TIRANE - Erla Mëhilli, zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka sqaruar në Facebook se “dekreti” i Berishës, ku përfitojnë edhe persekutorët e regjimit komunist, nuk është njësoj si “dekorimi” i Ramës. Ajo shkruan në Facebook se, “vendimi apo dekreti i 94 është akt normativ që i jep një status një kategorie të caktuar”. “Pra nuk është akt nominal për të cilin verifikohen kushtet e secilit individ. Ndërsa dekorimi është akt nominal për çdo individ me motivacion individual pra duhen hetuar rrethanat rast pas rasti. Të shpallesh "veteran" është status për një kategori nuk është dekoratë. Kurse dekorata është onorificencë, është akt individual. Statusi i jepet një kategorie mbi bazën e faktit që ka luftuar kurse dekorata jepet për merita të posaçme çdo individi”.
 
Në vijim të debatit për ish-persekutorët e diktaturës, ndër ta edhe Shyqyri Çoku, kryehetuesi i At Zef Pllumit, zëdhënësja e Berishës ka publikuar në Facebook edhe listën e anëtarëve të Presidiumit Popullor, të cilët kanë firmosur për varjen e poetit Havzi Nela, ku ndër ta është edhe emri i Kristaq Ramës, babai i kryeministrit Edi Rama. “Kjo nuk ishte firmë, ishte litar! Po për këtë firmë që çoi në litar Havzi Nelën, a do kërkojë ndjesë Edi Rama?”, shkruan Mëhilli. 


ERLA MEHILLI