‘Është i interesuar vetë Biden’/ Eksperti amerikan flet për rritjen e rolit të SHBA-ve në Ballkan: Rajoni të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

‘Është i interesuar vetë Biden’/ Eksperti amerikan flet për rritjen e rolit të SHBA-ve në Ballkan: Rajoni të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

Joe Biden dhe Charles Kupchan

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane.

Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Kupchan, administrata amerikane ka nominuar së fundmi ambasadorë të rinj në tri shtete të Ballkanit. Jeffrey Hovenier në Kosovë, Christopher Hill në Serbi dhe Michael Murphy në Bosnje-Hercegovinë. Gabriel Escobar është po ashtu i ri në pozitën e tij si zëvendës-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe si i dërguar për Ballkanin. Disa thonë se këto vendime tregojnë që Shtetet e Bashkuara kanë synime serioze në këtë rajon. Si e komentoni këtë?

Charles Kupchan: Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë.

Pra është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon. Po ashtu mendoj që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet me prioritet për administratën Biden, në mënyrë që të përfundohen proceset e zvarritura nga e kaluara?

Charles Kupchan: Nëse dëshironi të thoni se a është prioritet global? Përgjigja është jo. Unë them se ai ka dy prioritete kyçe. E para, që e dominon presidencën e tij, është rregullimi i gjërave brenda SHBA-së, miratimi në Kongres i paketave të mëdha për investime, për të ndihmuar popullin amerikan dhe për t’u siguruar se epoka e Trumpit, apo diçka e ngjashme, nuk do të përsëritet më kurrë.

E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende.

Unë mendoj se e di si përfundon kjo gjë. Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet.

Radio Evropa e Lirë: Në dëshminë e tij para Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, më herët gjatë këtij muaji, Hovenier ka thënë se nëse i konfirmohet nominimi, ai do ta inkurajojë Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A mund të shohim një marrëveshje në mes të dyja vendeve gjatë mandatit të tyre? Në çfarë shkalle e shihni fleksibilitetin e dy palëve në arritjen e një marrëveshjeje?

Charles Kupchan: Mendoj se duhet dhënë merita, kur ka të tilla. Administrata Trump ka bërë përparim në këtë fushë, pra ka pasur lëvizje në aspektin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhënet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim. Mendoj se një nga gabimet që ka bërë administrata Biden është se ka ndjekur rrugën si e vetme, dhe BE-ja po ashtu rrugë të vetme. Pres të shoh SHBA-në dhe BE-në që të bashkohen për të shënuar përparim në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ky më duket ekipi më i mirë për të çuar çështje përpara.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj çështjeje, më 21 tetor, Parlamenti Evropian ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk ka përmbushur premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor. Disa ligjvënës i kanë konsideruar premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos si “fjalë boshe”, duke përmendur refuzimin për të ofruar afate kohore për procesin e zgjerimit. Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë pajtuar për të forcuar edhe më shumë angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, për t’i ndihmuar rajonit që të shënojë përparim në rrugën evropiane. Çfarë mund të presim nga një përkushtim i tillë?

Charles Kupchan: Kritikat nga Parlamenti Evropian nuk janë për t’u befasuar dhe të paarsyeshme. Një kombinim i krizave politike brenda Evropës Perëndimore dhe Shteteve e Bashkuara, plus pandemia, kanë ndikuar që një periudhë të ketë më shumë fokus brenda. Prioritetet kanë qenë rimëkëmbja e ekonomisë, luftimi i pandemisë së koronavirusit, kthimi i njerëzve në punë dhe kjo ka bërë që të ketë më pak vëmendje në agjendën e politikës së jashtme. Sa i përket Evropës, kemi parë një lodhje nga zgjerimi dhe një fokus në Brexit dhe menaxhim të situatës pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Ende nuk e kemi tejkaluar pandeminë, ende duhet bërë shumë punë. Mirëpo e vërej që, si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington, ka një marrëveshje që për çështjet e papërfunduara në rajonin e Ballkanit, kjo është kohë e përshtatshme për t’i adresuar ato. Vlen të përmendet se ajo çfarë po motivon të dyja palët e Atlantikut janë Rusia dhe Kina. Rusia ende përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet politike në rajon, në të mirë të saj. Kina është duke tentuar të depërtojë në Evropën Juglindore. Prandaj SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus dhe atij kinez. Dhe kjo gjë nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe drejtimin e të gjitha shteteve të rajonit në rrugë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë në Bosnjë. Ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është e gatshme të përdorë të gjitha sanksionet e mundshme kundër atyre që dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe. Kjo deklaratë ka ardhur pas vendimit të Republikës Sërpska që në mënyrë jokushtetuese të miratojë një ligj për krijim të një agjencie për ilaçe, në nivel entiteti. Është thënë se e njëjta gjë do të ndodhë me forcat e armatosura të Bosnjës, Agjencinë e Sigurisë dhe Autoritetin Indirekt të Tatimeve. Si i komentoni vendimet e anëtarit të presidencës trepalëshe, Milorad Dodikut dhe deri në çfarë niveli mund të përdoren sanksionet amerikane?

Charles Kupchan: Nuk dua të spekulojë se çfarë hapa specifikë mund të marrë SHBA, qoftë vetëm, apo në koordinim me BE-në. Mirëpo ka zemërim në të dyja anët e Atlantikut rreth zhvillimeve politike në Republikën Sërpska, në lidhje me mënyrën sesi Dodik është duke luajtur lojë të rrezikshme dhe është duke qëndruar në pushtet në Bosnje-Hercegovinë. Sërish, nuk dua të spekulojë, mirëpo më duket se ka nevojë në rritje për të shënuar përparim të rëndësishëm në rajon.

Qoftë përmes sanksioneve, apo përmes rishikimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për të krijuar struktuara që vendosin më pak theks në partitë që udhëheqin në baza politike. Mbetet të shihet. Mirëpo shihet qartë se tentimet për të krijuar politikë më të shëndetshme dhe konstruktive në Bosnje-Hercegovinë janë një nga prioritetet në rajon, bashkë me normalizimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni pozicionin e Rusisë në ndasitë politike në Bosnje?

Charles Kupchan: Rusia është shtet që gjithmonë tenton që të shfrytëzojë nga ndasitë. Dhe është e mirë në këtë gjë. Kjo është një nga arsyet pse them se BE-ja dhe SHBA-ja do të tentojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshje politike. Në rastin e Serbisë, rusët janë shumë të mirë për të shfrytëzuar ndasitë politike brenda Ballkanit Perëndimor. Prandaj ky është arsyetim i mirë për të tentuar që të tejkalohen ndasitë politike nga e kaluara.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Por, a mund të bëjë diçka Uashingtoni për ta përshpejtuar këtë proces?

Charles Kupchan: Shtetet e Bashkuara në këtë rast janë të interesuara në negociatat për anëtarësim në BE, mirëpo nuk mendoj se janë lojtare dhe mund të ushtrojnë shumë ndikim të jashtëm. As nuk mendoj që duhet. Fusha e vetme ku them unë se diplomacia e SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë në linjë, ka të bëjë me Serbinë dhe Kosovën. Ajo çfarë po shohim tani janë mënyra për të ofruar një sërë stimujsh, bashkë me shkopinj e karota, për t’i shtyrë palët më afër njëra-tjetrës. Dhe një nga joshjet më të mëdha për zgjidhje të mosmarrëveshjeve është perspektiva e anëtarësimit në BE. Prandaj them se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë ngusht, për faktin e joshjes së fuqishme të anëtarësimit në bllokun evropian.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e Christopher Hill-it në Serbi? Vetëm Kosova, apo edhe diçka tjetër?

 

Charles Kupchan: Do ta ketë një agjendë të gjerë. Marrëdhënia me Kosovën do të zë pjesën më të madh, por gjithashtu edhe përfshirja ruse në Serbi, më pas ekonomia ruse dhe nevoja për ta bartur Serbinë në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë besoj se do ta dominojë mandatin e tij, për aq kohë sa ekziston si çështje në rajon dhe që vazhdon të krijojë tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve etnikë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në linja kufitare në Maqedoni të Veriut. Mendoj se kjo çështje është e vështirë, por që do të ndihmojë në përmirësim të marrëdhënieve në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Christopher Hill ka luajtur rol të rëndësishëm në vitet e 90-ta, kur marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Uashingonit kanë qenë në pikën më të ulët. Çfarë ndikimi do të ketë përvoja e tij nga periudha e përgjakshme, për marrëdhëniet në të ardhmen me elitën politike në Serbi, të udhëhequr nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq?

Charles Kupchan: Fillimisht, Christopher Hill, i njeh lojtarët dhe do të ketë marrëdhënie personale të fuqishme me disa prej figurave të rëndësishme në rajon. Dhe kjo është gjë e mirë për fillim. Nuk do t’i duhet të krijojë lidhje. Së dyti, ai është njeri me përvojë të jashtëzakonshme dhe ka shumë kredibilitet në Uashington. Kjo nënkupton se ai do të ketë qasje të drejtpërdrejtë jo vetëm te Sekretari (amerikan i Shtetit, Antony) Blinken, por edhe në Shtëpi të Bardhë dhe lojtarë tjerë kyçë. Ai ka shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai ka shumë përvojë brenda Departamentit të Shtetit. Ka qenë edhe jashtë për një kohë dhe ka krijuar reputacion si komentator i zgjuar, si dhe analist. Ai është një prej individëve më me përvojë dhe reputacion të lartë dhe mendoj që ky është lajm i mirë për Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Ambasadorit amerikan në Mal të Zi do t’i përfundojë mandati shumë shpejt. Marrë parasysh rritjen e interesimit për situatën në Ballkan, a mendoni se ambasadori i ri në këtë shtet do të jetë dikush me njohuri më të mëdha për çështjet e Ballkanit? Thënë me fjalë tjera, a do ta përdorë Departamenti amerikan i Shtetit recetën serbe – sikurse me rastin e zotit Hill – edhe në rastin e Malit të Zi?

Charles Kupchan: Është e vështirë që të thuhet se kë mund ta dërgojë atje Departamenti amerikan i Shtetit. Mirëpo mendoj se diskutimi lë të kuptohet se rajoni është në listën e prioriteteve. Në këtë rajon janë duke u dërguar diplomatë me përvojë, qoftë si ambasadorë apo edhe zëvëndës-ndihmës Sekretari për këtë rajon, si dikush me reputacion të madh. Mesazhi që është duke u dërguar është se, SHBA-ja e sheh rajonin si prioritet. Qeveritë në rajon duhet të jenë të përgatitura dhe mund të presin rikthim të angazhimit intensiv amerikan./ Radio Evropa e Lirë

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja