Ernest Muçi duket se është i detyruar të largohet nga Besiktas në këtë afat kalimtar veror. Sulmuesi i Kombëtares ka ofertë nga Premier League, me Aston Villan që duket se ka në plan të ofrojë 19 milionë euro për të blerë kartonin e 23-vjeçarit.
Veç saj, Muçi do përfitonte 2.5 milionë euro në sezon dhe kalimi në Premier League do ishte një hap i madh për djaloshin që i ka kaluar një nga një shkallët në karrierë.
Klubi nga Birmingham po pret momentin e duhur i cili është tani, kjo pasi Besiktas ka bërë shumë afrime në sulm, aq sa Muçi ka mbetur në stol dhe me trajnerin Giovanni van Bronckhorst nuk ka shijuar minuta këto javë.
Duket se për sulmuesin e lindur më 19 marsin e 2001 po bien kambanat e Premier League, çka do bënte që Muçi të hidhte një hap të rëndësishëm për të ardhmen, duke luajtur në një nga kampionatet më të forta në botë.