Ermonela Felaj: Si do të funksionojë
Byroja Shqiptare e hetimit

Ermonela Felaj: Si do të funksionojë<br />Byroja Shqiptare e hetimit
TIRANE- Deputetja socialiste, bashkëhartuesja e programit qeverisës për drejtësinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit Ermonela Felaj në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” tregon piketat e reformës në drejtësi e organet ligjzbatuese në vend. Ajo tha se duhet të ngrihet një komision Parlamentar Hetimi Permanent në Kuvend, i ngjashëm me Komisionin Antimafia italiane. Felaj flet për Byronë Shqiptare të Hetimit e funksionimin në varësi të kryeministrit, krijimin e njësive të posaçme të luftës ndaj krimit e korrupsionit në përgjithësi, dhe drejtësi, në veçanti. 

Një ndër premtimet më të cilat mazhoranca e re erdhi në pushtet është lufta kundër krimit e korrupsioniit. Si do operohet?
Me fillimin e Legjislaturës së re do të fillojë një erë e re në luftën kundër krimit dhe veçanërisht korrupsionit si edhe në llogaridhënien që vetë institucionet e ngarkuara në një luftë të tillë duhet të japin në lidhje me rezultatet që duhet të arrijnë.
Partia Socialiste ka në programin e saj implementimin e një vullneti të hekurt në luftën kundër krimit dhe korrupsionit ose atë të ‘jakave të bardha’ në veçanti. Kjo ishte pjesë e programit tonë, e vizionit të Kryetarit të PS dhe Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, e çdonjërit prej nesh. E kemi premtuar dhe do të bëhet realitet dhe e prekshme për çdo qytetar.

Krimi ka fituar legjitimitet tashmë....?
Ne si mazhorancë do ndërmarrim gjithë masat e duhura ekzekutive dhe legjislative që të godasim krimin dhe korrupsionin në çdo aspekt si edhe do të nxjerrim nga apatia gjithë aktorët që merren me zbatimin e ligjit. Të dhembin faktet që hasim përdite, ku mosndëshkimi i një krimi passjell krime të tjera siç janë rastet e vrasjes së tre personave pak ditë më parë në plazh në Vlore, ku autori ishte në liri me kusht për drogë, (prodhimi dhe shitja e substancave narkotike dënohet minimumi 5 vjet burg) apo apatia, mosndërhyrja irrituese për çdokënd si e policisë së shtetit ashtu edhe e Prokurorisë, qoftë kryesisht ndaj plantacioneve të tëra me drogë në Lazarat. Për këtë arsye do të studiojmë masat që duhen marrë për të goditur kriminalitetin si dhe për të vënë në eficencë të plotë dhe në lufte të pakompromis çdo aktor të sistemit të drejtësisë të ngarkuar me këtë luftë dhe për këtë po studiohen disa masa konkrete.

Cilat do të jenë këto masa...?
Duke mbajtur parasysh pushtetin që i është besuar organeve të pavarura në sistemin e Drejtesisë si KLD, organit të Prokurorisë dhe organeve të tjera që merren në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë me luftën kundër kriminalitetit që perfshin edhe korrupsionin në këtë rast, impaktet që ka përdorimi i këtij pushteti në garantimin e të drejtave të individëve, nevojën për transparencë, është e nevojshme jo vetëm “llogaridhënia” përmes raportimeve dhe informimeve publike, por  në kushtet aktuale edhe krijimi me ligj i një organizmi parlamentar, një KOMISION HETIMI PARLAMENTAR PERMANENT, i cili do të “hetojë”(në kuptimin e njohjes dhe llogaridhenies), situatën e rendit dhe sigurisë publike në vend, të korrupsionit në institucionet shtetërore, me qëllim konceptimin e masave të reja ligjore për parandalimin e situatave të tilla, plotësimin e nevojave eventuale të prokurorisë etj, (diçka e ngjashme kjo me Komisionin Antimafia në Parlamentin italian). Dmth, ideja është që Institucionet e ngarkuara me luftën kundër kriminalitetit dhe ato të dhënies së drejtësisë, të raportojnë në mënyrë periodike në kuptimin e njohjes dhe llogaridhënies, para këtij Komisioni. I cili nga ana e tij raporton me një Raport të detajuar në Parlament, duke dhënë konkluzionet përkatëse për çfarë ka dhe nuk ka funksionuar në veprimtarinë e këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe duke i propozuar Ligjvënësit, pra Parlamentit, masat që duhen ndërmarrë.
 
Problem është hetimi....?
Duhet reformuar marrëdhënia institucionale mes Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore  si pika më kritike e hetimit duke vendosur marrëdhënie të qarta të bazuara në ligj. Duhet reformuar Policia Gjyqësore duke e çliruar nga varësitë e shumëfishta nëpërmjet krijimit të një sistemi piramidal varësie e karriere të pavarur. Aktualisht kemi nujë polici gjyqësore të shpërndarë në policinë e shtetit, policinë e hetimit tatimor, pyjore, atë në varësi të prokurorisë etj. Varësitë e shumëfishta krijojne vetëm konfuzion aq me tepër me një ligj skandaloz siç është ai “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”. Policia gjyqësore është hallka kryesore e hetimit, ajo merret me zbulimin e veprave penale, kërkimin e autorëve, grumbullimin e provave. Policia gjyqësore do jetë unike, e ngritur në rangun e një institucioni me kompetenca të përcaktuara qartësisht duke u transformuar në Byronë Shqiptare të Hetimit(që e kemi edhe në program).

Byroja Shqiptare e hetimit do të varet nga kryeministri...?
Byroja Shqiptare e Hetimit duhet të jetë organizuar në sistem piramidal, me kompetenca të plota dhe të gjëra, ku Kryehetuesi të ketë varësi të drejtëpërdrejtë nga Kryeministri. Për të implementuar një vullnet të hekurt në luftën kundër krimit dhe korrupsionit duhet filluar më së pari nga radhët e institucioneve ligjzbatuese që janë të ngarkuara drejtpërdrejt me këtë luftë, institucionet e drejtësisë. Zbulimi, hetimi dhe ndëshkimi i autorëve të veprave penale bëhet ekskluzivisht nga organet e drejtësisë dhe një drejtësi e korruptuar varros çdo përpjekje për efikasitet në luftën kundër krimit. 

Si do funksionojë Byroja Shqiptare e Hetimit...?
Në të gjitha raportet ndërkombëtare sistemi i drejtësisë është më i korruptuari. Sistemi i drejtësisë realisht është ai më i kapuri nga Sali Berisha, e çmontimi i këtij sistemi është një ndërmarrje shumë e vështirë, duke pasur parasysh garancitë kushtetuese dhe vetëmbrojtjen që vetë sistemi i bën hallkave të tij. Prandaj duhet goditur aty ku është më e mundshme, aty ku është kapur, tek sistemi klientelist e korruptiv që është ndërtuar. Për këtë duhet ngritur brenda Byrosë së Hetimit një Njësi Speciale e Hetimit për Luftën kundër Korrupsionit në Sistemin e Drejtësisë, njësi e cila do jetë e ngarkuar të hetojë çdo rast korrupsioni ose shpërdorimi të detyrës nga gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore etj. Kjo do jetë një lloj Task Force që përfshin dhe SHKB aktuale të Policisë, që vepron në formë piramidale e përbërë nga hetuesit me të mirë, e shtrirë në çdo qark, e që merret vetëm me ndjekjen e vënien para përgjegjësisë të çdo aktori që abuzon me detyrën në fushën e drejtësisë. Me ndjekjen e çdo ankese të çdo qytetari ndaj prokurorëve, gjyqtarëve dhe çdo aktori në këtë fushë, dokumentimin në rast të shkeljes së ligjit dhe vënien para përgjegjësisë penale të tyre do të merret kjo Njësi Speciale. Sqaroj se kjo Njesi nuk mund dhe s’duhet të merret me thelbin e vendimmarrjes së çdo gjyqtari apo prokurori pasi në këtë mënyrë do cënohej pavarësia e tyre, por do hetojë çdo rast të sjelljes së tyre të jashtme, çdo rast abuzimi me detyrën.

Intervista u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11 gusht 2013

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë