Ka kaluar një javë dhe Dritan Gjika, një bos i dyshuar i kokainës i njohur si “Tony”, ende pret të marrë pagesën.
“Shiko shef, partneri yt më tha se do t’i dërgonte paratë dje, pastaj më vonë më tha sot”, i thotë Gjika një ortaku të tij në biznes. Ata po diskutonin shitjen e “mallit” të transportuar me kontejner nga Ekuadori drejt Spanjës.
Kur pala tjetër i thotë të “qetësohet” dhe të mos jetë kaq “mosbesues”, irritimi i Gjikës shpërthen.
“Shef, nuk është çështje mosbesimi, është respekt! … Gjithçka mbërriti mirë, çmimi u ra dakord bashkë dhe ty të pëlqeu. Nuk kam pse të pres derisa ai ta shesë ngadalë atje që unë të paguhem!”
Më vonë ai sqaron: “Është thjesht biznes dhe ne kemi nevojë për shpejtësi.”
Ky shkëmbim i tensionuar nuk ndodhi në restorantin italian apo në godinën luksoze të zyrave në Guayaquil, qyteti portual i zhurmshëm i Ekuadorit, ku Gjika dhe bashkëpunëtorët e tij njiheshin se takoheshin. Përkundrazi, ai u zhvillua në mënyrën si komunikojnë sot shumica e njerëzve: me mesazhe. I vetmi ndryshim ishte se këta burra komunikonin përmes platformës së koduar SkyECC, një mjet i preferuar nga kriminelët dhe figurat e botës së nëndheshme, derisa platforma u zbërthye nga policia europiane në vitin 2021.
Pas dekriptimit të platformës, bisedat në Sky u shpërndanë me autoritetet në mbarë botën, përfshirë edhe në Ekuador, ku Dritan Gjika, i lindur në Shqipëri, kërkohet për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. OCCRP ka siguruar qindra faqe me bisedat e Gjikës në Sky, të cilat janë dorëzuar nga prokurorët ekuadorianë si prova në çështjen penale ndaj tij dhe anëtarëve të rrjetit të dyshuar kriminal.

Gazetarët shqyrtuan qindra faqe me biseda të përzgjedhura nga prokurorët si prova.
Mesazhet, të cilat përfshijnë periudhën nga maji 2020 deri në mars 2021, japin një pamje të paprecedentë të funksionimit të përditshëm të një organizate të fuqishme të trafikut të drogës, struktura e së cilës, e ngjashme me një korporatë, shtrihej përtej kufijve në ndjekje të pandalshme të fitimeve.
Mesazhet zbulojnë gjithashtu nivelin e depërtimit të grupit në polici dhe në portet e Ekuadorit, një vend dikur i qetë që vitet e fundit është shndërruar në një superautostradë të kokainës.

Një foto e përfshirë në raportin policor tregon Dritan Gjikën (majtas) dhe burra të tjerë të dënuar ose të akuzuar si pjesë e organizatës kriminale që dyshohet se ai drejtonte, teksa darkojnë së bashku në një restorant italian në Ekuador.
Të paktën 17 persona të akuzuar si pjesë ose ndihmës të organizatës kriminale janë dënuar në Ekuador, 15 prej të cilëve janë në pritje të apelimit. Katër të tjerë u dënuan për pastrim të të ardhurave nga ky aktivitet i paligjshëm, duke kryer transferta me vlerë mbi 43 milionë dollarë mes viteve 2015 dhe 2023.
Megjithatë, Gjika, njeriu që prokurorët pretendojnë se është drejtuesi i këtij rrjeti — dhe që tashmë konsiderohet një nga njerëzit më të kërkuar në Ekuador — arriti të largohej nga vendi pa u diktuar. Ai u arrestua më pas në Abu Dhabi në maj të vitit 2025 dhe tani pret ekstradimin drejt Ekuadorit, ku ndaj tij ekziston një urdhër gjykate për t’u përballur me drejtësinë sapo të kthehet.
(Avokatët e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, por gjatë një seance paraprake në Ekuador argumentuan se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se klienti i tyre kishte kryer një krim, duke vënë gjithashtu në pikëpyetje ligjshmërinë e mënyrës se si u siguruan fillimisht mesazhet e Sky.)

Të dhënat e identifikimit të Dritan Gjikës, siç shfaqen në një raport policor të përfshirë në dosjen e prokurorëve.
Sipas bisedave të interceptuara, Gjika kishte përfshirje të drejtpërdrejtë pothuajse në çdo hallkë të operacionit të tij të dyshuar, nga punësimi i shoferëve te menaxhimi i orareve të transportit dhe llogaritja e saktë e borxheve të papaguara. Ai vlerësonte besueshmërinë dhe diplomacinë, ndërsa duket se gëzonte një besnikëri të fortë nga bashkëpunëtorët e tij.
“Do të vij me ty kudo që të më thuash, vëlla… edhe me sy mbyllur”, i shkroi një nga bashkëbiseduesit e tij më të shpeshtë, për të cilin bisedat sugjerojnë se menaxhonte lidhjet me furnitorët kolumbianë, pasi Gjika i tha se kishte “shumë punë” për t’i ofruar në dhjetor të vitit 2020.
Pavarësisht se vinte nga një vend mijëra kilometra larg, Gjika duket se kishte arritur një zotërim të jashtëzakonshëm të spanjishtes me zhargon rruge, duke i mbushur mesazhet me përshëndetje dhe shprehje popullore — por edhe me gjuhë të koduar kur bëhej fjalë për detajet e aktivitetit të tyre.
Për të deshifruar këto biseda, gazetarët krahasuan përmbajtjen e mesazheve me mijëra faqe dokumentesh gjyqësore që përfshinin raporte policore dhe dëshmi, si edhe materiale të tjera nga hetimi i prokurorëve. Gazetarët konsultuan gjithashtu ekspertë për të verifikuar kuptimin e zhargonit të koduar të grupit.
Nga ajo që rezultoi, në botën e tyre një “kuti” mund të nënkuptonte një kontejner transporti që mund të “impregnohej” me “gjëra” — pra të mbushej me pako kokaine. Ndërsa “të shëmtuarit” ishte termi që përdorej për policinë.
Megjithatë, në një bisedë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë, partneri i dyshuar i biznesit të Gjikës reflekton mbi aktivitetin e tyre dhe e përshkruan hapur si “traqueteando”, një term i zakonshëm zhargoni në Amerikën Latine për trafikun e drogës:
Tashmë 49 vjeç, shqiptari mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme vizitori, duke iu bashkuar një vale shtetasish nga Ballkani që në dekadat e fundit janë afruar pranë burimit të zinxhirit të furnizimit me kokainë.
Edhe pse Ekuadori nuk është vetë prodhues i narkotikut, ai është shndërruar në qendrën kryesore të eksportit në Amerikën Latine, ku grupet kriminale shqiptare, meksikane dhe kolumbiane kanë hyrë fuqishëm për të përfituar nga tregtia e madhe detare e mallrave si bananet — një objektiv i preferuar për kontrabandistët për shkak se fruti duhet të kalojë shpejt nëpër porte.
Sipas Renato Riveras, studiues pranë organizatës Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC), trafikantët shqiptarë sollën në biznesin e kokainës në Ekuador një kulturë të veçantë korporative, të fokusuar më shumë te fitimi sesa te luftërat për kontroll territori.
Për këtë arsye, rrjeti që dyshohet se drejtohej nga Gjika ishte fleksibël dhe nuk dukej se kishte një aleancë fikse me ndonjërën prej bandave kryesore kriminale të Ekuadorit, tha ai.
“Këta lloj njerëzish nuk ‘martohen’, si të thuash. Ata nuk krijojnë aleanca strategjike me asnjë grup kriminal”, tha Rivera. “Përkundrazi, është një model biznesi i bazuar te mundësitë e tregut.”
Krijimi i lidhjeve
Në Shqipërinë e tij të lindjes, Gjika ka pak ose aspak profil publik. Që prej vitit 2021, ai ka pasur vetëm një biznes të regjistruar në emrin e tij: një restorant me gatime tradicionale në qytetin e lindjes, Shkodër.
Policia e Shkodrës nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ai kishte precedentë penalë atje, ndërsa prokuroria shqiptare kundër korrupsionit u tha gazetarëve se ndaj tij ishte në vijim një hetim paraprak dhe nuk mund të jepte komente të tjera.
Sipas Robert Fay, drejtues i njësisë kundër narkotikëve në Europol, Gjika e nisi aktivitetin jashtë vendit si ndërmjetës logjistik për grupe të tjera të krimit të organizuar në Ekuador, përpara se të konsolidonte kontrollin mbi rrjetin e tij në vendin latino-amerikan.
“Ai kishte një nivel të mirë kontaktesh, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, dhe… lidhej me lojtarë të ndryshëm globalë në të njëjtin nivel”, tha Fay për OCCRP.
Gjika duket se kishte krijuar gjithashtu lidhje edhe me figura me ndikim në Ekuador. Një raport i policisë ekuadoriane e përshkruan atë si partner të rregullt biznesi të Rubén Cherres — mik i ngushtë i Danio Carrera, kunati i ish-presidentit të vendit, Guillermo Lasso.
Në vitin 2024, Carrera u dënua me 10 vite burg për një skemë korrupsioni që synonte ndikimin në kontratat e kompanive publike, vendim ndaj të cilit ai ka bërë apel. Cherres, i cili po hetohej për përfshirje të dyshuar në këtë skemë, u vra në një atentat ende të pazbardhur në vitin 2023.
Carrera dhe Lasso nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, organizata kriminale që dyshohet se drejtohej nga Gjika kishte një strukturë piramidale të ngjashme me korporatat, me shqiptarin në krye, të ndjekur nga një “nivel menaxherial” drejtuesish të lartë ku përfshihej edhe krahu i tij i djathtë i dyshuar, shtetasi argjentinas-italian Mario Sánchez Rinaldi.
Në shkurt 2024, Sánchez Rinaldi u arrestua në Spanjë, ku rreth 70 persona dhe subjekte juridike të lidhura me rrjetin e dyshuar të trafikut vijojnë të jenë nën hetim.
(Një avokat ekuadorian i Sánchez Rinaldit, i cili mbetet në paraburgim në Spanjë, i tha OCCRP-së se nuk ishte i autorizuar të komentonte mbi çështjen.)
Për të lehtësuar dërgesat transatlantike, grupi dyshohet se përdorte kompani legjitime eksporti në Ekuador si mbulesë për trafikun e drogës. Fitimet më pas pastroheshin përmes këtyre bizneseve ligjore, si edhe përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.

Një foto nga një raport i policisë ekuadoriane tregon një Toyota të kuqe, e identifikuar si makina që drejtohej nga Gjika në Guayaquil.
Bisedat në Sky zbulojnë detaje të imëta mbi mënyrën se si funksiononte kjo “multinacionale” e kokainës, nga kontratat mujore me furnitorët deri te pikat specifike ku merreshin paratë e fituara. Bisedat japin një panoramë të mënyrës se si grupi menaxhonte problemet logjistike dhe përshtatej ndaj ndërhyrjeve të autoriteteve ligjzbatuese.
Dhe, mbi të gjitha, ato tregojnë se çfarë e bënte të mundur funksionimin e këtij operacioni: një nivel i jashtëzakonshëm aksesesh në portet detare të Ekuadorit dhe te volumi i madh i kontejnerëve që niseshin çdo ditë drejt vendeve të ndryshme të botës. Policia, doganat dhe autoriteti portual i Ekuadorit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
“Dy ton në muaj — minimumi”
Sipas prokurorëve, rrjeti i trafikut e siguronte kryesisht kokainën nga laboratorët në Kolumbi, vendi fqinj që është prodhuesi më i madh në botë i bimës së kokës, gjethet e së cilës përpunohen përmes proceseve të ndryshme kimike për të nxjerrë drogën në formë pluhuri.

Një burrë duke përpunuar gjethe koka në zemër të Amazonës, në Kolumbi, në nëntor 2023.
Bisedat në Sky tregojnë se Gjika merrte rolin kryesor në negociimin e marrëveshjeve për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm me drogë, duke ndërmjetësuar kontrata për disa tonë që do të dorëzoheshin çdo muaj — një sasi e konsiderueshme, duke pasur parasysh se në atë periudhë sekuestrimet e kokainës në Ekuador rrallëherë kalonin një ton.
“Mik, kushëriri im më tha se ke gjëra të mira”, i shkroi ai një furnitori të dyshuar në janar 2021.
“Jam i interesuar, por ajo që më tremb pak është se nuk i njoh njerëzit. Ty të njoh dhe dukesh shumë serioz dhe një djalë me këmbë në tokë”, shtoi ai.
Furnitori i tha Gjikës se menaxhonte dy “kuzhina” — një term zhargoni për laboratorët ku nxirret kokaina nga gjethet e kokës — dhe i kërkoi shqiptarit besim për të pranuar bashkëpunimin në biznes.
Në një tjetër bisedë, Gjika përshkroi një kontratë për një “minimum” prej “6 T” me një tjetër furnitor të dyshuar në Kolumbi, i cili tha se kishte në dispozicion pesë të ashtuquajtura “kuzhina”.
Megjithatë, ndonjëherë planet shkonin keq. Një ditë më pas, më 1 shkurt 2021, pesë persona u arrestuan në provincën Los Ríos në Ekuador, pasi në kamionin e tyre të mallrave u gjet gjysmë toni kokainë, e ndarë në pako prej 1 kilogrami me logon “UNICO”.
Një imazh i operacionit antidrogë i publikuar në gazetën ekuadoriane El Universo.
Pasi mori vesh lajmin, Gjika i shkroi personit që kishte ofruar furnizimin me “6 T” për ta informuar mbi incidentin.
Gjika nis të shprehë dyshime mbi mënyrën se si mund të kishte ndodhur ky dështim operacional, duke vënë në dukje se shoferët e ngarkesës nuk po ndiqnin planifikimin e tij.
Më vonë, të dy konfirmojnë skenarin më të keq: edhe “malli” ishte sekuestruar.
Diskutimi që pason tregon Gjikën duke u përpjekur të kuptojë se çfarë kishte shkuar keq dhe cilat duhet të ishin pasojat. Ai kërkon të dijë se çfarë kishte ndodhur me një person që ata e quajnë “taksisti”, i cili nuk ishte arrestuar.
Edhe pse nuk thuhet qartë, bisedat sugjerojnë se ky term mund t’i referohej një prej “patrulluesve” që burrat diskutonin të dërgonin për të shoqëruar ngarkesat me një makinë të veçantë.
Ajo që ndodh më pas nuk dihet, pasi regjistri i bisedës përfundon me bashkëbiseduesin e Gjikës që i kërkon BC1-në e tij — një referencë për një tjetër pajisje komunikimi të koduar, e operuar nga kompania Number 1BC, e cila kishte tërhequr përdorues që kërkonin alternativa pasi u përhap lajmi se Sky dhe kompani të tjera të ngjashme ishin kompromentuar.
Nga Roterdami në Rusi
Për të transportuar këtë furnizim të vazhdueshëm me kokainë jashtë vendit, kryesisht drejt Europës, rrjeti që dyshohet se drejtohej nga Gjika kishte arritur të marrë kontroll mbi “një pjesë të madhe të zinxhirit logjistik të tregtisë së jashtme”, sipas prokurorëve ekuadorianë. Për procesin gjyqësor, hetuesit siguruan prova për përfshirjen e grupit në të paktën 11 dërgesa droge nga porti i Guayaquil drejt terminaleve europiane gjatë viteve 2020 dhe 2021.
Kur u pyetën për koment, autoritetet portuale në Antëerp, Algeciras dhe Hamburg u thanë gazetarëve të kontaktonin policinë ose doganat për më shumë detaje mbi përpjekjet kundër trafikut të drogës, ndërsa operatorët e porteve në Mundra, Gioia Tauro, Tanger Med dhe Rotterdam nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Për të realizuar këto operacione transatlantike, rrjeti kishte krijuar informatorë brenda porteve të Ekuadorit, sipas prokurorëve, të cilët i referohen bisedave si provë e aksesit të trafikantëve në “informacione të privilegjuara” nga sistemet kompjuterike të terminaleve në Guayaquil.
Natyra e lirshme e bisedave në Sky pasqyronte depërtimin e tyre të dukshëm pa pengesa në këto struktura, me anëtarët e grupit që flisnin për punën në porte në mënyrë rutinë dhe krejt normale.
“Nuk ka problem, çfarëdo porti të jetë, ne do ta nxjerrim, mos u shqetëso”, shkroi Gjika në lidhje me katër terminale portuale të Guayaquil, gjatë një bisede mbi itinerarin që planifikonte të përdorte një importues.
“Shef, unë mbaj gjithë përgjegjësinë [për atë që ndodh] në port!!”, shtoi ai më vonë, por paralajmëroi se nuk mund të “garantonte” asgjë nëse kishte “rrjedhje informacioni” ose nëse “policia zbret mbi mua” ditën e operacionit.
I kontaktuar për koment, Contecon, një nga tre terminalet portuale në dhe rreth Guayaquil që përmenden në biseda, tha se porti “bashkëpunon ngushtë me shtetin ekuadorian për të garantuar tregti të sigurt dhe të mbrojtur përmes strukturës sonë”. Dy portet e tjera nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Guayaquil, Ecuador.
Aftësia e grupit për të kontaminuar kontejnerët duket se mbështetej te “miqtë” që kishin akses të drejtpërdrejtë në porte.
“Miqtë brenda do ma japin kontejnerin për ta punuar maksimumi për një orë”, thuhet në një mesazh që Gjika mori në gusht 2020.
Mes personave të dënuar në Ekuador ishte edhe një efektiv policie që kishte detyrën e kontrollit të kontejnerëve në një port. Një tjetër oficer me të njëjtin rol u shpall në kërkim në vitin 2024, ndërsa një i tretë u shpall i pafajshëm.
Por lidhjet e grupit me policinë ekuadoriane duket se shkonin edhe më thellë. Një ish-oficer policie i quajtur Héctor Pesántez, për të cilin prokurorët thanë se përdorte nofkën “Glock”, u dënua si një nga figurat kryesore të grupit. Në bisedat e Sky, ai shihet duke i dhënë Gjikës informacione të brendshme nga policia antidrogë e Ekuadorit.
Sipas aktakuzës, Pesántez ishte përgjegjës për rekrutimin e personave në role mbikëqyrëse me qëllim lehtësimin e trafikut përmes porteve. (Ai nuk iu përgjigj kërkesave të OCCRP-së për koment, por në gjykatë deklaroi pafajësinë dhe është në pritje të apelimit.)
“Kontaktova miqtë”, i shkroi ish-oficeri Gjikës në korrik 2020. “Më thanë se tashmë ka pasur disa ndryshime në staf, madje edhe drejtori kombëtar i antidrogës është i ri. Kanë ndryshuar edhe grafikun e pushimeve.”
Më pas ai e këshillon Gjikën të përshtatë planin e tij me ditët kur “miqtë” e tyre do të ishin në detyrë:
Sipas Daniel Pontón, dekan i Studimeve të Sigurisë në universitetin shtetëror të Ekuadorit, qeveria ka hasur vështirësi për të siguruar siç duhet portet, të cilat operohen kryesisht nga kompani private që kanë marrë koncesione nga shteti.
“Problemi është se Ekuadori nuk ka kontroll të duhur mbi portet. Nuk ka as një strategji të unifikuar, as koherente dhe as inteligjente. Është një plagë e hapur; është si të kesh një person që po humb gjak dhe nëse nuk i vendos një turniket, ai do të vdesë”, tha ai.
Nga njëra kompani te tjetra
Bisedat në Sky prekin metoda të ndryshme që grupi përdorte për të futur kontrabandën në kontejnerët e transportit. Një prej tyre, që autoritetet e ligjit e përshkruajnë si “metoda e grepit të verbër”, konsiston në vendosjen e drogës pranë ngarkesës legjitime, në vend që ajo të përzihej me mallrat e ligjshme ose të fshihej në mënyrë më të sofistikuar.
Ka gjithashtu indicie se grupi përdorte metoda më të sofistikuara. Në një tjetër bisedë, Gjika dhe një bashkëbisedues diskutojnë përgatitjen e një kontejneri me saldim dhe bojë. Rezultati, sipas Gjikës, ishte se “skaneri nuk e kap, absolutisht e konfirmuar”.
Nga komunikimi mes tyre duket e mundur që ata po flisnin për fshehjen e kokainës brenda strukturës së vetë kontejnerit — një metodë që Ministria e Brendshme e Spanjës tha se grupi nisi ta përdorte për të fshehur sasi më të vogla droge, pasi një ngarkesë prej 1.1 tonësh u sekuestrua nga autoritetet holandeze në vitin 2020.
Disa biseda i referohen drejtpërdrejt përdorimit nga grupi të asaj që ata dhe policia ekuadoriane e quajnë metoda “nga njëra kompani te tjetra”. Kjo metodë përdoret kur trafikantët minimizojnë rrezikun duke kontrolluar drejtpërdrejt kompanitë eksportuese që transportojnë kokainën dhe duke bashkëpunuar me importues të drejtuar nga njerëzit e tyre.
Sipas dokumenteve gjyqësore dhe regjistrit të bizneseve në Ekuador, Gjika, personat e dënuar ose të akuzuar si pjesë e rrjetit të trafikut, apo familjarët e tyre të afërt, zotëronin ose administronin më shumë se 30 kompani në vend.
Mes tyre, tre kompani të zotëruara ose të administruara nga Gjika dhe krahu i tij i djathtë i dyshuar, Sánchez Rinaldi, dyshohet nga prokurorët se janë përdorur për të lehtësuar trafikun e drogës. Dy prej tyre operonin kryesisht si eksportuese bananesh.

Pamje nga një raport policor që tregojnë paketimin e bananeve nga Agricomtrade, një kompani që sipas prokurorëve ishte në bashkëpronësi të Gjikës dhe përdorej për kontrabandën e kokainës.
Spanja ishte gjithashtu një nyje logjistike për dërgesat e kokainës së grupit. Në një letër drejtuar autoriteteve ekuadoriane për ndihmë juridike, Gjykata Kombëtare e Spanjës pretendon se Sánchez Rinaldi, i përshkruar si një “biznesmen i rëndësishëm” me bazë në Costa del Sol, drejtonte një grup “të fuqishëm” kompanish import-eksport ushqimor, të cilat i mundësonin atij “lehtësimin e logjistikës” së trafikut të kokainës për palë të treta.
Biznesmeni dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e hyrjes së drogës në portin spanjoll të Algeciras dhe për “lehtësimin e kompanive importuese në Europë”, thuhej në një tjetër letër të Gjykatës Kombëtare të Spanjës drejtuar autoriteteve franceze.
Fitimet
Kur droga mbërrinte me sukses në brigjet europiane, bisedat duket se tregojnë Gjikën duke negociuar shitjen e saj me distributorët. Ai merrte shpesh pjesë në biseda — disa prej tyre të tensionuara — mbi çmimet, testet e cilësisë së produktit dhe planet e shpërndarjes.
“A ke mall atje lart???” e pyeti në korrik 2020 një përdorues i Sky, të cilin autoritetet ekuadoriane e përshkruajnë si koordinator të mundshëm të dërgesave të kokainës drejt Spanjës. “Më duhet në Spanjë, këtu nuk ka asgjë.”
“Nëse ke në Holandë, mund të gjej një kamion për ta sjellë në Spanjë”, ofroi përdoruesi i Sky. “Më thuaj çmimin atje dhe unë do ta zbres.” Pak muaj më vonë, Gjika kontaktoi një bashkëpunëtor ekuadorian, i cili u dënua për pjesëmarrje në organizatën kriminale dhe që, sipas prokurorëve, ishte zhvendosur në një moment në Spanjë.
“Shef, si është çmimi atje?” e pyeti Gjika, përpara se të planifikonte lëvizjen e radhës.

Një pjesë e dosjes policore tregon pamje nga bisedat në Sky ECC, ku shfaqen pako kokaine të etiketuara me “BMW”, një nga disa markimet që grupi dyshohet se përdorte për të identifikuar paketat e kokainës, përfshirë ato të sekuestruara në Holandë.
Pasi përcaktoheshin çmimet, shpesh pas negociatave të forta, bisedat përfshijnë diskutime mbi mënyrën se si do të mblidheshin fitimet përmes një rrjeti të nëndheshëm të dorëzimit të parave cash, që dukej se operonte në qytete të ndryshme të botës, nga Cali te Madridi, Brukseli dhe Birminghami.
Sasia e parave që qarkullonte ishte shpesh marramendëse. Në Barcelonë, autoritetet spanjolle thanë se agjentët e tyre zbuluan disa dërgesa cash të lidhura me grupin, përfshirë një rast që çoi në sekuestrimin e 1 milion eurove të fshehura brenda një automjeti.
Veçmas, në një bisedë në Sky në dhjetor 2020, Gjika diskuton një seri transfertash në peso kolumbiane me vlerë ekuivalente prej 2.3 milionë dollarësh, që do të tërhiqeshin në Cali.
“Vëlla, më jep një tjetër token për Cali që të mbyllim 8 miliardë”, thuhet në një nga mesazhet.
Referenca të tilla për “token” janë të shpeshta dhe i referohen një serie numrash — zakonisht numrit serial të një kartëmonedhe dollari ose euroje — që përdorej si lloj fjalëkalimi për t’ia dhënë arkëtarit, në mënyrë që paratë të kalonin në duart e duhura.
Edhe pse ky sistem i nëndheshëm transfertash u lejonte përdoruesve të shmangnin kontrollet bankare, ai mbartte edhe rreziqet e veta. Në një bisedë të gushtit 2020, Gjika dhe një person i njohur si “Inxhinieri” duket se diskutojnë detajet e një operacioni për tërheqje cash në Quito, i cili nuk kishte shkuar sipas planit.
Duke iu referuar bisedave në Sky, policia e lidhi këtë operacion cash me një shtetas kinez, i cili më vonë u dënua për bashkëpunim në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të grupit. (Ai deklaroi pafajësinë dhe apeloi vendimin. Avokatët e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.)
“Kë duhet të kërkoj?” pyet një prej mesazheve. “Askënd vëlla, thjesht thuaj tërheqje”, përgjigjet Gjika.
Pak më shumë se një orë më vonë, “Inxhinieri” — i cili më vonë u dënua për bashkëpunim me organizatën e trafikut — raportoi se “Kinezi” kishte mungesë parash cash dhe se shuma e plotë nuk mund të tërhiqej.
Më pas, “Inxhinieri” pyet nëse mund të marrë një pjesë të parave për të paguar anëtarët e ekipit të tij, dhe Gjika duket se pranon që ai të mbajë “100”, që sipas një raporti policor është shkurtim për 100 mijë dollarë.
Ata duket se bien dakord të takohen ditën tjetër për një bisedë biznesi, në mënyrë që Gjika t’i tregojë “ku dhe si investohen [paratë]”. Por kur pjesa e parave që i takonte Gjikës mbërrin të nesërmen, ajo ishte “10” më pak nga sa priste ai.
Kur u vu përballë pyetjeve, bashkëpunëtori i Gjikës tha se 10 mijë dollarët që mungonin duhet të ishin humbur kur një tjetër ortak “u tremb” në rrugën tregtare të mbushur me njerëz, pranë një “chifa” — term që përdoret për restorantet me kuzhinë të përzier kinezo-ekuadoriane.
Pasi dërguan disa mesazhe zanore, përmbajtja e të cilave nuk detajohet në regjistrat e bisedave, dy burrat duket se e zgjidhën problemin.
“Nuk ka problem vëlla, nuk do të ndodhë më.” “OK vëlla”, përgjigjet Gjika.
I kontaktuar për koment, avokati i personit të njohur si “Inxhinieri”, Julio César Lalangui Medina, theksoi se apeli i klientit të tij është ende në shqyrtim, me një seancë të planifikuar për 25 qershor 2026.
Ai shtoi gjithashtu se ekziston një “debat i gjerë dhe i thellë juridik në nivel ndërkombëtar lidhur me vlefshmërinë, autenticitetin, integritetin, gjurmueshmërinë dhe ligjshmërinë” e përdorimit të mesazheve të Sky si prova.
“Po ndryshojmë gjithçka”
Që në shtator 2020, Gjika duket se kishte marrë sinjale se pajisjet Sky që po përdornin nuk ishin më të sigurta. “Po ndryshojmë gjithçka, sepse shumë njerëz thonë se Sky nuk është më i besueshëm”, i shkroi ai një kolegu, duke e nxitur të blinte një nga telefonat BC1.
Megjithatë, grupi vazhdoi ta përdorte Sky edhe për gati gjashtë muaj të tjerë, ndërsa mesazhi i fundit në dosjet e prokurorëve mban datën mars 2021.
Përdorimi i Sky do të sillte përfundimisht shkatërrimin e rrjetit në Ekuador, por mbetet ende e paqartë nëse personi që prokurorët e konsiderojnë si drejtuesin e tij do të përballet me drejtësinë. Edhe pse u arrestua gati një vit më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe ende nuk e kanë ekstraduar. (Ministritë e Jashtme dhe të Drejtësisë të vendit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.)
Ndërkohë, kokaina — dhe gjakderdhja që lë pas — vazhdon të përhapet në Ekuador në nivele rekord. Rivera, eksperti i sigurisë, theksoi se ndërsa trafikantët ndërkombëtarë rrisin tregtinë e kokainës në vend, grupet lokale kriminale vazhdojnë të përplasen për të marrë pjesën e tyre të fitimeve.
“Financimi që ata kanë sjellë dhe interesi për të lëvizur më shumë kokainë përmes Ekuadorit krijon konflikte mes grupeve lokale, dhe këto konflikte zakonisht shfaqen si luftëra për kontroll territori”, tha ai.
“Prandaj, nuk është vetë prania e tyre problemi kryesor, por financimet që kanë sjellë për lëvizjen e kokainës, të cilat në mënyrë indirekte gjenerojnë më shumë dhunë.”/OOCRP
Komente








