Ermonela Jaho: “Opera”, një
tempull i vogël me zëra specialë

Ermonela Jaho: “Opera”, një<br />tempull i vogël me zëra specialë
TIRANË - Ermonela Jaho ka qenë nga të parat artiste shqiptare me famë ndërkombëtare që dha kontributin e saj për master class-et në Shqipëri, pohon drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit Ilir Kerni. Kontributi i saj nuk mbaron këtu. Ajo ka qenë edhe ideatorja e parë që të gjithë artistët shqiptarë me karrierë në skenat botërore të vijnë e të japin kontributin e tyre me master class në Shqipëri.

Ermonela Jaho prej katër ditësh ka zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit fazën e dytë të Specializimit për Këngëtarë Lirikë. Nuk janë pak, por rreth katër orë në ditë, ku Ermonela Jaho ka bërë gjithçka për ushtrimin e talenteve, madje edhe ushtrime të joges për zërin. Pas kontributit dhënë në tetor të vitit 2015, Ermonela Jaho i çon studentët drejt një koncerti final për zërat e rinj lirikë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit sot në orën 17.00.

Në një intervistë për Report TV, Ermonela Jaho rrëfen se si i vlerëson zërat e rinj shqiptarë dhe projektet më të afërta të saj në Shqipëri e skenat botërore. Ermonela Jaho i frymëzon artistët e rinj shqiptarë, duke i mbushur me shpresë se një ditë ata do të arrijnë majat artistike.
 
Ermonela, ju keni katër ditë që punoni me master klass, dhe jemi kurioz sesi e gjeni kohën të kontribuoni në Tiranë, kur këndoni nga njëra skenë botërore në tjetrën me shumë pak distancë kohe nga premiera në premierë?
-Mendoj se për një artist, sidomos për një artist që ka dalë nga ky vend dhe nëse do të jetë një artist që ka pasur arritje nëpërmjet punës e që e jeton ëndrrën e tij, do të jetë gjithmonë kështu. Ai do të besoj në rëndësinë e të mirës q  ë bën, dhe do të punoj me gjithë shpirt. Dhe me këtë mendësi unë arrij ta gjej kohës, sepse të jesh artist për mua do të thotë se duhet te jesh idealist, pra duhet të jesh idealist, jo në spekulimin e fjalës, por një idealiste e vërtetë.

Dhe kështu unë edhe aty ku koha është e ngjeshur, edhe aty do gjejë diçka të bukur për ta bërë. Pra, arrita ta gjej edhe atë mundësi dhe të vija këtu. Unë nuk vij këtu thjesht të jap atë eksperiencë që kam fituar më këta artistë, që unë me plot gojën do t’i quaja kolegët e mi. Por ky kontribut më ndihmon mua të bëhem njeri më i thjeshtë, njeri më i mirë, dhe artiste më e mirë. Dhe ky kontribut është një shkëmbim emocionesh. Të mos harrojmë se secili prej  nesh është një artist unik dhe puna ime me ta është një shkëmbim emocional, shpirtëror e artistik.
 
A keni spikatur talente apo cilësi të veçanta vokale gjatë specializimit të zërave të rinj të operës?
-Cilësitë vokale të tyre janë fantastike. Kjo mund të tingëllojë pakëz patriotike, por vendi ynë ka një histori të jashtëzakonshme me shumë histori të dhimbshme. Mund të them se edhe historia jonë shqiptare, që për fat të keq shpesh ka qenë edhe një histori tragjike, edhe kjo tokë i ka dhënë zërit të shqiptarëve një ngjyrë të veçantë. Dhe unë vërtetë mendoj se shqiptarët kudo në botë ku na kanë përfaqësuar, ose këtu në vendin tonë kanë zëra unikë, patjetër unikë, dhe për këtë jam krenare.
 
Ju jeni vlerësuar nga kritika jo vetëm për ngjyrën e veçantë të zërit, por edhe për teknikën. Si ua përcjell talenteve të reja mësimin e kësaj teknike?
-Teknika të jep ata çelësa që shërbejnë për të hapur dyert e shpirtit, të zemrës, të shprehësh çdo lloj emocioni, sepse teknika vetë është gjuha shpirtit, e zemrës për t’u shprehur një këngëtar lirikë. Teknika mund tua them shumë thjesht për të mos vajtur në detaje, është si puna e një motori që ti e përgatit për punë. Pra nëse ti e përgatit motorin për të kënduar një arie, apo dy-tre arie duhet të kesh gati një motor për të bërë një gare 10 kilometra, ndërsa për të kënduar një operë, të duhet përgatisësh një motor të atillë që të përballosh një garë për 100 kilometra.

Kështu mund tua shpreh figurativisht. Pra për mua është kjo eksperiencë, ajo rezistencë vokale e trupit, dhe trupi do përditë punë përgatitore, që unë e bëj përditë vetë. Është kjo lloj disipline, kjo lloj logjike që unë përpiqem t’ua jap artistëve të rinj. Pra është puna e përditshme, që do të thotë përsëritje dhe përsëritja bën mrekullira, nuk e bën kjo artistin, por kur bëhet fjalë për një artistë të mirë, që është në një stad tjetër, kjo të ndihmon që të vokalizosh dhe të këndosh shpirtin tënd. E veçanta që një artist të arrijë majat është si pika e ujit që gërryen pak nga pak.
 
 
Dhe mësuam që keni praktikuar edhe jogën e zërit për të stërvitur zërat e rinj?
-Patjetër që do ta bëja stërvitjen për jogën e zërit. Padyshim që duhet se lidhet me frymëmarrjen. Dhe frymëmarrja është muskuli që e kontrollon këtë, është diafragma. Kjo praktikë ndodh me operën, me baletin, me teatrin për të kontrolluar zërin.
 
Ku e gjeni ju vetë energjinë?  
-Energjinë e gjej, sepse e dua shumë këtë gjë që bej. Për mua është terapi, është qëllimi i jetës sime dhe i gjithë sukseseve. Nuk ka ndonjë recetë për të mbërritur në majë, është besimi, është puna ime e palodhur, është ëndrra. Është ajo që ti sheh një pikë që të tjerët nuk e shohin, pra që nuk  e shohin tek ty, se mund të ndodh, por kjo nuk do të thotë se ti nuk ekziston, kjo pikëmbërritje është si një dritë në fund të tunelit që ekziston për ty, dhe kur ti këmbëngul e arrin.
 
Çfarë rëndësie ka për ty, nominimi në Internacional Opera Awards për Readers'Award.
-Të jem e sinqertë, kjo nuk më bënë as këngëtare më të mirë, as nuk do të më ndryshojë si këngëtare. Unë jam një Ermonelë që do të punojë me pasion. Ajo që bën ndryshimin është se po lakohet një këngëtar shqiptar, sepse duhet të pranojmë se parë më paragjykim, sepse ne nuk e kemi as traditën e shkollës ruse, ku kemi marrë shumë nga kjo shkollë, as atë të shkollës italiane apo franceze, ku sigurisht kemi marrë prej tyre.

Të nominohet një këngëtare shqiptare nga publiku në botë, unë mendoj se e kanë arritur të shikojnë botën shqiptare, nëpërmjet syve të një artisteje shqiptare. Pra ne artistët shqiptarë arritëm me punën tonë të marrim vëmendjen. Nëse kjo garë fitohet, është një nder për operën shqiptare. Nuk është një nder për Ermonelën, që e quan një tempull këtë operë të vogël ku jam rritur, por është nder për Operën shqiptare, që sado e vogël, ka nxjerrë zërat më specialë.
 
Cila ka qenë sopranoja shqiptare që ka dhënë më shumë përkushtim kur ishit studente, ashtu si ju po ushtroni këta të zëra të rinj?
-Sopranoja shqiptare?! Në fakt për mua ka qenë Marija Kallas, ajo ka qenë ai ylli ku unë e dëgjoja shpesh, e dëgjoja e mësoja prej saj dhe mendoja që ta arrija.
 
Do të vini në Tiranë për të dhënë ndonjë opera, pas koncertit të studentëve?
-Së shpejti do të vijë për një opera tjetër. Sigurisht që do të vijë, sa të gjejë një moment të lire.
 
Ku do jeni pas largimit nga Tirana?
-Unë kam shfaqjen e fundit në Londër, do të këndoj operën “Suour Angelica” më 15 mars dhe pastaj do të këndojë në Mynih, etj. Nuk kam qejf të flas për veten time, por ju mund të shikoni më shumë për shfaqjet në faqen online të operave.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt

Noizy në kërkim nga autoritetet e Kosovës, Stresi tregon si nisi sherri: Ai na shan nga familja, unë nuk jam servili i askujt