vazhdojë do të jetë krejtësisht i ndryshëm", deklaroi në Stamboll Erdogani pas kthimit të tij nga Asambleja e Përgjithshme në OKB në Nju Jork.
"Sikurse e dini, një projektmandat do t'i paraqitet parlamentit dhe do të bisedohet më 2 tetor. Sapo të votohet, masat e nevojshme do të merren. Ky mandat autorizon ndërhyrjen e forcave të armatosura", shtoi ai.
Pushteti islamiko-konservator turk deri tani ka nguruar të bëhet pjesë e koalicionit ushtarak të mbledhur nga SHBA-ja për të luftuar kundër ISIS-it, pasi i druhej faktit se mund të ekzekutoheshin rreth 50 pengjet turke, të kapur gjatë ofensivës xhihadiste në Irak./ATSh/