Ata vizituan disa nga dhomat ku gjenden të ekspozuara dokumente dhe fakte tronditëse që tregojnë vuajtjet dhe persekutimin e popullit shqiptar gjatë diktaturës komuniste, e cila ndau dhe shqiptarët përtej kufijve.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, pasi kreu vizitën në Bunk'Art 2 u shpreh se kjo ekspozitë është një vlerë e shtuar e kryeqytetit të Tiranës.
"Unë kam parë dhe punën e shkëlqyer tek bunkeri tjetër dhe më vjen mirë që e kujtojmë historinë. Shumë prej kolegëve që kanë dëgjuar jashtë kufijve të Shqipërisë mbi paranojën dhe investimin monumental që shteti shqiptar ka bërë në vepra të tilla, sigurisht janë të mahnitur. Eshtë një moment ideal për të rikujtuar historinë. Hapja e tij për publikun, sigurisht që është një element pasurie për qytetin. Për të gjithë ata që me histeri u munduan të prishnin bunkerin me protesta kuptuan që nga historia, nga mësimi i historisë nuk ka gjetur kush keq. Përkundrazi, injoranca e dhunës mbi të kaluarën nuk ka sjellë ndonjë përfitim."- deklaroi Veliaj.
Ndërsa kryetarja e komunës së Tetovës,Teuta Arifi është shprehur se ka prekur nga afër dhimbjet dhe vuajtjet e shqiptarëve.
"Eshtë një mundësi e jashtëzakonshme për të parë këtë vend, i cili tanimë është një vend muze. Kjo na kthen pas në periudhën e para viteve '90, në atë kohë kur për shkak të ndarjes së madhe të shqiptarëve, shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk kishin edhe shumë ide, apo shqiptarët e Shqipërisë nuk njihnin shqiptarët jashtë shtetit shqiptar. Kjo histori e dhimbshme, absolutisht ajo që duhet të mësojmë është që të mos i përsërisim dhe e ardhmja e shqiptarëve të bazohet në ato vlera të rëndësishme të demokracisë të cilat do kishin kujdes të paktën popullatën e vet nga dhuna dhe nga torturimi "- deklaroi Arifi.
Me tej kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti duke folur për përshtypjet e vizitës në këtë ekspozitë-bunker rrëfen se ka parë disa fakte që s’i kishte imagjinuar më parë.
"Ne zakonisht lexojmë për të tilla gjëra, por kur atij leximi ja bashkëngjit pamjet, siç ishin këto sot, nuk është më vetëm një objekt i zbavitjes apo kalimit të kohës, por të jep dhe një ndjenjë rrënqethëse pak kur kalon në këto dhoma pak klaustrofobike, të torturës të përndjekjes tregon për një histori që ne vështirë mund ta paramendojmë se mund të ndodhë dikund."- deklaroi Shpend Ahmeti.
[gallery]19866[/gallery]
Fotot Antonio Çakshiri)
Ndërkohë, në orët e pasdites, delegacioni me kryetarët e rajonit ka vizituar edhe BUNKart 1, që u çel dy vjet më parë. Ata kanë vizituar edhe dhomat e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut dhe janë ulur edhe në një nga dhomat që tregonte modelin e banesës socialiste, me orenditë e kohës. Në librin e përshtypjeve përfaqësuesit e delegacionit kanë vlerësuar çeljen e muzeut duke shkruar mesazhin “historia duhet të njihet që diktatura të mos përsëritet”.
[gallery]19870[/gallery]
(Fotot Antonio Çakshiri)
(er.nu/shqiptarja.com)