TIRANË- Ajo është një prej figurave historike në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Një rrugëtim i gjatë në studiot dhe korridoret e kutisë magjike, ekranit. Iva Hoxha është një emër i lakuar po aq sa i dashur për publikun i cili e kujton atë me nostalgjinë e kohës por dhe me ndjesinë e pazëvendësueshme të një zëri që ka lënë gjurmë mes brezash.

Iva erdhi në program dhe ne rrëmuam pak në të shkuarën, në ndjesitë dhe emocionet e kohës, kur televizioni ishte përditshmëria e saj. Ajo kujtoi me nostalgji kohën duke thënë se nuk dilte dot nga korniza e përcaktuar e sjelljes dhe impostimit në ekran. Çdo gjë ishte e përcaktuar dhe ajo ende sot, nuk e ka atë liri në ekran, pavarësisht se gjërat kanë ndryshuar.

Ajo sillet njësoj edhe në një bisedë në studio. Dhe këtë thotë se nuk e ndryshon dot. Kohën e ekranit e konsideron një emocion që e mban gjithnjë me vete edhe sot. Hoxha kujton mes të tjerash, se dalja në pension e ndikoi shumë ritmin e saj të ditës  dhe e përjetoi mjaft atë moment.

Mirëpo, mbesat janë një prej atyre gjërave që mbush përditshmërinë e saj sot.

"Janë vajza të mbara dhe nuk janë shumë problematike. Të kënaqin shpirtin”, shprehet Iva për mbesat. 

Ndërsa  puna në televizion është një refren që ajo e mban me vete gjithmonë, pavarësisht se rutina sot ka ndryshuar. Lidhja dhe marrëdhëniet me njerëzit në jetën e saj, janë energjia e së përditshmes, tashmë me një ritëm të ri.

“Në përgjithësi jam një shoqe shumë e mirë dhe aty ku kam punuar, i kam dashur të gjitha pa përjashtim të gjitha vajzat Në ditët e para ato më jepnin kurajo, më jepnin zemër, je shumë mirë. Kuptoheshim shumë mirë me njëra tjetrën. -tregon ajo për marrëdhënien me kolegët. 

Dhe kjo u vu re edhe tek surpriza që Iva mori në program nga mikesha e saj e ngushtë, Nevila.