Erjon Veliaj: Po thyhen
tabutë për bajraktarët

Erjon Veliaj: Po thyhen <br />tabutë për bajraktarët
Erion Veliaj, sekretar i PS për rininë dhe emigrantët pas kthimit nga Presheva dhe Athina, tregon për organizimin e takimeve të Edi Ramës me shqiptarët atje, dhe faktit se qeveria nuk duhet të provokojë në situata, kur për çështjen rajonale të dy palët, si PS dhe PD kanë një qëndrim të përbashkët.  ( ne foto Edi Rama, Ditmir Bushati, dhe Erion Veliaj gjatë vizitës tre ditë më parë në Preshevë)

Zoti Veliaj, Rama hyri në një zonë të vështirë siç është Presheva. Ka një ide në fakt, që Rama nuk është një personazh shumë i dashur në trevat shqiptare jashtë Shqipërisë. Si u organizua takimi dhe me ftesë të kujt?

Presheva ishte një përvojë e jashtëzakonshme! Mijëra njerëz na treguan një mikpritje të rrallë nën një mot të acartë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut në bashkëpunim me komunat shqiptare të Luginës së Preshevës organizuan vizitën, prezantimin e librit dhe takimin me të rinjtë e Luginës. Për shumë të rinj Tirana është qyteti i tyre universitar dhe ata kishin qenë dëshmitarë të tranformimit të Tiranës nga puna e Edit - kësisoj kishte një interes të dyfishtë për ta ftuar. Salla e madhe e komunës u mbush tejplot, më erdhi shumë keq për gjithë ata miq që mbetën në këmbë e jashtë nga mungesa e hapësirës. Ajo ishte pamje e paharrueshme që thyen çdo mit urban se kinse veriu dhe çështja shqiptare qenkësh pronë e një bajraktari.
Falë teknologjisë dixhitale, të gjithë qenë të informuar gjer në detaje për situatën dhe debatet në Shqipëri. Kjo lidhje ndihmon, por nuk zgjidh shumë prej problemeve reale aty, nevojën për shkolla, spitale apo infrastrukturë. Të gjithë pyesnin se nëse Sali Berisha dhuron për kishën serbe në Gracanicë, pse jo për një shkollë për fëmijet apo një maternitet për bebet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Ideja e Ramës dhe nisma e PS për ta propozuar e buxhetuar një shkollë e një maternitet në parlament është një gjë konkrete dhe e dobishme - përtej tam-tameve me llafe patriotike, kjo është diçka e prekshme.

Ndërkohë po atë ditë në Tiranë kanë ardhur disa zyrtarë të Preshevës në takimin me ministrin e jashtëm. E konsideroni si një karshillik, apo ishte thjesht rastësi axhenda?

Kaluam jashtëzakonisht mirë me 2 kryebashkiakët dhe 2 kryetaret e keshillave bashkiake, përkatësisht të Presheves dhe Bujanovcit. Ata ishin shërbëtorë të mirë të qytetarëve aty, të cilët me mjete nga më modestet mundoheshin të mbanin shërbimet bazike në këmbë. Ne e çmuam faktin që përfaqësuesit kryesorë të komunitetit na pritën bujarisht. Nuk di kush erdhi për Ministrinë në Tiranë, nuk besoj që ministri të ketë bërë diçka kaq të pazgjuar. Në çështjet që prekin kauzën e shqiptarëve në rajon, kemi qenë të unifikuar - nuk shkon ta prishim këtë rregull!

Cilat janë mesazhet kryesore që përcillni nëpërmjet këtyre takimeve? Janë thjesht njohëse apo kanë edhe një përmbajtje politike nga pas?

Një pjesë e takimeve kanë qenë për audiencat letrare, lidhur me librin Kurban. Por si partia me e madhe e shqiptarve, PS s'mund të mos prekë çështje me interes për shqiptarët kudo që janë, qofshin minioritet në Serbinë e jugut apo rreth 1 milionë emigrantë në Greqi. Programi ynë i ri ka politika të qarta për mbështetjen e minoriteteve shqiptare nëpërmjet arsimit, shëndetësisë e përfaqësim politik. Rillindja Shqiptare propozon zgjidhje konkrete për votën e emigrantëve, transferimin e pensioneve, reformimin e TVSH2 si instrument për arsimin e fëmijëve jashtë. Por, të gjitha këto ide të mira, duhen ballafaquar me grupet që përfitojnë. Kësisoj bisedat politike në Preshevë, Athinë apo kudo jetojnë shqiptarët na mundësojnë një program më realist e më të vërtetë. Por a ka tema politike? Sigurisht që s'mund t'i shmangësh këto pyetje, shumë prej tyre treguan interes pse qeveria shqiptare e Berishës bëri kontrabandën e naftës me Miloshevicin, pse gjithashtu ishte kunder Rambujesë, pse e vodhi Rrugën e Kombit në ato përmasa apo pse i fali detin Greqisë pa transparencë. Faktet duhen thënë siç janë. PS mbështeti UÇK-në që nga dita e 1-rë me organizimet jashtë vendit - ky është fakt. Majko buxhetoi dhe projektoi të njëjtën rrugë kombi me një kosto më të ulët, pa hapësira për vjedhje e abuzime -ky është fakt! PS-ja çoi në gjykatë kushtetuese dhe fitoi betejën kundër shitjes së detit - ky është fakt! Siç e thashë në fillim, këto takime rrëzuan ca mite e theksuan ca fakte që vënë pikat mbi i në lidhje me qëndrimet politike për cështjen shqiptare. Ne mezi presim të rikthehemi, kësaj here në Bujanovc, Ulqin, Firenze, apo dhe Londër e kudo ku ka shqiptarë që kërkojnë të përfaqësohen nga partia më e madhe e shqiptarëve.
(An.ba/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kandidat për kreun e FSHA, Luiza Gega sulmon Izmir Smajlajn: Ishin në dijeni të manipulimeve, skandalet s'duhet lejuar të kalojnë në heshtje

Kandidat për kreun e FSHA, Luiza Gega sulmon Izmir Smajlajn: Ishin në dijeni të manipulimeve, skandalet s'duhet lejuar të kalojnë në heshtje