ESE/ Miliona çadra...

ESE/ Miliona çadra...
Hyra në një librari. Lashë çadrën e zezë në koshin pranë derës ku ishin disa çadra të qullura. Kishin ardhur librat e rinj, që po i shfletonte një burrë, shikimin e të cilit arrija ta ndieja, edhe pse isha me kokën ulur mbi libra. Jashtë, shiu vijonte. Kur u afrova drejt daljes, vura re se në kosh ndodhej vetëm një çadër. E kuqe. Çadra ime ishte zhdukur. Çfarë kishte ndodhur? E kishte marrë era? Hodha sytë përrreth. Pyeta punonjëset e librarisë ku ishte zhdukur çadra ime e zezë. Nuk dinin gjë.

Njëra prej tyre, me të dëgjuar ankesën time, e shqetësuar doli jashtë. Kur u kthye, tha se kishte parë dikë që sapo doli të ikte me hap të shpejtuar. Ta dija çfarë të ndodhi me çadrën, do ta kisha ndalur, tha, veç prej inatit; po deshe, kontrollojmë kamerat e vëzhgimit, se i njohim ata që vijnë këtu. Jo, i thashë, nuk është aq e rëndësishme.
Më vinte për të qeshur. Kur e vendosa çadrën në kosh, as më shkoi ndërmend se çadra ime mund të ngjallte ndonjë interes, aq më pak të vidhej. Në librari, ku, siç dihet, njerëzit vijnë për të blerë libra dhe jo për të vjedhur çadra, kjo është e papërfytyrueshme të ndodhë. Ndërkohë, çështjen e çadrës së zhdukur, nisa ta mendoj më thellë, jo thjesht si viktimë.

M’u kujtua një rast tjetër, kur binte shumë shi. Hyra në një lokal. Çadrën e lashë jashtë, te një mal me çadra të tjera shumëngjyrëshe, hedhur shkujdesshëm, që e kishin bërë qull dyshemenë dhe kishin formuar rrëke. Disa nga ato çadra të qullura dukesh sikur mbanin kokën ulur. Një e hapur kishte zënë vend sa për disa të mbyllura. Dy a tre të vjetra, të dëmtuara. Kishte edhe të ngjashme me timen. Tërë kohës, mendja më rrinte te çadra, por, le të themi, i kisha dhënë lamtumirën qëkur shkela në lokal. Për çudinë time, kur dola, ishte ende aty, e paprekur, pranë një dyzine çadrash të tjera. Tani që po e mendoj, kishte edhe më të bukura se e imja, mund të kisha zgjedhur cilën të doja.

Kam kuptuar se tundimi në fjalë nuk është mëkat vetëm i imi. Kemi rënë dakord në heshtje se nuk ka asgjë të keqe të vjedhësh apo këmbesh çadrën tënde me një tjetër që gjen, as na vjen fare turp. Sa herë hyjmë në dyqan apo lokal, na duhet ta marrim me vete çadrën që pikon ujë, përndryshe nuk do të kemi me se të kthehemi në shtëpi. Kur kamerieri thotë se çadra nuk lejohet brenda, sepse, ta hajë dreqi, vendi bëhet me baltë, e dimë se mund të jetë hera e fundit që e shohim, dhe do të dalim nga lokali për t’u njomur nga shiu, ose do t’i bëjmë vetes dhuratë një nga çadrat e koshit. Ka plot raste të tjera, jo vetëm me çadra, që provojnë se reflekse përditshmërie me thelb kriminal i kemi pranuar dhe përvetësuar si shprehi pa zarar.

Para ca kohësh, dikush shkoi në burg pikërisht për vjedhjen e një çadre. Media, bashkë me lajmin, përcolli mendësinë e rrënjosur në gjithë shoqërinë tonë. Titujt e zgjedhur ishin “Rasti i çuditshëm, burg për një çadër”, apo edhe “Në burg se vodhi një çadër, këmbëngulja e  çuditshme e Prokurorisë”. Media u habit, sepse, sipas saj, dhe të shumtëve që këtë media me apo pa dashje e besojnë, të marrësh një çadër nuk është asgjë para krimeve të tjera, si korrupsion e vrasje, çka është thellësisht e gabuar, sigurisht dhe kriminale, por që nuk përcaktohet si e tillë, thjesht, prej përmasave tepër të mëdha të përhapjes së shprehisë së mësipërme. Ndërsa përditë flitet për reformë në drejtësi, prokurorët e gjyqtarët tanë bëjnë të kundërtën e asaj që duhej të bënin: trajtojnë krimet e rënda si vjedhje çadrash, dhe këto të fundit si krime të rënda, sepse kriminelët e mëdhenj qendrojnë mbi drejtësinë. 

Të gjithë po kontribuojmë në relativizimin e fenomenit, duke mos pranuar se vjedhja mbetet vjedhje, qoftë një çokollatë në supermarket, apo një çadër në daljen e tij. Duket qesharake, por imagjinoni sikur të zbatonim ligjet për të ashtuquajturit “ish-pronarë” edhe për çadrat. Përfytyroni paditësit në gjykata që pretendojnë pronësinë, shpjegojnë kur e si ndodhi që çadra u bë e tyre, avokatët e zellshëm që mbrojnë grabitësit me prova të forta, gjyqtarët që lexojnë solemnisht vendimin se kujt i takon çadra e zezë, me bisht pak të kthyer, çadra që qan, çadra që qesh, çadra që ironizon, çadra të vjedhura në supermarkete të mëdha, lokale blloku, hotele luksi, furra buke, sepse vetë çadrat nuk kanë gojë të thonë në duart e kujt kanë kaluar.Ky vend i bekuar nga dielli, ato pak ditë me shi gjatë vitit i ka si bekim për të rinj e të vjetër, me shkollë të lartë apo analfabetë, të pastrehë apo me kollare, por të gjithë hajdutë të pafajshëm çadrash memece, të gjithë të toleruar. Me të njëjtën psikologji kriminale si e  marrjes pa teklif të çadrës së tjetrit, vidhen miliona lekë e euro në mes të ditës, zaptohen toka, grabiten pasuri natyrore, po sa çadra mund të bliheshin me aq parà? Nën çadrat e panumërta që vjedhim dhe lejojmë të vidhen, drejtësinë nuk e ze as edhe një pikë shiu. Mbetet e thatë. 
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë